Update/ Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në konferencën e parë për shtyp pas 6 muajsh, tha se kishte heshtur për të respektuar të vërtetën e tij dhe drejtësinë. Sot ai është shprehur se dorëzon mandatin e deputetit.
“Kam marrë një vendim për të treguar se nuk jam rraca e atyre që rrinë në parlament, nga sot unë dorëzoj mandatin e deputetit. Unë sot do të përballem me të gjithë, si njeri i thjeshtë, fuqia ime është e vërteta ime dhe unë nuk do të rresht që t’i shkoj deri në fund”, tha ish-ministri i Brendshëm, i cili deri më sot ishte deputet i pavarur.
“Unë deri në fund kur të bëhet drejtësia nuk do të jem më deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Që sot kjo nuk është ndeshja ime e fundit, por e para dhe do të vazhdoj prapë e prapë deri kur t’ia dal. Qe sot, unë nuk jam më deputet do të përballem me këdo se besoj e vërteta mjafton dhe është më e fortë se kushdo.
Unë nuk jam palaço, e nuk kam nevoje as për mandat e as për të qenë deputet për t’u përballur me palaçot e politikes.
Me mua mund të merren do të duroj deri në fund, me familjen time janë marrë, mund të merren, do të bëjmë si do bëjmë, do të durojmë deri në fund. Deri atëherë unë do të jem këtu patjetër se kjo nuk është ndeshja ime e fundit, është veç e para”.
“Koka e mafies, dru i shtrembër…”, shpërthen Tahiri: Nuk jam engjëll, por sot iu tregoj djallin!
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një dalje për media ka folur me tone mjaft të ashpra lidhur me akuzat që janë lëshuar në drejtim të tij.
“Prita për dy javë rresht të flisja në Parlament, por mes çizmeve mua bë e pamundur që të flisja. Ndaj jam këtu që të ndaj me ju një qëndrimin timin. Para 6 muaj për mua filloi një histori me të cilën po përballem deri në sot. Ka 6 muaj që dëgjoj lloj-lloj racë që nuk kanë lënë gjë pa thënë, edhe sikur të kisha qeverisur 30-vjet, nuk do të kisha dëgjuar kaq shumë akuza. Më kanë quajtur “kriminel”, “shtylla e drogës”, “koka e krimit’, “trafikant”, “koka e mafies”, “dru i shtrembër”, etj.
Këtë e kam quajtur gjyq moral. Jo se unë jam engjëll unë në fakt, por kam punuar dhe kam bërë gabimet e mia.
Mua më kanë thënë se më ka mbrojtur, imuniteti, mandati i deputetit, mazhoranca dhe Edi Rama. Këto kanë thënë që të gjitha bashkë më kanë shpëtuar nga burgu. Tani po më thonë që integrimin Evropian po e pengoj unë. Unë nuk kam qenë kurrë dhe nuk jam si këta”.
“Në mundsh, më ndiq…”, çfarë po paralajmëron Saimir Tahiri
Përpara nisjes së seancës në Kuvend, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka njoftuar mbajtjen e një konference sot në orën 10:00. Ai pritet të dalë në një konferencë shtypi nga Kryesia e Kuvendit.
Nuk ka ende asnjë të dhënë lidhur me atë që pritet te thotë Tahiri dhe për çfarë do e mbajë këtë konferencë.
Kujtojmë se ish ministri ka qenë në dy seancat e fundit në Kuvend, ndërsa prania e tij ka shkaktuar polemika të forta nga opozita, teksa u akuzua dhe filmua edhe nga ish-kryeministri Berisha.
Ndërkohe që një ditë më parë pati zhvillime në Komisionin Hetimor për Tahirin, ku shumica duket se ka gjetur mënyrën që ky hetim të mbyllet pa nisur ende, duke e “varrosur” me një tufë me shkresa, që kërkohen të merren nga institucionet e vendit.