Gazetarët e konsiderojnë si absurd vendimin e Kuvendit për t’i lënë jashtë Komisioneve dhe seancës plenare, për ti ndjekur aktivitetet nëpërmjet rrjetit të transmetimit në një sallë të posaçme.
Një grup gazetarësh kanë lajmëruar protestë përmes njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale. Protesta do të mbahet nesër në orën 09:30, para seancës plenare.
“Eja KUVENDojmë! Vendimi i Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar gazetarët e akredituar nga aksesi i komisioneve parlamentare është cënim i pastër i punës sonë dhe lirisë së medias! Përmes një organizimi spontan, sensibilizues, ditën e mërkurë, datë 09/06/2021 ftohen të gjithë gazetarët që janë të akredituar në Kuvendin e Shqipërisë që në orën 09:30 para seancës plenare të marrin pjesë në një protestë kundër kësaj vendimmarrjeje!
Janë të lutura redaksinë e televizioneve të mundësojnë akses për këtë protestë! Kjo është një betejë për fjalën e lirë dhe raportimin e pavarur!”, thuhet në njoftim.