Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka reaguar për herë të parë lidhur me shkarkimin e tij nga Kuvendi. Kreu i Shtetit nuk ka zgjedhur ta komentojë votimin e Kuvendit, por ka shpërndarë gafën e deputetit Selami Jenisheri.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme, Jenisheri tha se koalicioni i tij do iu dalë zot, nipërve dhe mbesave tona pensionist, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit.
”Koalicion ynë, i drejtuar nga deputeti Kujtim Gjyzi, i është drejtuar Komisionit të Zgjedhjeve për mos të pasur pasoja të tilla për vjedhjet dhe është anashkaluar. Nuk është dhënë përgjigje. Ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese. Do iu dalim zot, nipërve dhe mbesave tona pensionistë, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit. Emigrantët nuk mund t’i blihet votat”, tha ai.
Ky fjalim i ka bërë përshtypje Metës, teksa tregon se nuk i intereson shkarkimi nga Kuvendi.
Kuvendi shkarkon Metën
Me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi vendosi që Kreu i Shtetit duhet të lerë postin e tij, teksa fati i tij tashmë është në dorë të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Komisionit hetimor, Meta ka kryer 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president, te cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, cënimi i figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.
Kjo është nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkonte shkarkimin e tij nga detyra.