E mërkurë, 13 Tetor, 2021
15.5 C
Tirana

Kush duhet të dorëhiqet në Partinë Demokratike?

Nga: Klementin Mile

Në Partinë Demokratike duhet të ketë ose dy dorëheqje, ose asnjë. Humbja e përsëritur e zgjedhjeve në kampin e djathtë ka nevojë për analizë dhe reflektim, por këto nuk duhet të jenë gjysmake, sikurse e kërkojnë individë dhe grupime brenda e jashtë Partisë Demokratike.

Ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës me pretendimin se ky qe përgjegjësi kryesor për humbjen, ose nuk kanë sy të shohin, ose bëjnë llogari personale në kurriz të fatit të PD-së. Kjo e dyta ka më shumë probabilitet.

Nuk ka patjetër nevojë ta njohësh nga brenda Partinë Demokratike dhe të kesh informacione të brendshme për të kuptuar pozicionin e Bashës si kryetar dhe si lider. Mjafton të kesh ndjekur fushatën e zgjedhjeve që lamë pas. Në momentet vendimtare të fushatës, ku spikat viktima e Elbasanit, rolin e liderit që mban qëndrim dhe sqaron opinionin publik nuk e luajti kryetari, por lideri historik. Në kultivimin e raporteve me ndërkombëtarët, edhe pse kryetari Basha pati rolin e vet duke komunikuar me përfaqësues të Bashkimit Europian në fushatë, prapëseprapë, çka la gjurmë dhe u mbajt mend ishin përplasjet e presidentit, aleatit të liderit historik të PD-së, me ambasadoren amerikane.

Fushata na tregon se Berisha ka qenë vendimtar për ecurinë e betejave elektorale të Bashës. Edhe fushata permanente e Partisë Demokratike, në periudhën që pasoi humbjen e zgjedhjeve të vitit 2017, është karakterizuar, jo rastësisht, nga dualiteti në stil. Herë e ashpër dhe ultimative e herë me tone të ulëta dhe lëshime; herë jashtë sistemit e herë brenda tij. A nuk është edhe kjo dëshmi që në PD ka patur dhe ka dy linja veprimi? Sigurisht, ka nga ata që thonë se këto dy linja tregojnë thjesht dhe vetëm oshilacionet e Bashës në drejtim; por, më e besueshme se kjo, është ekzistenca nga njëra anë e linjës “perëndimore” të kryetarit dhe nga ana tjetër e linjës “ballkanike” të liderit historik.

Lideri historik i përket historisë. Ai normalisht duhet të ishte duke shkruar kujtimet e tij, duke dhënë leksione në universitete prestigjoze për t’u mësuar brezave të rinj esencën e politikës. Por ky nuk është rasti me liderin historik të Partisë Demokratike. Berisha vijon të jetë në tranzicionin ndërmjet aktualitetit politik dhe historisë, pa u ulur rehatshëm në asnjërën prej të dyjave. Prandaj, minimalisht, Berisha ndan me Bashën si meritat ashtu edhe fajet. Humbja e Bashës në 25 prill nuk është vetëm e tija, por edhe e Berishës. Të gjithë ata që dalin sot për t’i kërkuar dorëheqjen Bashës, në fakt, nuk e vënë gishtin në plagë.

Situata në PD pas 25 prillit ka rëndësi themelore jo vetëm për fatin e kësaj partie, por edhe për të ardhmen e vendit. Nga Partia Socialiste në pushtet, në mandatin e tretë të saj, nuk pritet ndonjë risi dhe as ndonjë energji e madhe për ta shpënë vendin përpara në proceset zhvillimore dhe integruese. Opozita, përtej klishesë që është e rëndësishme për demokracinë, këtë herë është esenciale për fatet e vendit pasi vetëm prej saj mund të pritet ndryshim.

Lexo edhe :   Topalli ironizon Bashën: 'E mbyti Ramën, duke hequr të vetët'

Ne nuk kemi nevojë sot për një opozitë që t’i rezistojë pushtetit, ta pengojë pushtetin, apo të bashkëpunojë me pushtetin. Të gjitha këto janë të vjetra dhe do ta linin të paprekur modelin qeverisës aktual. Ne kemi nevojë për një opozitë që të bëhet gati për ta marrë pushtetin.
Ka dy rrugë për këtë. Njëra është graduale dhe matematike, tjetra është radikale dhe politike. Nëse opozita zgjedh rrugën e parë, kjo do të thotë të zhvillojë dhe forcojë mekanizma klientelistë për marrjen e votës, të cilët të jenë po aq të fuqishëm sa ata të qeverisë. Gjithashtu do të thotë t’i bëjë më mirë llogaritë taktike, aleancat dhe koalicionet. Dhe së treti, kjo do të thotë të mbështetet te baza e militantëve si zakonisht, me mënyra tradicionale mobilizimi si protestat që kemi parë në katër vitet e shkuara. Në rast se zgjidhet kjo rrugë, nuk asnjë arsye që Basha, apo ndokush tjetër në kryesinë e PD-së, të japë dorëheqjen. Thjesht, matematika e tyre duhet të jetë më e saktë për të rritur shanset e ardhjes në pushtet, duke shpresuar, natyrisht, që mandati i tretë i Ramës do e degradojë tërësisht cilësinë e qeverisjes në vend.

Lexo edhe :   Topalli ironizon Bashën: 'E mbyti Ramën, duke hequr të vetët'

Rruga e dytë për Partinë Demokratike dhe Shqipërinë është ajo radikale dhe politike, çka nënkupton pastrim të opozitës nga personat e denoncuar publikisht për korrupsion dhe autoritarizëm, ose për arrogancë dhe paaftësi. Në rast se zgjidhet kjo rrugë e dytë, alibia se të tillë persona i gjen me shumicë edhe te qeveria, nuk vlen. Pasi këtu nuk bëhet më fjalë për llogari matematike, por për krijimin e një fryme politike.

Kjo do të thotë kanalizim i energjive opozitare drejt elementëve të mirëfilltë politikë si vizioni, programi, ekipi, lideri dhe harmonizimi i këtyre elementëve në një tërësi shpresëdhënëse për publikun. Por, për të ecur në këtë rrugë të dytë, në PD duhet të ndodhin dy dorëheqje: ajo e Berishës nga politika aktive dhe dorëheqja e Bashës, për “krimin” që pranoi të mbetej kryetar nën hijen e liderit.
Te gjitha zgjidhjet e tjera, që presupozojnë vetëm një dorëheqje, do të ishin rrugë qorre drejt pushtetit. Qoftë kjo dorëheqje vetëm e Bashës, apo vetëm e Berishës, ajo do të prodhonte një farsë në PD, të cilën publiku nuk do të hezitonte aspak për ta ndëshkuar sërish me votë./Gazeta Liberale

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Sa do të shtrenjtohet energjia?

Qoftë për ngrohje, furnizim me karburant, apo për faturën e energjisë elektrike: konsumatorët duhet të paguajnë gjithnjë e më shumë para për energji. Cilat...

Si po tallet Sali Berisha me viganët e historisë

Nga: Pajtim Bello Sali Berisha, si në fillimet e 1991, kërkon të sëmbojë demokratët e Kukësit duke evokuar historinë e trevës së tyre. Sjellje tipike...

Mashtrimi me kreditë/Lihet në burg infermierja, lirohet bashkëpunëtorja

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi vendimin "arrest me burg" për infermieren Elisabeta Bardhollari dhe "arrest shtëpie" për Orjada Hoxhën, pasi akuzohen për...

I mori jetën gruas në sy të foshnjes/Piloti 33-vjeçar nuk kishte bashkëpunëtor

Autoritetet greke kanë dalë në përfundimin, se në krim për vrasjen e 20-vjeçares Caroline Crouch në muajin maj në Greqi është i shoqi 33-vjeçar,...

Herët a vonë të gjithë do të thonë: E dua Doktoreshë Albanën

Nga: Lorenc Vangjeli Doktoreshë Albana Fico është një emër shumë i njohur në Tiranë. Në një kohë tjetër, ajo dhe shumë kolegë të tjerë si...