Zv/kryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se “bukuria natyrore nëse nuk mbështetet me investime mbetet vetëm potencial, mundësi, por jo domosdoshmërisht zhvillim”. Në një deklaratë, Koçiu thekson se “zhvillimi ndodh kur investohet, kur ndërtohen rrugë, kur rregullohen qendrat e qyteteve, përmirësohen shërbimet, kur krijohen arsye që turisti të vijë, të qëndrojë, të shpenzojë dhe të kthehet përsëri, kur krijohen më shumë vende pune për qytetarët, më shumë hapësira që bizneset të rriten”.
“Kjo është ajo që kemi zgjedhur të bëjmë në të gjithë vendin. Çdo qytet ka historinë dhe identitetin e vetë. Ka qindra arsye për t’u vizituar. 12 milionë njerëz që vijnë në Shqipëri për të parë detin, malet, liqenet, qytetet tona për mikpritjen shqiptare dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Turizmi nuk rritet vetë. Nuk mjafton vetëm të kemi një natyrë të bukur, sepse Shqipëria e ka pasur gjithmonë bukurinë. Deti ka qenë aty, liqeni, malet, historia kanë qenë aty dhe e dimë të gjithë që nuk ka mjaftuar”, theksoi Koçiu.
Koçiu bëri të ditur se “përmes programit kombëtar Rilindja urbane 2.0 do të investojmë në çdo qytet ku historia, kultura, tradita, natyra e kthejnë turizmin në ekonomi 12 mujore në zhvillim dhe mundësi për çdo zonë”. “Ky është modeli ynë, jo ndërhyrje të izoluara, por transformim i plotë nga rruga te qendra, nga qendra te shërbimi, nga shërbimi tek ekonomia dhe kjo është diferenca mes një vendi që ka potencial dhe një vendi që e kthe atë potencial në ekonomi. Ne kemi zgjedhur ta kthejmë potencialin në zhvillim sepse aty ku ka investime ka zhvillim, ka turizëm, ka ekonomi, ka më shumë mundësi për qytetarët dhe këtë po e shohim sot në Pogradec”, tha Koçiu.















