Çeçenia, është sot një rajon pjesë e federatës ruse. Ajo drejtohet nga autokrati Ramazan Kadirov, një njeri i besuar i presidentit rus Vladimir Putin. Por ashtu si ish-republikat e tjera sovjetike, që sot janë të pavarura, edhe Çeçenia provoi të shkëputet nga Moska në fillim të viteve por dështoi, duke e paguar shumë shtrenjtë rebelimin e saj.
Më 11 dhjetor 1994, presidenti rus Boris Jelcin udhëzoi nisjen e operacioneve mbi krahinën separatiste, duke shënuar fillimin e një lufte të pabarabartë dhe të përgjakshme kundër popullit çeçen. Pas më shumë se 20 muajsh luftime brutale, kur kryeqyteti çeçen Grozni u rrafshua tërësisht, rusët u detyruan në vitin 1996 të nënshkruanin një marrëveshje paqe.
Çeçenët pësuan humbje shumë të mëdha. Por edhe ushtrie ruse pati mijëra të vrarë, kryesisht për shkak të taktikave guerile të luftës, që zgjodhën çeçenët e keq-armatosur. Shifra zyrtare për humbjet e rusëve është 5.732. Por vlerësime të ekspertëve të pavarur, e vendosin këtë shifër midis 3.500-7.500, apo edhe deri në 14.000.
Shifra jo të sakta ka edhe për numrin e luftëtarëve çeçene të vrarë. Vlerësime të ndryshme, variojnë nga 3000-17.391 të vdekur dhe të zhdukur. Ndërkohë numri i të vdekurve në rradhët e civilëve është midis 30-100.000 të vrarë, dhe ndoshta mbi 200.000 të plagosur.
Ndërkohë më shumë se 500.000 njerëz u shpërngulën nga shtëpitë e tyre, si pasojë e këtij konflikti.
Në fakt, rezistenca çeçene kundër imperializmit rus e ka origjinën e saj që nga viti 1785, gjatë kohës së Sheikut Mansur, imami i parë i popujve kaukazianë. Ai bashkoi kombet e ndryshme të Kaukazisë të Veriut nën komandën e tij, për t’i rezistuar pushtimeve dhe zgjerimit rus.
Pas rezistencës së gjatë gjatë Luftës së Kaukazit të viteve 1817-1864, forcat perandorake ruse arritën të mposhtin çeçenët, duke aneksuar tokat e tyre në vitet 1870. Përpjekjet e mëvonshme të çeçenëve për të fituar pavarësinë pas rënies së Perandorisë Ruse në vitin 1917 dështuan.
Në vitin 1922, Çeçenia u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik, ndërsa 14 vjet më vonë, udhëheqësi sovjetik Josif Stalin themeloi Republikën Socialiste Sovjetike Autonome të Çeçeni-Ingushetisë.
Në vitin 1944, me urdhër të shefit të KBG-së Lavrenti Beria, më shumë se gjysmë milionë çeçenë, u pastruan etnikisht dhe u internuan në Siberi dhe në Azinë Qendrore. Arsyetimi zyrtar ishte ndëshkimi i tyre për bashkëpunimin me forcat pushtuese gjermane, edhe pse dhjetëra mijëra çeçenë u rreshtuan përkrah Bashkimin Sovjetik dhe luftuan kundër nazistëve.
Madje 50 çeçenë morën medaljen më të lartë ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Ishte Nikita Hrushovi, ai që i lejoi çeçenët e dëbuar të rikthehen në atdheun e tyre, duke rivendosur republikën e tyre në vitin 1957.
Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në dhjetorin e vitit 1991, Rusia humbi një sasi të madhe të territorit dhe fuqisë së saj ushtarake dhe ekonomike. Në pranverën e vitit 1994, presidenti Jelcin nënshkroi një marrëveshje të veçantë politike me presidentin e Tatarstanit, Mintimer Shaejmiev. Dhe Çeçenia mbeti i vetmi rajon federal, që mbeti jashtë traktatit, i cili garantoi më shumë autonomi.
Gjithsesi një vit më parë, Grozni kishte shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Moska mobilizoi elementët pro-rusë, që ndërmorën një tentativë për grusht shteti në dhjetor 1993. Pasi dështoi, opozita u organizua në Këshillin e Përkohshëm të Republikës Çeçene, duke i bërë thirrje Moskës për ndihmë.
Në gushtin e viti 1994, koalicioni i fraksioneve opozitare me qendër në veri të Çeçenisë, nisi një fushatë të gjerë të armatosur për të rrëzuar qeverinë e Xhokar Dudajevit. Moska i furnizoi me armë, para dhe mercenarë forcat separatiste. Ajo gjithashtu pezulloi të gjitha fluturimet civile për në Grozni, ndërsa aviacioni dhe trupat kufitare ngritën një bllokadë ushtarake ndaj republikës rebele.
Forcat pro-ruse dhe ushtria ruse nisën të sulm të fshehtë por të keq-organizuar në Grozni në mesin e tetorit 1994, i pasuar nga një sulm i dytë më i madh më 26-27 nëntor. Të dyja operacionet ishin të pasuksesshme. Besnikët e Dudajev, arritën të kapnin rob rreth 20 ushtarë rusë dhe rreth 50 mercenarë, që ishin punësuan në mënyrë klandestine nga shërbimi sekret rus.
Më 29 nëntor, presidenti Boris Jelcin lëshoi një ultimatum ndaj çeçenëve që të çarmatoseshin dhe të dorëzoheshin. Kur qeveria në Grozni nuk pranoi, ai e urdhëroi ushtrinë ruse të “rivendoste me forcë rendin kushtetues”.
Nga 1 dhjetori, forcat ruse ndërmorën bombardime të rënda ajrore mbi Çeçeni. Më 11 dhjetor 1994, forcat tokësore ruse hynë në krahinë. Ministri rus i Mbrojtjes, ishte mburrur se do ta rrëzonte Dudajevin brenda 2 orësh, por nuk rezultoi kështu. Grozni u sulmua nga 3 drejtime. Sulmi u ndalua përkohësisht nga zv/komandanti i Forcave Tokësore Ruse, gjeneral Eduard Vorobjov, që dha më pas dha dorëheqjen në shenjë protestë, duke deklaruar se është “një krim të dërgosh ushtrinë kundër popullit tend”.
Shumë zyrtarë në ushtrinë dhe qeverinë ruse, e kundërshtuan gjithashtu atë luftë. Edhe zv/ministri i Mbrojtjes, gjenerali Boris Gromov dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj pushtimit. “Do të kemi një kasaphanë tjetër si në Afganistan!”- deklaroi Gromov për mediat.
Dhe ai e dinte shumë mirë këtë, pasi ishte vetë drejtues i luftës që sovjetikët zhvilluan në Afganistan. Më shumë se 800 ushtarë profesionistë dhe oficerë, nuk pranuan të marrin pjesë në operacion. Nga këta, 83 u dënuan me burg nga gjykatat ushtarake, dhe pjesa tjetër u shkarkua. Më vonë edhe gjenerali Lev Roklin, refuzoi të marrë medaljen e Heroit të Federatës Ruse, për kontributin e tij në atë luftë.
Mijëra civilë çeçenë, vdiqën në një seri sulmesh ajrore dhe bombardimesh nga artileria, gjatë vetëm një jave në fushatën më të rëndë të bombardimeve në Evropë që nga shkatërrimi i qytetit të Dresdenit në Gjermani. Gjakderdhja në Grozni, tronditi Rusinë dhe botën, duke shkaktuar kritika të ashpra për luftën.
Vëzhguesit ndërkombëtarë, i përshkruan skenat si një “katastrofë e paimagjinueshme”, ndërsa ish-udhëheqësi sovjetik Mikail Gorbaçov e quajti luftën një “aventurë të turpshme e të përgjakshme”. Në mesin e nëntorit 1996, Boris Jelcin dhe Asllan Mashkadov nënshkruan një marrëveshje paqeje, që përcaktonte dëmshpërblime për çeçenët e ishin prekur nga lufta.
Në shkurtin e vitit të ardhshëm, Rusia miratoi gjithashtu një amnisti për ushtarët rusë dhe separatistët çeçenë, të cilët kryen krime në atë luftë. Më 12 maj 1997, Mashkadov shkoi në Moskë, dhe nënshkroi me Jelcin një traktat zyrtar “mbi paqen dhe parimet e marrëdhënieve Rusi-Çeçeni.
Por pak më shumë se dy vjet më vonë, disa nga ish-bashkë-luftëtarët e Mashkadov, të udhëhequr nga komandantët Shamil Basajev dhe Ibn Aal-Khatab, pushtuan krahinën fqinje të Dagestanit, duke shkaktuar nisjen në verën e vitit 1999 të Luftës së Dytë Çeçene.
Këtë herë në krye të vendit ishte Vladimir Putini. Ai e shtypi me më egërsi rebelimin e çeçenëve, dhe e bazoi ndërtimin e karrierës së tij politike, pikërisht tek suksesi në këtë luftë. Pas një lideri të dobët dhe të alkoolizuar si Jelcin, Rusia kishte më në fund njeriun e dorës së forte, që garantonte siguri, rend dhe zhvillim ekonomik./ TIRANA TODAY