Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka marrë në mbrojtje presidentin Ilir Meta, nëse ky i fundit ka shkelur Kushtetutën. Në një intervistë për ABC News, Kryemadhi tha se Venecia duhet të tregojë saktësisht nenin që ka shkelur Presidenti. Ndër të tjera, kryetarja e LSI-së foli edhe për udhëtime të individëve të caktuar apo grupeve të interesit, që sipas saj, kanë shkuar drejt Strasburgut, duke hedhur dyshime mbi Komisionin e Venecias.
“Po ta shikoni në ligjëratë të drejtë, z. Meta ka thënë: “Nëse Komisioni i Venecias më bind që unë kam shkelur Kushtetutën”. Nuk jam këtu për të komentuar Komisionin e Venecias, as për të komentuar Presidentin e Republikës, unë do të dëshiroja që Komisioni i Venecias të më tregonte nenin që ka tejkaluar kompetencën Presidenti i Republikës, dhe të më tregonte dhe nenin, qoftë në Kushtetutë, ose në Kod Zgjedhor, se kush është institucioni që vendos datën e zgjedhjeve. Me kaq do të isha mëse e kënaqur, mjaftojnë këto dy pika. Tashmë po të hyjmë në procesin që Komisioni i Venecias flet për zgjedhjet e 30 qershorit, unë nuk besoj që Parlamenti dhe z. Ruçi kanë drejtuar pyetje për ta pyetur për zgjedhjet e 30 qershorit.
Unë do të dëshiroja që të mos merreshim fare me këtë gjë, sepse po të hyjmë dhe të diskutojmë në të gjithë investigimin të gjithë kësaj situate, do të na dali që lobime të ndryshme, apo edhe fluturime të ndryshme nga Tirana drejt Strasburgut kanë qenë të individëve të caktuar, apo edhe të grupeve të caktuara të interesit. Mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ata që e kanë bërë një iniciativë të tillë, sepse duke krijuar një raport ‘as mish as peshk’, mund të mendojnë që mund të mbajnë një lloj balance”, tha Kryemadhi.