Bota

Kriza brenda CDU rrezikon largimin e parakohshëm të Merkelit


               Publikuar në : 13:03 - 12/02/20 B H

Nga Arne Delfs & Patrick Donahue “Bloomberg”

Angela Merkel ndodhet nën një presion në rritje, teksa shumë figura të njohura në partinë e saj kërkojnë përshpejtimin e procesit të zgjedhjes së një trashëgimtarit të ri, duke rrezikuar kësisoj potencialisht një largim të parakohshëm të kancelares gjermane, në rast se ajo nuk arrin të frenojë përshkallëzimin e krizës brenda CDU-së.

Një ditë pasi pasardhësja e përzgjedhur prej saj, Anegret Kramp-Karrenbauer, njoftoi se nuk do të drejtojë më partinë kryesore qeverisëse, lideri me ndikim i grupit parlamentar të CDU-së dhe një zyrtar i lartë i partisë simotër bavareze CSU, iu bashkuan korit të zërave që kërkojnë një zgjidhje më të shpejtë të kësaj çështjeje.

Por përshpejtimi i këtij procesi, mund ta bëjë të vështirë që Merkeli të përfundojë mandatin e saj të katërt, që është parashikuar të përfundojë në shtatorin e vitit 2021. Ralf Brinkhaus, udhëheqësi i grupit të grupit CDU/CSU, tha të martën se “shumë shpejt” duhet të ketë një vendim se kush duhet të kandidojë për të zëvendësuar Merkelin, teksa sugjeroi se brenda dhjetorit të këtij viti, duhet të thirret kongresi i partisë për të zgjidhur këtë çështje.

“Nëse e harxhojmë treçerekun e këtij viti, duke debatuar mbi atë se kush do të jetë lideri i ri i partisë, kjo nuk do ishte aspak pozitive”, u tha Brinkhaus gazetarëve në Berlin. “Nga ana tjetër, është koha kur ne duhet të marrim vendime në CDU, prandaj kemi nevojë për kohë që të marrim vendimet e duhura”, nënvizoi ai.

Sulmet mbi dështimin e planit për caktimin e pasardhësit – që parashikon një kandidat të zgjedhur nga vera e këtij viti, dhe që do të miratohet në kongresin e dhjetorit – shtron pyetjen nëse Merkel mund të qëndrojë deri atëherë në postin e kancelares.

Cilido që do të zgjidhet në krye të CDU-së, mund të vendosë të provojë largimin e Merkelit para fundit të mandatit të saj, ose të shkaktojë zgjedhje të parakohshme. Ndërsa AKK, siç njihet ndryshe Kramp-Karrenbauer, shpalli procedurat që duhen ndjekur dhe kohën e tyre, Merkel i pranoi ato, duke u zotuar të përfshijë veten ngushtësisht në këtë proces.

“Partitë duhet të udhëhiqen, ndaj afatet kohore që u parashtruan dje nuk kanë sipas mendimit tim asnjë mundësi që të zbatohen”, u tha gazetarëve kryetari i grupit parlamentar të CSU në Berlin, Aleksandër Dobrind. “Ne kemi nevojë që vendimet të merren pikërisht tani për të qartësuar situatën”, shton ai.

Por Brinkhaus dhe Dobrindt, nuk ishin të vetëm në kritikat e tyre. Kreu i CSU, Markus Soder dhe kryeministri i CDU-së në landin e Heses, Volker Bufier, dëshiron gjithashtu që procesi i radhës të përshpejtohet. Për Merkelin, e tërë trashëgimia e saj varet do të varet nga ai që do të marrë drejtimin e partisë.

Ndërsa AKK, e quajtur mini-Merkel nga media gjermane, mposhti Friedrih Merc-sfidant nga një fraksion më konservator brenda CDU-në një garë të ngushtë në dhjetorin e vitit 2018, ai është sërish pretendent, dhe ka një histori të gjatë përplasjesh të ashpra me Merkelin.

Gara e re për zëvendësin e Merkelit, do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të CDU në një periudhë trazirash globale, nga mosmarrëveshjet tregtare, tek kriza mjedisore, dhe roli i Bashkimit Evropian pas Brexit.

Gjermania, bashkë me Francën, janë ato që diktojnë tonin në BE, dhe një lider më konservator i partisë kryesore qeverisëse në Gjermani, do të ndryshojë në mënyrë të pashmangshme dinamikën e fuqisë. Merkel, që ishte në kulmin e pushtetit të saj gjatë krizës greke, ka parë zvogëlimin e staturës së saj politike në skenën politike gjermane, sidomos që nga kriza e refugjatëve e vitit 2015, që solli edhe rritjen e frikshme të ekstremit të djathtë.

Në fakt, rimarrja e votave të humbura që kanë shkuar për Alternativën për Gjermaninë, do të jetë një nga sfidat kryesore për cilindo që do ta pasojë në detyrë. Deri tani, pretendentët e mundshëm janë treguar të përmbajtur, dhe askush nuk ka bërë thirrje për prishjen e koalicionit, dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja.

Analistët mendojnë se për sa kohë që Merkeli do të mbikëqyrë procesin e radhës të trashëgimtarit, një kandidat më centrist mund të ishte më i avantazhuar. AKK nuk ishte në gjendje të vendoste autoritetin e saj mbi CDU-në që nga koha kur mori drejtimin e saj në dhjetorin e vitit 2018. Ajo u poshtërua javën e kaluar, kur një degë e partisë në Gjermaninë Lindore kundërshtoi urdhrat e saj, dhe hyri në një koalicion me AFD gjatë zgjedhjeve lokale./TIRANA TODAY


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT