Sekuestrohet pasuria e ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Me urdhër të prokurorisë së krimeve të rënda janë sekuestruar një sipërfaqe prej 300 mijë m2 tokë në bregdet dhe disa apartamente në plazhin e Shëngjinit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur sekuestrojë ndaj një ish-deputeti të njohur socialist. Vlera e pronave të sekuestruara kap 40 milionë euro.
Organi i hetimit bën me dije se pronat i janë sekuestruar ish-deputetit socialist, Arben Ndoka. Sekuestrimet janë pjesë e hetimeve të nisura në vitin 2016 për dosjen “339”, ku u sekuestruan fillimisht 300 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës, në vendin e quajtur Mali i Rrenzit në Shëngjin.
Po kështu bëhet e ditur se Ndokës i janë sekuestruar toka edhe në zonën Rana e Hedhun, Laguna e Lezhës, si edhe disa apartamente në plazh.
Sipas prokurorisë e gjithë kjo sipërfaqe toke në bregdet është përfituar duke faklsifikuar dokumentet në mënyrë të jashtëligjshme.
Aktualisht Arben Ndoka ndodhet në arrest shtëpie, teksa u arrestua disa muaj më parë në kuadër të operacionit “Volvo 4’, ku u goditën 4 grupe kriminale, midis të cilëve edhe fisi Avdylaj në Shijak, si dhe ish drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko.