Nga: Eduard Zaloshnja
Gjatë një pandemie, epidemiologjistët bëjnë krahasime mes vendeve të ndryshme, për të evidentuar ecurinë e përhapjes dhe të pasojave, krahasuar me vende të tjera.
Për të krahasur përhapjen e sëmundjes, krahasohet numri i rasteve të konfirmuara për milion banorë për një periudhë të barabartë kohore (numër ditësh). Por ky krahasim ka vlerë vetëm në qoftë se vendet që krahasohen përdorin të njëjtën strategji konfirmimi të rasteve. (Emëruesi i thyesës – numri i banorëve të vendeve të ndryshme – është pak a shumë i njohur saktë botërisht.) Në rastin e pandemisë aktuale COVID-19, vende të ndryshme të botës kanë përdorur strategji të ndryshme të konfirmimit të rasteve pozitive (madje disa e kanë ndryshuar atë gjatë ecurisë së pandemisë). Kjo gjë është e vërtetë edhe për Ballkanin.
Për të krahasuar pasojat e sëmundjes, krahasohet numri i vdekjeve për milion banorë për një periudhë të barabartë kohore (numër ditësh). Në rastin e epidemive, standardi ndërkombëtar i raportimit kërkon që, si shkak parësor i vdekjes, të regjistrohet sëmundja virale, pavarsisht se pacientët mund të kenë patur edhe sëmundje të tjera paraekzistuese. Për këtë arsye, shifrat e vdekjeve për milion banorë janë aktualisht shifrat relativisht më të krahasueshme me vende të tjera, ngaqë numri i të gjallëve të infektuar luhatet në vartësi të strategjisë së testimit të secilit vend.
Në Ballkan, deri më sot rekordin e vdekjeve nga COVID-19 (për milion banorë) e mban Slovenia me 19, e ndjekur nga Maqedonia, Rumania e Bosnja me 12. Shqipëria është e gjashta në Ballkan me 7.6 vekje për milion banorë.
Për të krahasuar aftësinë kapëse epidemiologjike të sitemit shëndetësor, krahasohet numri i të sëmurëve jo-rëndë për çdo pacient të trajtuar në reanimacion. Me fjalë të tjera, ky krahasim na tregon se sa raste infeksioni jo të rëndë (me simptoma të mesme e të lehta, apo pa simptoma) arrin të kapë trupa epidemiologjike, për çdo pacient që përfundon në reanimacion.
Aktualisht, për çdo pacient që është sot në reanimacion me COVID-19, sistemi ynë i testimit ka kapur edhe 22 raste aktive të tjera (që janë aktualisht në gjendje jo të rëndë).
Aftësinë kapëse më të lartë të trupës epidemiologjike në Ballkan e ka aktualisht Bosnja me 162 raste aktive në gjendje jo të rëndë, për çdo pacient në në reanimacion. Ndërsa aftësinë kapëse më të ulët të testimit në Ballkan e ka aktualisht Greqia, me 16 raste aktive në gjendje jo të rëndë, për çdo pacient në në reanimacion.
Shënim: Statistikat e hospitalizmit aktual, të pranimeve të reja dhe të daljeve nga spitalet i shërbejnë secilit vend për të krahasuar kapacitetet me nevojat.
Krahasimet e këtyre statistikave mes vendeve të ndryshme nuk janë shumë domethënëse, ngaqë kapacitetet hospitalore (e për rrjedhojë politikat e pranimit dhe nxjerrjes nga spitalet) janë të ndryshme.