Kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tërshnjaku, bën me dije se gjatë javës së fundit janë kryer mbi 2,000 kontrolle në të gjithë territorin e vendit.
Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Tërshnjaku tha se gjatë kësaj kohe janë vënë 923 gjoba. Gjithashtu, ai njofton se i është dorëzuar certifikata e izolimit të detyrueshëm 756 personave.
Sipas tij, inspektorët të mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, janë në patrullime çdo ditë nga ora 05:00 deri në mesnatë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, thotë se është e qartë se çdo ditë po regjistrohet një numër i lartë i të infektuarve, dhe këtë situatë ai e ndërlidh me faktin e mosrespektimit të masave nga ana e të rinjve.
“Ekipet e inspektimit dhe policisë kanë shqiptuar një numër të madh gjobash për qytetarët ditët e fundit për mosrespektimin e masave. Të gjithë jemi përgjegjës për situatën epidemiologjike në vend, institucionet, bizneset dhe vetë qytetarët ”, tha Hoti për REL.