Nga Bradley A.Thayer & Lianchao Han “The Hill”
Pandemia e Kinës e shkaktuar nga përhapja e shpejtë e koronavirusit të ri vdekjeprurës (2019-nCoV), dhe reagimi i dështuar i regjimit kinez për të kontrolluar atë, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm mbi ekonominë e Kinës, por edhe atë botërore.
Edhe pse është e vështirë të përcaktohet sasia e ndikimit ekonomik, për shkak të mungesës së të dhënave, duke pasur parasysh shtrirjen dhe madhësinë e pandemisë brenda Kinës, dhe përhapjen së saj jashtë kufijve të vendit, analistët mund të arrijnë në përfundimin, se ajo do të sjellë një katastrofë globale me efekte të rënda ekonomike.
Që nga 11 shkurt, rastet e raportuara janë rritur në 43.104, dhe numri i vdekjeve i ka tejkaluar 1.000 persona, duke tejkaluar kështu dëmet e epidemisë së SARS-it në vitin 2003, kur të paktën 8.096 njerëz u infektuan, dhe 774 prej tyre vdiqën. Por shifrat reale, ka të ngjarë të jenë shumë më të mëdha nga sa raportohet.
Shumë viktima u dogjën në krematorioume menjëherë pasi ndërruan jetë. Dhe kontrolli i informacionit nga qeveria kineze në lidhje me epideminë, ka përfshirë manipulimin e opinionit publik mbi situatën. Për të frenuar disi pandeminë, regjimi kinez mbylli epiqendrën e shpërthimit, duke vendosur nën karantinë shumë qytete.
Që nga data 10 shkurt, Kina ka izoluar 3 provinca (Hubei, Liaoning dhe Jiangxi), 4 bashkitë e administruara nga qendra (Pekin, Shangai, Tianxhin dhe Çongqing), dhe më shumë se 80 qytete të tjera të mëdha. Pasoja ka qenë një ndërprerje e fortë e jetës së përditshme të qindra miliona njerëzve, por edhe të prodhimit ekonomik.
Në provincat e izoluara, ku banojnë më shumë se 140 milionë njerëz, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i tejkalon 10.6 trilionë juanë (1.5 trilion dollarë dollarë). Në 4 bashkitë e tjera ndodhen afro 100 milionë banorë, dhe PBB-ja është zakonisht mbi 12 trilion juanë (1.7 trilionë dollarë dollarë).
Ndër 10 qytetet që kanë një rritje më të madhe ekonomike, të gjithë përveç njërit janë aktualisht në karantinë. Duke i shtuar këtij bilanci dhe qytete të tjera të izoluara, pandemia ka futur në kaos zonat që japin të paktën gjysmën e PBB-së së Kinës. Në realitet, zonat e prekura janë shumë të gjera, dhe ndikimi tek njerëzit është shumë më i madh.
Një bllokim kaq drastik, ka shkaktuar shqetësim tek shumë biznese në të gjithë sektorët e ekonomisë kineze. Situata është veçanërisht shkatërruese për ndërmarrjet private, të vogla dhe të mesme në sektorin e shërbimeve, apo ato që mbështeten tek qarkullimi i parave të thata.
Gjatë festimit të Vitit të Ri Kinez, karantina bëri që 3 sektorë – turizmi, kinematë dhe restorantet – të humbnin të paktën 1 trilion juanë (143 miliardë dollarë) të ardhura. Sa për krahasim, në ditën e Vitit të Ri Kinez në vitin 2019, të ardhurat ishin 58.591 miliardë juanë (215 milion dollarë dollarë), këtë viti ishin vetëm 1.8 milion juanë (rreth 258.000 dollarë amerikanë).
Edhe të ardhurat nga turizmi vitin e kaluar gjatë Vitit të Ri kinez, ishin 513.9 miliardë juanë (73.7 miliardë dollarë), ndërsa këtë vit gati të gjitha pikat më të frekuentuara janë të mbyllura.
Ndikimi ekonomik mbi bujqësinë kineze është shkatërrimtar. Për shkak të karantinës, rrugët kryesore të transportit janë bllokuar. Bizneset nuk mund të dërgojnë dot prodhimet në qytete, ku çmimi i perimeve dhe frutave është në rritje, dhe shumë fshatra gjithashtu janë izoluar.
Për më tepër, fermerët thuhet se nuk lejohen që të punojnë në arë, duke shkaktuar kalbjen e prodhimeve dhe humbje të mëdha për bujqësinë. Sezoni i lërimit dhe i mbjelljeve të pranverës duhej të kishte nisur, por për shkak të pandemisë, puna është vonuar. Dhe kjo do të sjellë një mungesë të madhe të grurit.
Eksportet dhe importet e Kinës, janë tashmë të ndikuara negativisht nga lufta tregtare Kinë-SHBA, ndërsa pandemia ka thelluar më tej plagët. Qendrat e mëdha të eksporteve si Shanghai, Shenzheni, Pekin dhe Guangzhou, kanë ndërprerë funksionimin normal, dhe ndaluar prodhimin.
Vonesa e mëtejshme, vetëm sa do të rrisë kostot. Për shkak se Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka shpallur Kinën një emergjencë për shëndetin global, gjithnjë e më pak vende duan që të blejnë nga Kina, pasi kanë frikë nga transmetimi i mundshëm i koronavirusit.
Në këto kushte shumë kompani kineze mund të mos kenë zgjidhje tjetër, përveçse të shpallin falimentimin ose të pushojnë punëtorët nga puna. Shumë marka ndërkombëtare si Burberry, Estee Lauder dhe Apple, po mbyllin dyqanet në Kinë.
Ndonëse qeveria kineze injektoi 1.7 trilion juanë (243 miliardë dollarë dollarë) për të stimuluar tregun financiar të Kinës, ai po vazhdon të bjerë. Jo vetëm bizneset e vogla, por edhe kompanitë e mëdha mezi po përpiqen të mbijetojnë.
Një studim i fundit i kryer nga Instituti Evergrande në Universiteti Tsinghua, zbuloi se midis 995 kompanive, shumë nuk janë në gjendje të rifillojnë prodhimin normal. Sondazhi arriti në përfundimin se rreth 85 përqind e kompanive, mund të mbijetojnë vetëm për 3 muaj.
Kjo gjë do të shkaktojë pushime masive nga puna. Vala e papunësisë, do të arrijë potencialisht në dhjetëra miliona njerëz. Për krahasim, kostot ekonomike nga pandemia e SARS-it të vitin 2003 ishin 40 miliardë dollarë, por kostot këtë herë mund të jenë shumë më të mëdha, duke shkaktuar pasoja politike, ekonomike, diplomatike dhe sociale.
Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Kineze (PKK), mbajti kohët e fundit 2 takime brenda 10 ditësh, një dukuri kjo e rrallë, për të gjetur strategjinë që duhet të ndjekë Kina për rifillimin e prodhimit, ndërsa është duke u përballur me pandeminë. Ai duket se nuk ka një përgjigje, pasi shumë qendra ekonomike janë mbyllur.
Për PKK-në, lufta kundër kësaj pandemie është politike, dhe siguria e regjimit mbështetet në fitimin e kësaj lufte. Ne presim që Kina të kërkojë një shtyrje të zbatimit të fazës së saj të pare, të marrëveshjes së saj të re tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Por presidenti Donald Trump, nuk duhet që ta lërë Kinën në buzë të humnerës. Një treg i hapur ndaj Kinës, do të ndihmojë si biznesin privat kinez ashtu edhe atë amerikan, dhe do të zvogëlojë monopolin e ndërmarrjeve shtetërore. Kostot ekonomike nga pandemia, janë rënduar shumë nga keqqeverisja e PKK.
TIRANA TODAY