Mbi 3 mijë e 700 është numri i personave të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ndërsa 67 kanë vdekur.
ShBA vazhdon përpjekjet për të penguar përhapjen e epidemisë që ka arritur në 49 nga të 50 shtetet. Masat kanë çuar në mbylljen e shkollave e lokaleve si dhe anulimin e aktiviteteve publike në shumë vende.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe anëtarë tjerë të administratës po përpiqen të zbutin panikun, pasi raftet e dyqaneve në mbarë vendin po boshatisen nga frika e izolimit.
“Nuk keni pse bleni kaq shumë gjëra. Merreni me qetësi”, tha presidenti të dielën në një konferencë.
“Nuk kemi mungesë në furnizim, vetëm se njerëzit po blejnë tri deri në pesë herë më shumë sesa zakonisht”, tha ai.
Zoti Trump foli në konferencë me anëtarë të task forcës kundër koronavirusit por nuk pranoi pyetje.
Koronavirusi tha ai, “është diçka që e kemi nën kontroll”, përpara se nënpresidenti Mike Pence, drejtues i Task Forcës, të fliste një orë.
Disa zyrtarë u shprehën të kujdesshëm rreth rrugës që i pret ShBA.
“Më e keqja ende është para nesh” tha drejtuesi i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Dr. Anthony Fauci, ndërsa sekretari i shëndetit Alex Azar, paralajmëroi mundësinë që pandemia të mbingarkojë sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor.
Komentet bëhen ndërsa më shumë shtete po urdhërojnë masa që ndalojnë grumbullimet publike.
Guvernatori Gavin Newsom urdhëroi mbylljen e të gjithave bareve në shtetin më të populluar të ShBA, Kaliforni.
Ai gjithashtu deklaroi se personat 65 e më shumë vjeçarë duhet të qëndrojnë në izolim në shtëpi, pasi janë të rrezikuar nga COVID-19.
Vendimi i guvernatorit të shtetit të Ohajos, Mike DeWine, ndalon qytetarët të hanë brenda restoranteve. Mundësia e vetme është të marrin ushqimin me vete ose të porosisin nga shtëpia.
Masa të njëjta janë ndërmarrë edhe në Nju Jork dhe Los Anxhelos, dy qytetet më të mëdha në vend. Kjo pas rregullave të reja të prezantuara nga kryetarët e bashkive të dy qyteteve që të mbyllen të gjitha vendet e argëtimit si kinematë.
“Po marrim një seri veprimesh në kuadër të përpekje për të shpëtuar jetët e më të dashurve tanë dhe fqinjëve”, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio.
Rekomandimet e Qendrës Kombëtare për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve sugjerojnë ndalimin e grumbullimeve të më shumë se 50 njerëzve gjatë 8 javëve të ardhshme. /Voa