Në mbledhjen e sotme online të Komitetit Teknik të Ekspertëve, në lidhje me situatën nga koronavirusi u diskutua edhe për faktin se kur është evidentuar rasti i parë në Shqipëri.
Prej disa ditësh ka qarkulluar në media lajmi se koronavirusi në Shqipëri mund të ketë qenë prezent që nga muaji janar.
Por mjeku Tritan Kalo, shefja e Infektivit Najada Çamo dhe Andi Koraqi të cilët ishin prezentë në këtë mbledhje, ritheksuan se rasti i parë me COVID-19 në Shqipëri ishte ai i datës 8 mars.
“Në opinionin tim dhe nga rezultate që kam parë, nuk mendoj se kemi pasur raste që nga janari apo nga përpara. Them se COVID, sëmundja ka ardhur nga fqinji jonë, Italia. Dhe më pas erdhi tek neve. Edhe nga rezultatet që shoh, nuk është se është pjesë e lartë e popullsisë që ka kaluar”, tha Koraqi.
Të njëjtën tezë mbrojti edhe Tritan Kalo.
“I kam shprehur mendimet e mia. Pasi të arrish në një përfundim për fillimin e një epidemie duhet të plotësohen disa faktorë. Së pari është fakto epidemiologjik, se kur ke izoluar rastin e parë, Së dy; faktori seriologjik. Nëse një përqindje e caktuar e popullatës, e kalon pragun 15-20 %, duhet kombinuar me klinikën e të sëmurëve që janë paraqitur në shërbim, apo dhe shtimi i vdekjeve me infeksione respiratorë, që për mua nuk më rezulton i lartë në këto kohë. Një element tjetër është dhe ai radiologjik apo imazherik. Ato merren si sinjifikative për COVID-19”, pohoi ai.
Ndërkohë, doktoreshë Najada Çomo tha se në muajin janar ka një fluks të shtuar të pacientëve për shkak të gripit.
“Në muajin janar kemi një fluks të shtuar të pacientëve për shkak të gripit. Ka një problem, që në fund të muajit janar ne kemi kërkuar për rastin e parë, pasi kishim lidhje me Kinën. Vëmendja jonë që në fund të muajit dhjetor, ka qenë në gatishmëri, pasi kërkonim raste. Ne nuk kishim raste të shtuara për të identifikuar. Nuk mund të kishim raste të shumta kur masat ishin të pakta, dhe tani që masat i kemi të shumta, te kemi raste të pakta. A ka pasur pneumoni intensticiale? Padyshim po. Ajo ka shumë faktor. I përgjigjem zyrtarisht kësaj pyetje se në Shërbimin Infektiv nuk mund të ketë pasur kurrsesi persona të infektuar nga COVID-19 me parë”, tha ajo.