Koronavirusi ka shënuar sot viktimën e tij të parë në Maqedoninë e Veriut.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Gjatë një konference për shtyp, Filipçe sqaroi se bëhej fjalë për një grua 57-vjeçare nga Kumanova.
Ai theksoi se gruaja ka rezultuar pozitive me koronavirus pasi kishte ndërruar jetë.
“Kemi rastin e parë të vdekjes nga koronavirusi. Është diagnostikuar pas vdekjes mbrëmë vonë në Kumanovë. Bëhet fjalë për grua të moshës 57 vjeçe. Sa i përket pranimit dhe tretmanit, dua të them që kolegët kanë vepruar në bazë të protokollit. Me kohë janë bërë dy teste, që të dy testet kanë treguar rezultat negativ, ajo është trajtuar në izolim. Periudha e izolimit ka ndodhur javën e kaluar. Është marrë bris edhe pasi është konstatuar vdekja dhe ka rezultuar pozitiv”, deklaroi ai.
Ndërkohë ministri bëri me dije se në Klinikën Infektive po kurohet edhe djali 33-vjeçar i viktimës.
“Është hospitalizuar edhe djali i viktimës dy tre ditë pas saj, gjatë javës së kaluar. Ai është 33 vjeç, ndërsa gjatë ditës së djeshme ka pasur komplikime dhe është izoluar në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa më pas sipas protokollit është transportuar në Klinikën Infektive”, theksoi ai.
Numri total i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 114, teksa 29 raste u verifikuan vetëm sot.