Koronavirusi po merr gjithnjë e më shumë përmasa edhe më të frikshme, teksa deri më tani ka shënuar 13,697 vdekje në të gjithë botën.
Evropa është kthyer tashmë në epiqendrën e re të koronavirusit, duke shënuar edhe numrin më të madh të viktimave brenda 24 orëve.
Italia deri më tani mban rekordin për numrin më të madh të viktimave të shënuara nga koronavirusi, me rreth 5 mijë të tilla.
Pas Italisë, shifrat më të frikshme vijnë nga Spanja e cila brenda këtyre 24 orëve ka shënuar 372 viktima, duke e rritur me 27% numrin e vdekjeve nga koronavirusi në vend.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Spanjë ka shkuar në 1,753. Kështu Spanja renditet e treta në rang global (pas Italisë dhe Kinës) për numrin më të madh të vdekjeve të shkaktuara nga ky virus. Spanja lë kështu pas Iranin, i cili deri më tani numëron 1,685 viktima.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Iran janë shënuar 129 viktima. Rekordin për numrin më të madh të viktimave të shënuara brenda 24 orëve nga koronavirusi e mban Italia, e cila mbrëmjen e djeshme raportoi 793 viktima.