Pas një ndërprerjeje disa mujore, ditën e nesërme do të mblidhet Komisioni që heton Presidentin Ilir Meta për shkelje të Kushtetutës.
Komisioni hetimor ka afat deri më datën 31 të këtij muaji për të dhënë vendimin për Kreun e Shtetit, që u vu nën hetim nga mazhoranca fillimisht për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Çfarë pritet që të diskutohet nesër?
Raportohet se mbledhja do të përqendrohet tek Opinioni i Komisionit të Venecias mbi emërimet e vitit të shkuar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që vazhdon të jetë jo funksionale, shkruan “abcnews”.
Kujtojmë se ky opinion, që e kërkoi institucioni i Kuvendit, i ka dhënë të drejtë Presidentit Meta në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe pezullimin e betimit të Arta Vorpsit dhe zgjedhjen e Marisa Xhaferllarit, edhe pse nuk kishte renditjen më të mirë nga KED.
Në këto kushte, të një vlerësimi të tillë nga Komisioni i Venecias, mbetet të shikohet vendimi i mazhorancës, që në fakt ka dhënë sinjale tërheqjeje nga qëllimi i saj për të nxjerrë Metën nga Presidenca përpara datës 24 korrik 2022.
“Shkarkimi i Presidentit nuk ka qenë qëllim në vetvete”, deklaroi Balla më herët.