E ndërsa vijojnë hetimet pas kapjes se 613 kg kokaine në Durrës, fshehur në kontenierin e bananeve ardhur nga Kolumbia, nuk kaloi pa debat një lloj “përplasjeje” me Ramës me ministrin e Brendshëm, Xhafaj, lidhur me autorësinë e aksionit te madh.
Kujtojmë se fill pas aksionit, ishte kryeministri qe deklaroi se “fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet evropiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot”.
Por, në një intervistë të publikuar dje ne median gjermane, “Die Welt”, Rama, teksa ka vlerësuar arritjen e qeverisë në luftën me kanabisin dhe aksioni për kapjen e kokainës rekord u bë në bashkëpunim me italianet.
“Dy javë më parë, sekuestruam 600 kilogramë kokainë në bashkëpunim me autoritetet italiane. Cili ishte reagimi? Nëse sekuestrohen 600 kilogramë, atëherë duhet të ketë shumë më shumë se aq.”Shikoni numrat që vijnë nga Roterdami apo Hamburgu dhe porte të tjera. Nëse diçka sekuestrohet këtu, nuk do të thotë që ne jemi qendra. Për çdo trafikant droge shqiptar të arrestuar, ne gjejmë qindra numra me kode ndërkombëtare në telefonat e tyre”- ka thënë Rama në intervistë.
Intervista e plotë e Rams e botuar në “Die Welt”:
Shqipëria dëshiron që të nisë sa më shpejt negociatat për anëtarësimin në BE dhe për këtë ka varur të gjitha shpresat tek Kryeministri i saj, Edi Rama. Ai kritikon procesin e anëtarësimit si ‘‘të padrejtë“ dhe thekson progresin e vendit të tij, përfshi luftën kundër drogës.
Në paradhomën e zyrës së tij, mbi kornizën e derës qëndron i varur një kosh basketbolli në lartësinë standarde. Një tregues i qartë i së shkuarës së Ramës. Kryeministri i Shqipërisë ishte një basketbollist i suksesshëm në rininë e tij, aq sa arriti të luajë deri në kombëtare.
Në zyrë, letra e murit dëshmon talentin e dytë të Ramës. Dekori është i stolisur tërësisht nga vizatimet tipike të kreut të qeverisë. Në vitet 90, Rama njohu sukses ndërkombëtar si artist, mbajti ekspozita të shumta dhe mori pjesë, midis të tjerave, edhe në Bienalen prestigjioze të Vjenës. Që prej 2013-s, Rama është kreu i qeverisë shqiptare. Në verën e shkuar, socialistët u rizgjodhën dhe që prej atëherë, 53-vjeçari Rama drejton qeverinë me shumicë absolute. Qëllimi i tij, anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Welt: Zoti Kryeministër. Plani i zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka lejuar fqinjët tuaj, Serbinë dhe Malin e Zi që të nisin ndërkohë bisedimet e anëtarësimit. Shqipëria është ende në dhomën e pritjes. A ju bezdis një fakt i tillë?
Rama: Jo, sepse kemi pasur diferencë në pikënisje. Serbia ishte një vend kandidat përpara nesh, ndaj ishte normale që Serbia të merrte dritën jeshile të hapjes së negociatave më përpara. Ne fituam statusin e vendit kandidat pasi përmbushëm me sukses një listë të gjatë kushtesh. Megjithatë, besoj se sinqerisht, negociatat duhet të kishin nisur deri më tani, pasi kemi përmbushur të gjithë detyrimet tona. Pika më e rëndësishme ishte reforma në sistemin e drejtësisë, zbatimi i të cilës ishte e vështirë. Na u desh të ndryshonim Kushtetutën, e kjo nuk është një gjë e zakonshme. Ne kemi ndryshuar të gjithë arkitekturën e sistemit tonë të drejtësisë. Aktualisht, kemi nisur një sistem verifikimi për të gjithë anëtarët e sistemit të drejtësisë. Askush nuk e ka bërë këtë më parë.
Ndaj, nuk është qesharake që ne kërkojmë hapjen e negociatave, teksa Serbia dhe Mali i Zi tashmë e kanë nisur këtë rrugë. Strategjia e zgjerimit të BE-së u ka dorëzuar atyre një plan veprimi që pak a shumë i kërkon të njëjtën gjë që ne kemi zbatuar tashmë, një reformë në drejtësi, përfshi mekanizmat e vetingut. Të dy këto shtete duhet të realizojnë një proces që ne e kemi realizuar tashmë. E megjithatë, ato janë duke negociuar, ndërsa ne ende jo. Ky është një prej shembujve të shumtë që tregon se procesi i anëtarësimit nuk është edhe aq teknik apo meritokratik sa do të duhej të ishte.
Welt: Ekzistojnë dy metra të ndryshëm nga BE për të matur arritjet tuaja?
Rama: Nuk do ta thoja këtë. Nuk besoj se vende të ndryshme trajtohen qëllimisht më mirë se vende të tjera. Por, progresi i një shteti varet shumë edhe nga reputacioni i atij vendi brenda BE-së. Nuk mjafton vetëm të bësh detyrat e shtëpisë.
Welt: A vuan Shqipëria nga një imazh negativ?
Rama: Mënyra se si përcepton diçka është një vendim. Mund ta shohësh në disa mënyra. Për vende si tonat do të ketë gjithmonë arsye për të thënë, ‘‘po, por?“. Ne as po kërkojmë të anëtarësohemi tani. Duam vetëm nisjen e negociatave.
Welt: Pra, fakti që negociatat nuk kanë nisur ende, lidhet ekskluzivisht me përceptimin negativ të vendit tuaj?
Rama: Do t’iu tregoj një histori të disa muajve më parë, pa përmendur emra të përveçëm njerëzish apo shtetesh. Një i ftuar VIP, nga një vend anëtar erdhi tek ne disa muaj më parë. Një vend që ka disa rezerva ndaj nesh. Ky person mbërriti i shoqëruar me policë, prokurorë dhe një tufë me gazetarë në seksionin VIP të aeroportit e nuk pranonte të largohej nga aeroporti pa një makinë të blinduar. Njerëzit tanë i thanë: ‘‘Na vjen keq, por nuk e ofrojmë këtë shërbim. Si gjithmonë, kemi sjellë për ju një patrullë të armatosur, por jo automjete të blinduara“. Në fund të ditës, nuk jemi as në Bagdad dhe as në Kabul. E megjithatë, iu desh 45 minuta që të bindej. Të nesërmen më tha: ‘‘Të detyrohem një ndjesë, pasi vendi juaj është krejt ndryshe nga sa e kisha imagjinuar. Tirana është një qytet i këndshëm mesdhetar, diplomatët tuaj janë njerëz profesionistë, etj, etj”. Megjithatë, në vendin e tij flitet shumë për ‘‘krimet e shqiptarëve etnikë“. Iu përgjigja: ‘‘Nëse mendon me të vërtetë kështu, të lutem të thuash në shtëpinë tënde se si është Shqipëria reale. Nëse ju keni ‘‘kriminalitet etnik shqiptar” në vendin tuaj, nuk e di se si qeveria ime mund t’iu ndihmojë. Policia jonë është përgjegjëse vetëm për territorin shqiptar“. E këtu në Shqipëri kemi një prej mesatareve më të ulta të vrasjeve në të gjithë Europën. Ne jemi një vend i vogël, kemi problemet tonat, por nuk kemi asgjë të jashtëzakonshme. Mjafton të pyesni turistët që vijnë këtu çdo vit. Asnjërit nuk i preket as edhe një qime floku. Shqipëria është një vend i sigurt.
Welt: Kur prisni që të nisni bisedimet?
Rama: Na thanë, kur të zbatoni reformën në drejtësi. E bëmë këtë, por ende negociatat nuk janë hapur. Më pas na thanë: Zbatoni procedurën e vetingut për zyrtarët e drejtësisë dhe administratës. E bëmë edhe këtë. Aktualisht po zhvillohen dëgjesa publike për të gjithë pozicionet e larta të sistemit të drejtësisë. Pa nisur ende procedura, 17 prokurorë dhanë dorëheqjen, sepse e kuptuan që do të skartoheshin nga vetingu. Ky është një spastrim drastik i sistemit tonë të drejtësisë.
Welt: Shqipëria ka reputacionin e një vendi prodhues të drogës. Një raport i Europolit identifikon Shqipërinë si një prej prodhuesve kryesorë dhe një prej pikave kryesore të tranzitit të kanabisit për në Europë. Shqipëria është gjithashtu një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.
Rama: Është krijuar një flluskë e madhe rreth çështjes së kanabisit. Por, ne kemi pastruar vendin dhe kemi shkatërruar mbi 2 mijë plantacione. Kanabisi ka qenë në këtë vend për më shumë se 25 vjet. E kemi luftuar masivisht. Kuptohet, nuk është një lojë fëmijësh, ndaj ka edhe të papritura, por siç tregon kontrolli ajror i realizuar nga partnerët tanë italianë, vendi është pastruar nga droga!
WELT: Si mund të garantoni që vendi do të mbetet i tillë?
Rama: Nuk ka mundësi që parcelat të rikthehen sepse kemi krijuar një sistem që e parandalon pikërisht këtë. Mundet që diçka të mbetet aty-këtu, por kjo do të jetë kaq e pakët, saqë nuk do të mbetet pothuajse asgjë. Shqipëria nuk është më në hartën e shteteve me kanabis.
WELT: Megjithatë ka çështje sensacionale: Ish-ministri juaj i brendshëm Tahiri po hetohet për të parë nëse ka lidhje me trafikun e drogës, pas hetimeve të nisura në Itali. Ai gjithashtu i shiti makinën një të afërmi dhe ky i fundit e përdori për të trafikuar drogë.
Rama: Së pari, unë nuk besoj se dyshimet ndaj një personi të vetëm mund të pengojnë përpjekjet e një shteti të tërë. Së dyti, është në dorë të drejtësisë të zbulojë të vërtetën përmes hetimeve. Unë nuk mendoj se ky rast do të zgjidhej ndryshe në vende të tjera, nëse një emër shfaqet në një protokoll monitorimi. Ai u përjashtua nga grupi parlamentar dhe iu dorëzua drejtësisë. Çfarë mund të bëhet tjetër? Po, është një ngjarje shqetësuese, por duhen prova. Reagimi ynë ishte i qartë si kristali dhe tani hetimi vazhdon.
WELT: Një çështje tjetër është numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë në BE.
Rama: Po, Franca ka patur një problem me azilkërkuesit shqiptarë. Ishin 7000. Numri është i lartë, aq sa ngjall shqetësim.
WELT: E thoni me ironi?
Rama: Procesi nuk është i drejtë: vitin e kaluar, kishte 50,000 kroatë që lanë vendin e tyre. Por askush nuk i llogarit ata, sepse janë thjesht qytetarë të BE-së. Ata kërkojnë punë jashtë shtetit të tyre dhe kjo konsiderohet normale. Nëse i bëjnë këto njerëzit tanë, ata duhet të aplikojnë për azil, sepse nuk kanë të drejtë të hyjnë në tregun europian të punës. Megjithatë kemi marrë masa frenuese dhe numri ka rënë ndjeshëm. Ne bëjmë çdo gjë që na kërkohet, sepse e dimë se kjo është e vetmja mënyrë për të patur një shtet që funksionon e një demokraci që funksionon siç duhet.
WELT: A e ka favorizuar krijimin e strukturave të krimit të organizuar rruga e vështirë që Shqipëria ka bërë për të shpëtuar nga Stalinizmi në këto 25 vjet të shkuara?
Rama: Ne kishim tranzicionin më të vështirë pasi kishim edhe diktaturën më të ashpër. Mos harroni që ne ishim i vetmi vend i izoluar si nga perëndimi, ashtu edhe nga lindja. E shkuara luan një rol të rëndësishëm dhe ndikon në shpejtësinë e integrimit. Disa ia dolën të ngriheshin mbi të shkuarën, si Polonia apo Çekia. Këto ishin shtete me një traditë kombëtare, me universitete, struktura fetare dhe shoqërore. Ballkani e kishte shumë më të vështirë. Për Shqipërina madje ishte edhe më e vështirë. Në Çekosllovaki, Václav Havel shkruante drama në burg. Këtu jetohej në një vend ku arti i shekullit të 20-të ishte i ndaluar. Revolucioni i Kadifenjtë në Çekosllovaki kishte lëvizje të ngjashme në bllokun e lindjes që mbështeteshin në një alternativë kulturore. Kjo gjë nuk ka ekzistuar këtu, prandaj tranzicioni ishte shumë më i vështirë. Për t‘u kthyer përsëri tek krimi: numrat janë të qartë. Ne kemi zbatuar një reformë tërësore të policisë. Në tre vitet e fundit, kemi shënuar shifrën më të ulët të vrasjeve që nga viti 1991 dhe jemi nën mesataren e BE-së.
WELT: A është ky një tregues që krimi i organizuar është mposhtur?
Rama: Nuk do të shkoja kaq larg. Mund të them se nuk ka krim të organizuar që mund të kontrollojë gjithçka dhe kudo. Sigurisht që ka krim të organizuar edhe në Shqipëri. Megjithatë është vetëm një degë e një rrjeti ndërkombëtar që ekziston edhe në shtete të tjera të BE-së dhe vepron njësoj në Mbretërinë e Bashkuar, Itali apo kudo tjetër. Është e habitshme që njerëzit sillen sikur krimi i organizuar është një fenomen shqiptar. Kjo nuk është e vërtetë.
WELT: Gjithsesi, raporti vjetor i Europolit ishte kritik.
Rama: Nuk mendoj se Shqipëria është qendra e ndonjë gjëje. Sigurisht, kanabisi ishe i tmerrshëm për ca kohë, por ne e zgjidhëm këtë problem. U deshën tre vjet dhe nuk qe e lehtë, por të thuash që të gjithë konsumuesit e kanabisit në Holandë varen nga ne është paksa e rrezikshme. Dy javë më parë, sekuestruam 600 kilogramë kokainë në bashkëpunim me autoritetet italiane. Cili ishte reagimi? “Nëse sekuestrohen 600 kilogramë, atëherë duhet të ketë shumë më shumë se aq.”
Shikoni numrat që vijnë nga Roterdami, apo Hamburgu dhe porte të tjera. Nëse diçka sekuestrohet këtu, nuk do të thotë që ne jemi qendra. Për çdo trafikant droge shqiptar të arrestuar, ne gjejmë qindra numra me kode ndërkombëtare në telefonat e tyre. Është krim i organizuar europian. Shqipëria është pjesë e tij. Është shumë e lehtë të akuzohet Shqipëria. Ndodh gjithmonë kështu. Kur Bullgaria donte të anëtarësohej në BE u quajt shteti që deshi të vriste Papën. Rumunët u akuzuan se depërtuan në Europë me prostituta të mitura. Gjithmonë të vendoset një etiketë e tillë.
WELT: Çfarë mund t’i japi Shqipëria BE-së?
Rama: Mendoj se Kancelarja gjermane e di këtë përgjigje më mirë se kushdo tjetër. Ajo e kupton se sa e rëndësishme është për Europën, jo vetëm Shqipëria, por tërë Ballkani Perëndimor. Ne jemi e kundërta e asaj çka thonë për ne kundërshtarët e zgjerimit: ne jemi një faktor për qëndrueshmëri dhe siguri në Europë. Nuk do të ishte mirë për BE-në të linte Ballkanin si një zonë gri në të cilën palë të treta të mund të përfshihen. Nuk duhet harruar se ne jemi anëtarë të NATO-s. Është paradoksale që nuk jemi në BE. Nuk është pak ajo që u tregua në Mal të Zi, mbi ku mund të çojë ndikimi rus. Një qeveri kundër NATO-s dhe BE-së është ende një mundësi shumë realiste.
WELT: Cili të frikëson më shumë: ndikimi rus, turk apo kinez?
Rama: Gjithësecili mundohet në mënyrën e tij të ndikojë, por qëllimet dhe metodat janë të ndryshme. Nuk frikësohem nga asnjëri, por nuk nuk mendoj se duhet marrë për të mirë qënë besnikëria e rajonit. Sipas të gjitha sondazheve, Shqipëria ka popullin mysliman më pro-europian dhe më pro-amerikan. Kjo sigurisht nuk është ku qëndron problemi. Mbi të gjitha, mos i fyeni njerëzit, por respektojini. Ne bëmë çfarë na është kërkuar, jo sepse na e caktoi Brukseli, Berlini apo Parisi, por sepse duhej ta bënim. Tani lë të nisim bisdimet për të vazhduar rrugën.
WELT: Vizitorët që vijnë në Tiranë më së shumti habiten sepse vijnë në një qytet ku realizohen një numër ambicioz projektesh. Si financohen ato?
Rama: Shumica janë si i ftuari VIP për të cilin fola më parë. Njerëzit mendojnë se po shkojnë në një vend të errët dhe të drejtuar nga krimi i organizuar. Kur arrijnë, kuptojnë se nuk ndihen të pasigurtë këtu. Nuk më kujtohet të jetë sulmuar ndonjë i huaj ndonjëherë. Shkoni në Napoli dhe krahasoni këtë qytet të një shteti G-7 me situatën këtu. Por në rrethe të caktuara, si në skenën arkitekturore, ka dalë fjala se po bëhet shumë këtu. Tirana është një vend ku shumë gjëra po lëvizin. / ATA