Prej javësh po tentohet ti bëhet një “gjyq publik” Dritan Lelit, por ky i fundit ka mundur që ta shmangë. Tre ditë më parë, në funksion të mbledhjes së njoftuar të Këshillit Bashkiak të Vlorës, sekretari i këshillit, Agron Gjipali ka komunikuar me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjipali ka kërkuar një konfirmim mbi ligjshmërinë e realizimit të mbledhjes fizike në sallën e teatrit “Petro Marko”. Në përgjigjen e saj, zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli konfirmoi se mbledhja mund të mbahet fizikisht.
E ndërsa u dha sinjali pozitiv për mbajtjen e mbledhjeve fizikisht, por me masat anti-Covid, kjo gjë nuk ka ndodhur sërish. Edhe sot ka dështuar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës, kjo pasi këshilltarët dhe kryetari Dritan Leli nuk kanë rënë dakord për formën e mbajtjes së mbledhjes.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Leli u bën thirrje këshilltarëve që Vlora të promovohet, dhe jo të sakatohet në një kohë kur sapo ka nisur sezonin turistik. Ai shprehet se turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti, që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale. Ndër të tjera, Dritan Leli thotë se i vjen keq që me këngën e kusureve të tij, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit. Nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e Bashkisë dhe as po mbështet projektin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e zonës përreth sahatit, që ka nevojë për angazhimin e të gjithëve.
Statusi nga Dritan Leli
Pas radhës së gjatë të kërkesave për mbledhje jashtë radhe, në emër të së mirës së qytetit, sot, këshilltarët bashkiak, kanë anuluar mbledhjen e radhës, atë të çdo muaji, ku vërtet mblidhemi për interesat e qytetit e ku përgjatë më shumë se një viti, kemi diskutuar online, siç ishte parashikuar të ndodhte edhe sot!
Më vjen keq që me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë, nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e bashkisë dhe as po mbështet projektin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e zonës përreth sahatit, që ka nevojë për angazhimin e të gjithëve, prandaj edhe do të përfshihej sot me urgjencë, për të mos ecur me ritmin e mbajtjes së radhëve!
Të nderuar këshilltar, e pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar! Të gjithë mund të bëjmë më shumë, mund të bëjmë më mirë, pa shterpëzuar një energji të tërë që mund ta shfrytëzonim në dobi të Vlorës! Po e marrë unë barrën e ndjesës, ndaj të gjithë banorëve të Vlorës që po penalizohen a qoftë edhe vetëm bezdisen, nga radhët tona të ngatërruara që po iu rëndojnë, por e di që deti dhe dielli i Vlorës do ta bëjnë këtë verë të ndritshme, siç kaq gjatë e dëshiruam.