Deputetja Rudina Hajdari është shprehur se qeveria ka përgjysmuar truallin e Teatrit Kombëtar në vitin 2017.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Hajdari tha se trualli i Teatrit në vitin 2000 ka qenë më i madh nga ai çfarë rezulton sot. Ajo thotë se në 17 vite godina e Teatri nuk është mirëmbajtur pothuajse fare.
Deputetja gjithashtu akuzoi kryeministrin se më herët ka dashur që të kalojë në pronësi edhe Teatrin e Kukullave, por është kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Nëse do e shtroni pyetjen nëse këtij vendi i duhet teatër, por nuk është pyetje që bëhet sot për ju. I përçatë artistët se si i përdorët, kur i kanë thënë ata, para 21 vitesh, apo i kanë thënë sot. Ndaj zoti kryeministër çështja është si duhet ti ruajmë ne këto vlera, se këtu ndahet bota civile nga ajo barbare. Se e bëtë në 4 të mëngjesit atë shkatërrim.
Unë nuk dua të bëj prokuroren, por uroj që një ditë të jesh i ulur te banka e të akuzuarit dhe të shtrohen këto gjëra, ka disa argumente juridikë dhe vendime të KM të asaj kohe që i mbani mend, dhe unë ua rikujtoj. Në vitin 2000 për shpalljen ansambël monument kulture, dhe TK përfshihet në këtë zonë. Ishit kryetar bashkie në atë kohë, u munduat ta merrnit truall, por në atë vendim thuhej që këto monumente duhet të ruhen.
A e dini ju nga 2000-2017 nuk u bë asgjë për atë teatër, a nuk u bë kjo në mënyrë të qëllimshme? Si ka mundësi që në 17 vite nuk u vu dorë, ndërkohë që ka qenë i mbrojtur e ligj. Akti tjetër që bëtë sa erdhët në qeveri në 2017, vkm 325 për shpalljen e qendrës historike, qeveria juaj e përgjysmoi këtë qendër historike. Pse e bëtë? Pse e donit atë truall, ja ku e keni.
Në 8.5.2020, i kaluat bashkisë një sipërfaqe trualli dhe 1126 m 2 ndërtesë vetëm ajo e teatrit eksperimental, pasi TK është më shumë se 2200 metër katrorë. I kaluat bashkisë këtë truall me një kartelë të regjistruar vetëm me 1126 m2. Si e keni bërë këtë? Nuk ia transferuat fare godinën e TK bashkisë, por e prishët.
Në vitin 2000 donit të merrnit teatrin e kukullave në pronësi të bashkisë së Tiranës, dhe gjykata kushtetuese e ka kundërshtuar këtë transfertë, pse e ka bërë se ka qenë në kundërshtim të Kushtetutës.
Uroj ta kuptoni që ky obsesion do ju kushtojë rëndë. Ai që do të kontrollojë të tashmen do të kontrollojë të kaluarën dhe ai që do të kontrollojë të shkuarën do të kontrollojë të ardhëm. Keni obsesionin me të kaluarën nuk e di pse e keni, por ata që duan të ruajnë të shkuarën, janë duke menduar për të ardhmen”, tha ajo.