Deputeti Lefter Koka, nuk hezitoi të tregonte raportet e ngushta që ka me PS. Në emisionin “Real Story” në “News 24”, ai tha se lidhjet e tija familjare, shoqërore e sentimentale kanë qenë me këtë forcë politike. “Unë sot nuk përfaqësoj asnjë grupim politik. Sigurisht kam një histori me PS, kam përfaqësuar atë që më 2000 në Këshillin Bashkiak. Kam qenë në garë qoftë si kryetar bashkie, qoftë në zgjedhje parlamentare. Lidhjet e mia familjare, shoqërore e sentimentale kanë qenë me këtë forcë politike. Nuk e kam kuptuar asnjëherë Sali Berishën që më etiketonte, vetëm të sulmonte dhe të fyente”, tha Koka.
Lefter Koka pranoi publikisht se do të jetë një votues i PS, por nuk zbuloi detaje nëse do të pranonte të jetë kandidat për deputet i kësaj force politike. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai shtoi se interesat madhore duhet të dalin mbi interesat personale.
“Ky Komitet Politik është bërë tashmë një lojë, ku disa përfaqësues të huaj që janë pjesë e diskutimit. Kjo gjë kërkon vullnet tashmë. Votues i PS do të jem, por do jem apo jo deputet këtë nuk e di. Mendoj se interesat madhore duhet të dalin mbi interesat personale.
Shumë burra e gra dridhen, sepse nuk e dinë se ku i vendos kryetari. Kjo gjë duhet të ishte një kërkesë e të gjithë deputetëve. Listat e hapura ka shumë të mira. Unë besoj shumë Agron Dukën dhe te njerëzit që ka pranë Goni. Duke e njohur, nuk do të doja të ishte stojcë e partive të mëdha politike. Nuk është mirë që të jesh parti e vogël e të presësh partinë e madhe që të fitojë”, tha Koka.