Nga: Louise Guillot “Politico.eu”
Përpjekja për të promovuar riciklimin e mbetjeve, ka qenë shumë e suksesshme. Ky është argumenti që përdoret shpesh nga disa ambientalistë, pasi ata thonë se ky proces ka krijuar tek konsumatorët perceptimin që nëse seleksionojnë me kujdes gotën, letrën dhe plastikën, ata nuk janë duke e ndotur planetin.
“Mesazhi për riciklimin është aq pozitiv, sa që njerëzit po nxiten të besojnë se mbetjet e riciklueshme nuk janë në fakt mbeturina”, thotë Flora Berlingen, drejtore e organizatës joqeveritare “Zero Waste France”.
Dhe në fakt riciklimi nuk është diçka e keqe në vetvete. Është sigurisht më mirë për mjedisin, sesa depozitimi apo djegia e plehrave të pa klasifikuara.
Por midis ambientalistëve ka një shqetësim në rritje, se riciklimi mund të promovojë një konsum shtesë dhe bashkë me të edhe mbeturina shtesë.
Nëse njerëzit besojnë se mund të blejnë pa problem kapsulat e kafesë, shishet plastike të ujit apo edhe makina të reja, duke pritur që gjithçka do të riciklohet dhe ripërdoret, kjo i lejon ata të konsumojnë me një ndërgjegje të pastër.
“Sot, jemi në një model kapitalist shumë produktivist të mbi-përdorimit dhe mbi-prodhimit”- thotë eurodeputeti francez i të Gjelbërve, David Korman. “Dhe kjo është e papajtueshme me objektivat tona ekologjike dhe me mirëmbajtjen e jetës në Tokë”- shton ai.
Monik Sun dhe Remi Trudel, profesorë në Universitetin e Bostonit, SHBA, kanë studiuar modelet e konsumit dhe reagimet ndaj fushatave të ndërgjegjësimit mbi riciklimin. Ata treguan se “emocionet pozitive që lidhen me riciklimin, mund të mposhtin emocionet negative që lidhen me humbjen”.
Në studimin e tyre, profesorët paralajmëruan se fushatat promovuese të riciklimit, nuk bëjnë një punë të mirë për të treguar kostot ekonomike dhe mjedisore të riciklimit, dhe në këtë mënyrë nuk i nxisin njerëzit të parandalojnë shtimin e mbetjeve që më pas riciklohen.
“Në këtë kuptim, riciklimi bëhet një alibi dhe madje justifikimi i tij kryesor”-thotë Berlingen. Askush nuk argumenton se riciklimi nuk është i mirë për mjedisin.
“Riciklimi emeton më pak karbon dhe gazra të tjerë serë në atmosferë, dhe mbështetet më pak në nxjerrjen e burimeve”- shpjegon Piter van Bekering, profesor i ekonomisë së mjedisit në Universitetin e Lirë të Amsterdamit.
Por ai paralajmëron se “është e rrezikshme të thuash që riciklimi bën gjithmonë më pak dëme mjedisor, sesa materiali i virgjër”, pasi kostot dhe energjia e përdorur në procesin e riciklimit ndryshojnë shumë nga njëri material tek tjetri.
Por ky argument, shmanget nga shumica e sektorit të riciklimit. Ata thonë se njerëzit do të vazhdojnë të prodhojnë mbeturina, prandaj duhet bërë një punë më e mirë për mbledhjen, klasifikimin dhe transformimin sërish të mbeturinave në produkte të reja, diçka që hap vende të reja pune dhe nxit inovacione.
“Unë nuk jam kundër riciklimit për të riparuar dhe ripërdorur”- thotë Emanuel Katrakis, sekretari i përgjithshëm i Konfederatës së Industrive Evropiane të Riciklimit (EuRIC), që shton se riciklimi sjell “përfitime të mëdha ekonomike, pasi kur riciklojmë, ka shumë punë”.
Por kur analizon gjithë procesin, “Deloitte” vlerësoi në një studim të vitit 2015 se duhen 30 punë shtesë për të ricikluar plastikën, krahasuar me djegien e mbetjeve të pa klasifikuara apo depozitimin e tyre në landfillde.
Por ekziston një argument ku theksi vihet në vendin e gabuar. Në vend se ta bëjnë më të lehtë ripërdorimin dhe riciklimin e gjërave, njerëzit duhet të mendojnë nëse duhet të konsumojnë më shumë sesa kanë nevojë apo jo.
Një pjesë e problemit, thotë van Beukering, është se autoritetet e BE dhe ato kombëtare mund të vendosin lehtësisht rregulla mbi klasifikimin, grumbullimin dhe riciklimin e mbetjeve. Por është shumë më e vështirë të vendosësh rregulla për t’i ndaluar njerëzit të blejnë gjëra që realisht nuk u duhen.
“Qeveritë priren të kenë më shumë ndikim tek politikat e riciklimit sesa në parandalimin e mbeturinave”- thotë ai. Gjithsesi, nëse çohet në ekstremin e vet logjik, kjo do të nënkuptojë një riformim dramatik të ekonomive kapitaliste – ndaj kompanitë preferojnë të promovojnë përfitimet e riciklimit.
Me Planin e tij të ri të Veprimit për Ekonominë Rrethore të paraqitur në muajin mars, Komisioni Evropian dëshiron të nxisë më tej riciklimin, dhe po shqyrton vendosjen e kërkesave minimale për përmbajtjen e riciklueshme të produkteve, për të inkurajuar zhvillimin e një tregu për lëndën e parë dytësore.
Për pasojë, miliona evropianëve u kërkohet të shqyrtojnë me kujdes mbeturinat e tyre, dhe t’i hedhin ato në kontejnerët e duhur, ndërsa vendet anëtare janë nën presionin e BE-së për të siguruar që normat e tyre të riciklimit të arrijnë objektiva gjithnjë e më të mëdha.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, nga 30 milion ton mbetje plastike të krijuara në BE në vitin 2015, vetëm 17 për qind u arrit të mblidhej për ripërdorim ose riciklim. Ambientalistët argumentojnë se vënia e theksit tek riciklimi, nuk e bën ekonominë më rrethore, por më lineare.
Berlingen nga “Zero Waste France” thotë:”Ne nuk duhet ta ndalojmë riciklimin, por duhet të kemi një diskutim të sinqertë dhe të ekuilibruar në lidhje me të”.
Sipas saj, kompanitë duhet të bëjnë më shumë për të zvogëluar volumet e mbetjeve, duke shmangur paketimet një-përdorimshe.
Burimi i lajmit: https://www.politico.eu/article/recycling-killing-the-planet/
Përshtatur nga TIRANA TODAY