Iu gjetën 250 mijë euro dhe 16 mln lekë, gjykata liron mjekun Edvin Prifti

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit, (GJKKO) ka liruar mjekun kardiolog të QSUT-së, Edvin Prifti.

Apeli ka shfuqizuar vendimin e mëparshëm atë të arrestit me burg, duke arsyetuar se nuk kishte prova të mjaftueshme që mjeku të qëndrojë në qeli.

Ndërkohë, Apeli ka lënë në fuqi ‘arrestin me burg’ për gjyqtaren Enkelejda Hoxha dhe avokatin Aldo Tabakun, sekretaren e gjykatës Manuela Mallkuçin dhe 7 të pandehurit e tjerë.

Akuzat dhe hetimet ndaj mjekut Prifti

Prifti u la në burg më 13 shkurt, pasi Prokuroria e akuzoi për korrupsion dhe pastrim parash. Ndaj tij ka mbetur në fuqi masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës.

Hetimet ndaj mhekut nisën bazuar në përgjimet e sekretares së Gjykatës së Krujës, të cilat kishin nisur për lirimin e të dënuarve por që kanë zbuluar për Prokurorinë e Posaçme edhe korrupsionin në shëndetësi.

Nga përgjimet, ka rezultuar se sekretarja e Gjykatës, Manuela Mallkuçi, i ka dhënë para kirurgut Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion nënën e saj.

Kontrolli i kryer pasditen e të enjtes, 11 shkurt në banesën e tij zbuluan 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë në zyrën dhe banesën e kardiologut të njohur.