Në kuadër të nismës “Rrugëtimi për Shqipërinë”, lideri demokrat Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me qytetarët e Fierit.
Në fjalën e tij, Basha u shpreh se Fieri dhe çdo qytet tjetër i Shqipërisë po kalon situata të vështira. Ndërsa rrëfeu se herën e fundit që vizitoi këtë qytet, u përball me një pamje trishtuese. Në orët e para të mëngjesit, atëherë kur qyteti duhet të zhurmojë, është i zbrazët.
“Vendi po kalon kohë të vështira dhe kjo nuk e ka kursyer as Fierin, dhe veçanërisht biznesin. Herën e fundit që isha në Fier, kur qyteti duhet të ishte duke gëluar në orët e para të mëngjesit, më bëri përshtypje se qyteti është i zbrazët. Ishte një pamje e trishtuar, dhe ky është realiteti që gjej kudo që shkoj, në Elbasan, Shkodër, Durrës.
Qytete që zbrazen që në orën 5, 6, 7. Maksimumi njerëz të ulur në kafe, por dyqanet bosh, siç janë dhe xhepat e arka e shtetit, nga një ekonomi që duket se nuk ka të ndalur në pikiatën e nisur. Është një pikiatë, një hinkë, që duket sikur nuk ka fund. Vazhdon të rrisë kostot, të largojë njerëz nga puna. Ju të gjithë mund ta përshkruani.
Ka gjetur para për t’i vënë emrin stadiumin, se ku i gjeti ato para, se të kujt janë, hajde merre vesh. Ndryshe nga mazhoranca, që ka në zemër vetëm fasadën, për mua dhe PD do të jetë çlirimi i biznesit, një biznes i fuqizuar, i përtërirë. Qeveria e PD do të jetë qeveri që ju dëgjon dhe ju mbështet. Ne kemi një platformë të qartë për biznesin e vogël për ta çliruar nga taksidarët”, tha Basha.