Vrasja e Eglantina Bucit është e mbuluar plot mister. Detajet deri diku kontradiktore, sjellin plot enigma lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Eglantina Buci e cila u gjet e vrarë dhe e groposur në Malin me Gropa, me 14 shtator 2012, në vendin e quajtur “Mali i Fagut”, në komunën Shëngjergj.
Gazetarja e emisionit “Me Zemër të Hapur”, Evis Ahmeti, lexoi në studion e “News24” disa mesazhe të motrës së Eglantinës, Elona Buci, e cila tregon një anë tjetër të errët të jetës së tyre. Elona fajëson babanë e saj, Faik Bucin, dhe njerkën Lirie Buci, duke pohuar se ishte një lojë e njerkës dhe se babai nuk i donte dy vajzat.
“Shkaku ishte babai, sepse ishte kundër nesh dhe ishte një lojë e njerkës. Ishim si në burg, nuk komunikonim me asnjë. Unë nuk kam pasur komunikim me asnjë që prej 2002”, ka shkruar ajo në sms.
“Unë kam ikur nga 2002. Eglantina është rritur pa mua, unë nuk di gjë as për fejesën, as për ikjen”, ka shkruar ajo në një tjetër sms.
Ndërkohë, në një lidhje telefonike ishte njerka e Elonës dhe Eglantinës, e cila hodhi poshtë pretendimet e Elonës, duke shtuar dyshimet që ajo dhe xhaxhai i saj ta kenë shfrytëzuar Eglantinën.
Dëshmitari okular i ngjarjes ka qenë shoku i ngushtë i Shkëlzen Bucit, i cili ka shërbyer për zbardhjen e plotë të këtij krimi makabër. E gjithë skena është parë nga ai, teksa ka qenë i pranishëm edhe në momentin e krimit. Shkëlzeni ka thirrur motrën e tij për kafe, teksa ishte i shoqëruar në shokun e tij. Në momentin që nuk po shkonin për kafe, por rrugës për te Mali me Gropa, Eglantina e ka kuptuar se diçka nuk po shkonte. Aty Shkëlzeni ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb në nofullën e majtë, duke e lënë të vdekur në vend. E gjithë skena është parë nga shoku, i cili ka ndërhyrë duke i thënë “më vrit dhe mua”, por që Shkëlzeni nuk e ka bërë. Ka qenë dëshmia e këtij, që ka shërbyer si spunto më pas për zbardhjen e këtij krimi, edhe pse 8 vite më pas. Nisur nga kjo, shoku ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur.