Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka ironizuar deklaratat e ndërkombëtarëve të cilët bëjnë vazhdimisht thirrje për dialog në mënyrë që partitë të gjejnë një zgjidhje për të tejkaluar krizën politike në vend.
Përmes një postimi në “Facebook”, Manjani shkruan se nëse dialogu synon “lumturimin” e forcave politike, apo kryetarëve të partive, “u shoftë kjo ide”.
“Nëse dialogu synon “lumturimin” e palëve politike, apo kryetarëve të partive, u shoftë kjo ide! Nuk kemi hiç nevojë për këtë“, shkruan ish-ministri.
Statusi i plotë:
“Duhet dialog politik”- thonë.
Dakort!
Në parim, dialogu është koncept i pakundërshtueshëm.
Pyetja e vërtetë është:
Për çfarë e me ç’objektiv?
Nëse dialogu synon “lumturimin” e palëve politike, apo kryetarëve të partive, u shoftë kjo ide!
Nuk kemi hiç nevojë për këtë.
Shqipërisë i duhet sot vetëm një datë zgjedhjesh politike. Duhet rivendosur pluralizmi politik në Parlament.
Pastaj vijnë të tjerat…
Nëse ky është objektivi i dialogut po, e mirëpresim!