Në një kohë kur burrat lëmonjë thonjtë, ngjyejnë flokët dhe shpallen në revista si ‘sexy’ apo ‘të bukur’, Primo Shllaku është ‘i bukur’ sipas kodeve të së kalurës: njëfarë Clint Eastwood i botës së letrave shqipe.
Po flasim për një bukuri që gjindet te fjala dhe te toni i saj, te ndjeshmëria dhe forca e saj nordike, por edhe për atë të karakterit që fiton një burrë i cili e fiton bukën me anë të fjalës, së folur e të shkruar, të mësimdhënies, të librave, të kërrusjes orëgjatë mbi skrivani, përtej çdo zgjyrosjeje publike.
Mos i besoni autorit të këtyre radhëve, por lexojeni intervistën dhe kujtohuni për ato që lexoni, dëgjoni dhe shihni nga ndotësit kryesorë të hapësirës publike shqiptare. Mund të më jepni të drejtë.
Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshme me Covid-19?
Unë si njeri edhe i gjuhës e di prej kohësh etimologjinë e fjalës “karantinë”, pra detyrimin për t’u mbyllë dhe për të mos pasë kontakte me të tjerët, të cilët mund të jenë të infektuem ose anasjelltas, mbasi mes nesh ka edhe bartës te të cilët, për shkaqe imuniteti të pazakontë, nuk shfaqet patologjia. Karantina parashikonte 40 ditë izolim, vetizolim ose ndrymje. Unë jam në këtë gjendje prej plot gjashtë javësh dhe po i afrohem 50 ditëshit. Pra nuk jam në karantinë, por në çinkuantinë. Po vazhdoi kjo punë, edhe ma me siguri që unë do të jem në multimezinë ose në multianinë. Mos e premto, Zot, që të kenë të drejtën e ardhjes mes nesh këto neologjizma që shpika këtu për nevojat e nji arsyetimi njerëzor ma shum se sa shkencor.
Mbaj mend në jetën time kur na binte fruthi, prindët na mbyllnin në dhoma të errësueme dhe nuk na lenin me dale në dritë, derisa të ulej përndezja e puçrave që shoqnojnë epideminë e fruthit. Në klasat e ulëta kemi pasë epidemi gripi dhe, për pasojë, edhe mbyllje shkollash me nga nji ose dy javë. Shendi i ynë në kupë të qiellit, sepse çdo gja që e vriste shkollën ishte nji send lirisjellës.
Në vitet ’70 , nëse nuk gaboj, pati tek na fillime të nji epidemie të kolerës dhe popullsia u vaksinue totalisht, por regjimi nuk tha asgja nëse kishte një epidemi mbrenda shtëpisë apo ishte nji valë preventive. Si regjim propagandistik që ishte, ai e pa ma të arsyeshme ta shiste vaksinën si masë parandaluese sesa si përballim real të fenomenit i cili do të ngjallte dyshime mbi higjienën shoqnore dhe cilësitë e jetës ndër ne.
Edhe komunizmi ka qenë, për antonomazi, nji karantinë gjysëmshekullore, gjatë të cilës virusi i diktaturës pati viktimat e veta dhe peizazhet janë të krahasueshme. Pra, shqiptarët që e kultivojnë te vetja kujtesën dhe e kanë të shtrenjtë atë, i kanë mbi shpinë disa karantina, prej të cilave disa fort të jashtëzakonshme, prej atyne që shkaktojnë vonesa serioze zhvillimore. Por, ja që jemi gjallë për të njoftë dhe përjetue edhe karantina epidemike të tjera. Pra, jeta vazhdon me rrallësitë e rëndomësitë e veta.
Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus?
Karantina asht me përcaktim kufizim dhe izolim, pra njilloj burgu vullnetar ose i propozuem vullnetarisht si zgjidhja ma e butë dhe njerëzore. Kur virusi që karakterizohet si vrasës, ka si armë të tij kontaktet fizike dhe ajrore, atëherë lufta ndaj tij merr formën e çarmatosjes së tij me anë të shmangies së kontakteve, si dhe ma anën e rritjes së kujdesit tonë higjenik ma shum se në raste “paqe”.
Personalisht më mungojnë shëtitjet në ajër të pastër, të cilat janë po aq shëndetsiguruese sa vetë karantina. Si njeri që udhëtoj shum, karantina më ka hjekë njenën nga kënaqësitë dhe dobitë e mëdha trupore dhe shpirtnore. Mirpo jeta në shoqni e individëve jo të barabartë në preferenca dhe në nevoja imponon nji paketë rregullash shum arbitrare që dikujt i presin lirinë dhe dikujt i presin vdekjen. Unë mendoj se duhet t’i pranojmë me gjakftoftësi rriskimet e lirive tona që të ato të paprekuna të mos jenë vdekja e dikujt, përfshi edhe ne vetë. Nji masë e jashtëzakonshme ka vetëm pluse kur të gjithë edhe shpëtojnë me kokë, por edhe zbaviten ndërkaq. Unë, për shembull, nuk jam zbavitë aspak dhe, po shpëtova, do të shpëtoj se kam qenë i shpëtuem dhe jo i sëmundë deri në pika të dyshimta për ekzistencën. Këta janë haraçet që individi i paguen jetës së të tanës.
Për mue që “uzina” ime asht e thjeshtë se, me nji laps e nji letër, unë mund ta “fitoj” bukën time, karantina asht nji luks i madh. Për këto gjashtë javë që nuk e kam kapërcye pragun, kam punue sa për 6 muej të asaj kohë kur e kapërceja pragun. Pra jeta murgore në studion time ka pasë nji rendiment 4.5 herë ma të madh se zakonisht. Por edhe këtë herë nuk do të jem mirënjohës për shkaktarin e kësaj rritjeje të rendimentit të punës time dhe, si në tragjeditë e Shakespeare-it, do të mundohem ta vras e ta asgjësoj bamirësin tim, Covid-19. Njeriu vazhdon të jetë mizor ndaj formave të tjera të jetës së gjallë.
Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?
Mendoj se asht shpikë nga ana e gazetarëve dhe e njeriut të televizioneve kjo ideja se mbas nji ngjarjeje të jashtëzakonshme vijnë ndryshime rranjësore dhe madje në shkallë globale. E kam të freskët përshtypjen që më bante shprehja “pas kësaj bota nuk do të jetë ma si ka qenë përpara” atëherë kur ranë kullat binjake në New York. Dhe mue m’u duk se mbasi iku buja, mbasi u lirue sheshi dhe mbasi u ndërtue edhe nji obelisk në Ground 0, gjithçka iu kthye normalitetit dhe normalitet unë quej gjithmonën. Ende teknologjia nuk asht identifikue me homo sapiens-in, pra ndryshimi i teknologjisë që asht stigma e madhe e kohës e ka lanë gati fare të paprekun homo sapiensin.
Jemi kaq të stresuem dhe kaq të pakjartë në atë që po ndodh me ne, e që për shumicën e atyne që po e përjetojnë, tue përfshi këtu edhe njeriun mendues, ka marrë pamjen e misterit. Zakonisht e fshehta asht ajo që na e mban mendjen e ngritun. Misteri na lodh shpejt dhe vrapojmë që ta harrojmë. Jam shum i sigurt se po të bahej nji anketë plebishitare, të gjithë do të votonin për ikjen e epidemisë me premtimin se do ta harronin në nji kohë rekord. Asgja nuk ka për të ndodhë, asgja nuk ka për të ndryshue, do kemi lufta ekonomike, ushtarake, diplomatike, individë që lindin, individë që rriten dhe individë që vdesin. A nuk i lexojmë këto “kronika” edhe tek “Iliada” e tek “Odisea”’? Bota zhvillohet me stade të mëdha e të gjatë. Na jemi homo sapiens-a ose njerëzit që ndërtuen e ndërtojnë Kullën e Babelit.
Përballimi me fushata të mëdha e të gjana ku përfshihet krye për krye e gjithë shoqnia, i përngjet disi nji fushate zgjedhore që nuk ka as datë fillimi e as datë fundore. Pra asht nji sforco e jashtëzakonshme e shoqnisë, sa ekonomike ashtu edhe psikofizike. Për atë që vret, në vend që të themi se “iku në drejtim të paditun”, tashti themi “erdhi nga nji drejtim i paditun”, ose edhe asht i padukshëm, ose “jemi në luftë” (pa “si”) etj. Epidemitë janë rrallue shum në botën e qytetnueme dhe vaksina i ka pre në rranzë mundësitë e shpërthimit të tynë. Pra vigjilenca njerëzore ka ra në nji gjumë të qetë që vetë e ka fitue me dritën e mendjes shkencore. Kur shpërthejnë epidemitë e sëmundjeve të reja të paprecedent gjithsesi njerëzimi kapet gafil dhe në momentin e habisë së tij regjistron humbje jetësh. Pastaj e merr veten. Të tillë kanë qenë rastet e SIDA-s dhe Ebolas. Sot njerëzimi integralisht po kërkon t’i largohet jetës në natyrë dhe si natyrë. Kjo stigëm e qytetnimit e ka kalue në plan të dytë natyrën dhe në vend të saj ka vu kulturën. Por natyra ka pretendimet e veta se ajo asht ma e gjallë se qytetnimi, asht ma e plagosshme dhe ka edhe ajo “psikën e saj” reaktive: ajo edhe mund të hakmerret. Ky Covid-19 asht produkt i natyrës apo i qytetnimit? Këtë askush nuk po na e thotë, ashtu sikurse nuk na e thonë dot në kulmin tonë të vemendjes dhe të nevojës se kur do ta kemi me siguri vaksinën kundër Covid-19. Në këtë moment të pazakontë të ankthit tonë edhe kultura, edhe natyra janë të bllokueme. Mos vallë duhet pa këtu ngërçi i madh që sjell papajtueshmënia e kulturës me natyrën në një pikë të caktueme historikë të udhëtimit tonë nëpër rrugë të përsërituna apo edhe në të reja?
Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?
Kuptohet se ka pasë njilloj prepotence shtetnore për të mos pranue në mënyrë logjike dhe të ballancueme atë që po ndodh. Pra, luftës së nji opozite për të gjetë defekte, qeveria i asht përgjigjë me taktikën e premjes shkurt dhe jo të arsyetimit publik. Mitikja ka shkue deri aty sa ka njerëz që mendojnë se virusi, sado i verbët që asht, i njef palët dhe do të godasë “të këqijtë” dhe do t’’i mëshirojë “të mirët”. Pra, mbrojtja e shëndetit dhe të jetës publike ka nevojë për organizim e komandë. Kjo bahet edhe ma e domosdoshme prej faktit se na jemi nji vend i vorfën dhe i vorfnuem për shkak të fenomenit “shushunjë”. Pra, u duk se shteti nuk kishte takat me disponue mjete dhe njerëz në nji front me shum të panjohuna dhe preferoi zgjidhjen empirike, e cila për hir të së vërtetës asht nji zgjidhje, nëse jo ma e mira. “Mbas hallit” ishte e vetmja. Ideja me i dënue me burg kundravajtësit nuk asht nji ide fatmirë dhe ogurmirë. Pse e fut në burg ligji shqiptar, ky i freskëti, pensionistin që del në rrugë? Për ta çue në burg, sepse burgu asht nji vend i sigurt e i painfektuem dhe i infektueshëm, apo për ta ndëshkue? Nuk e di se sa kishte me qenë raporti i shtretënve spitalorë me shtretnit e burgut në nji vend me standarde të nalta shëndetësore dhe sigurie, por nëse na i kemi burgjet tona po aq sterile dhe po aq të pastra sa spitalet, atëherë për këtë periudhë burgjet tona le të quhen spitale të karantinës, depresionit dhe mërzisë objektive që ndjejmë po i shtohet edhe dhimbja e hutimi i premierës së gjetjes në burg në nji moshë delikate kur organizmi vjen e ligështohet dhe i humb vetitë përballuese. Nëse nji shtet ka ma shum të burgosun se sa të sëmundë ai shtet asht shteti i nji shoqnie në krizë morale. Na që kemi kaq shum të sëmundë jemi në nji krizë shëndetësore dhe kjo lloj krize nuk mund të përballohet si nji krizë morale, pra nuk e duron burgimin e kurrkujt. Kam idenë se po përpiqen me na ba mirë me zor. Kjo asht nji duhmë tipike diktatoriale, të cilës ia kemi ndie lezetin për shum dekada.
Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?
Koha shkon gjithsesi, ajo ikë edhe për materien e vdekun e jo ma për psiket njerëzore që janë ndërtue edhe me dimensionin e saj. Kuptohet se karantina, edhe pse i përngjet pushimeve, nuk mund të quhet kohë pushimesh a vakancash. Pushimit në karantinë i mungon zgjedhja e vendit dhe zgjedhja e kohës. Karantina asht nji burgim i shëndetshëm me ose pa dashje me afat ikjen e epidemisë. Nji pjesë e madhe e popullsisë ka shum problem me këtë regjim se asht jo vetëm puna, ankthi i daljes dhe i kthimit të pastër, por këtë situatë e vuejnë fëmijët, por edhe të moshuemit të cilët kanë nevojë për ecje, për ajër, dritë dhe për nji minimum eglendisje në mjedise të vogla shoqnore.
Shpëtimi i jetës dhe ruejtja e saj asht imperative dhe na jemi nji popull i padisiplinuem. Diktatura na “hekurosi” thellë, por na mbetëm të padisiplinuem, sepse sakrificat e bame me ose pa dashje nuk u përkthyen në mirëqenie, por krijuen kontigjente vigane njerëzish fatkëqij si te fotoja biblike me vaporin “Vlora”. Na jemi nji popull i pashoqërizuem sa e si duhet. Madje diktatura me morinë e rrjeteve informative mbrenda trupit të saj e bani edhe ma të huej ndaj idesë së nji kohezioni kolektiv. Na jemi nji shoqni individualiste, nji shoqni njëjës. Jemi 1×2 500 000 dhe jo 2 500 000×1. Na nuk e kemi ndjesinë e qeverisjes paternaliste. Shoqnia shqiptare asht në konflikt të përjetshëm me shtetin e vet. Ajo ka idenë se shteti vjedh, se shteti e vjedh. Ajo nuk ka besim te shteti i saj. Masat për sigurinë e karantinimit total asaj i duken si vazhdim i një “poshtnimi”, i nji keqtrajtimi, i nji vjedhjeje edhe të kënaqësive të vogla e intime të saj. Mbas karantinës, a do të merret shteti ynë me “shërimin” edhe të kësaj psikoze që e bren shoqninë tonë? Unë them se kjo psikozë, që zhvillohet jashtë pyetësorësh e statistikash, do të jetë sëmundja e fundit epidemike që do të na dalë nga trupi.
Unë merrem me shkrime. Por përgatis dy libra origjinalë, nji me poezi, nji me memuare që po i sistemoj mbi bazë shënimesh të kohëmbaskohshme. Pastaj merrem me korpusin e Shatobrianit që ka arritë te vëllimi i fundit, pra, përtej 3700 faqeve dhe paralelisht po merrem edhe me nji porosi tjetër për nji variant të “Katedrales së Shën Mërisë të Parisit” të Viktor Hygoit. Karantina asht nji kohë ideale me zhvillue turizmin “mendor”, pra udhëtimin përmes librave dhe personazheve.
Sugjerimet e mia për mënyrën si ta zbusim efektin e karantinës, do të më venin në pozitën e një mjeku që unë nuk jam. Mendoj se ata që janë marrë më libra e me punë individuale para ardhjes së epidemisë e karantinës, e kanë pistën gati për fluturime të rregullta e të përditshme. Të tjerët le të fillojnë me këtë rast e mbase ndonjeni do të thotë ma vonë: Unë nuk e kam pasë me qejf leximin, por ra ajo karantina e 2020 dhe qysh atëherë nuk rri pa lexue, m’asht ba ves leximi.
Edhe kjo, po të ndodhë, do të ishte lajm i mrekullueshëm që ia zdrit sapak ftyrën kësaj periudhe… /Politiko