Retrospektivë

Intervista/ Isuf Kalo: Pse Nexhmija ishte në ankth për Enverin, si e kam njohur Mehmet Shehun

               Publikuar në : 13:06 - 16/08/19 Enno

“Nuk pretendoj të kem monopolin e së vërtetës, por kisha dy alternativa: ose ca kujtime do t’i merrja në varr, ose do t’i hidhja në letër, se ndoshta i shërbenin shoqërisë”. Isuf Kalo zgjodhi këtë të dytën, i vetëdijshëm se reagimet do të ishin të forta.

ISUF KALO ME ENVER
DHE NEXHMIJE HOXHEN

Të flasësh për ish-Bllokun, edhe pas thuajse 30 vjetësh prej rënies së tij, ende vazhdon të ngjallë interes, aq më tepër nëse për të shkruan ish-mjeku personal i diktatorit Enver Hoxha. Personazhet më të fuqishme të Shqipërisë komuniste hyjnë e dalin në librin me kujtime e reflektime të Isuf Kalos, të titulluar “Blloku”, një botim i “UET Press”.

Ai tregon për ngjarje të mëdha që kanë tronditur vendin, por edhe për prapaskena, biseda e situata që askush nuk mund t’i dinte, përveç njerëzve shumë pranë diktatorit. Këto ditë, ai e promovoi librin e tij edhe në qytetin e Pogradecit.

Në një intervistë për gazetarin Ilir Shyta, në emisionin “Info ftesë” në televizionin lokal “Sot 7”, Kalo flet për librin, për raportin me Enver Hoxhën dhe gjithë bllokmenët e tjerë. Si i ka përjetuar dënimet e “grupeve armiqësore” dhe situata të tjera të sikletshme.

Libri juaj mund të konsiderohet më i suksesshmi i kësaj vere, e prisnit?

Është një sukses jo i pritur nga unë. Më kujtohet Lord Bajroni, që kur u kthye nga udhëtimet, kishte mbajtur disa shënime, që ia botuan shokët dhe tha: Një mëngjes u zgjova dhe isha i famshëm. Kështu m’u duk edhe mua vetja. Kjo ishte hera e parë që unë shkruaja një libër jo të profesionit tim, pasi më herët kam shkruar libra mjekësorë.

Sa kohë ju ka marrë të shkruarit e këtij libri?

Procesi i të shkruarit më ka zgjatur rreth një vit, por pa u shkëputur nga aktivitetet e tjera. Nuk i jam dedikuar vetëm “Bllokut”, unë herë pas here jam ulur, kam shkruar, kam fshirë, kam riparuar. Mund të ketë 10-12 versione të “Bllokut”. Autori asnjëherë nuk është i kënaqur me atë që shkruan.

U jeni referuar shënimeve të kohës apo janë kujtime gjakftohta dhe analiza të mëvonshme?

Nuk kam pasur as shënime dhe as ditarë. Është pak e çuditshme, por kështu ka qenë. Ka qenë me urdhër nga Sulo Gradeci që të mos mbanim shënime, as ditar. Me sa duket Suloja vetë mbante, por ne jo, pasi asnjë sekret nuk duhet të dilte. Unë shkruaja vetëm në kartelën klinike. Libri është trajtuar mbi bazën e kujtimeve, përjetimeve dhe reflektimeve. Ndryshe është këndvështrimi nga ana e politikës për qëllime propagandistike dhe ndryshe nga një pjesëmarrës në ngjarje, që i sheh gjërat me syrin e vet. Unë e kam thënë edhe në libër. Unë kam qenë i indoktrinuar që fëmijë: nxënës i mirë, pionier i mirë, anëtar i mirë i rinisë, pastaj anëtar partie e me radhë… kam qenë pjesë e indoktrinimit të suksesit. Në vitin 1960, kur unë isha student në Fakultetin e Mjekësisë, Nikita Hrushovi vizitoi Amerikën. Deri atëherë, unë mendoja se Bashkimi Sovjetik ishte vendi më i përparuar në botë, që fëmijët atje ishin të lumtur, që gjithçka ishte në avangardë dhe më vinte keq për fëmijët zezakë në Amerikë që gërmonin plehrat… Kur Hrushovi shkoi atje, bëri një deklaratë që u botua në “Zërin e Popullit, që “ne pas 20 vjetësh do t’i harrojmë dhe do t’i kalojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për prodhimin e qumështit dhe mishit”. Unë u shokova: të ishin vallë 20 vjet mbrapa?! Atëherë unë vendosa që të gjej informacion më të pavarur, më direkt dhe t’u vija pikëpyetje gjërave që më thoshin. Mendoj se kjo u ndodh të gjithë njerëzve, jo vetëm mua, por në ngjarjet e “Bllokut” unë gjithnjë kërkoja të dija më shumë se ajo që thuhej. Doja të dija atë që fshihej. Dhe gjithçka del sipas këndvështrimit tim. Dua të jem i qartë: nuk pretendoj të kem monopolin e së vërtetës absolute dhe të saktësisë, por janë të sinqerta. Mund të ketë të meta në ndonjë datë, por janë përjetime dhe analiza të sinqerta, neutrale, pas asnjë mllef, inat, konflikt apo varësi dhe magjepsje nga dikush.

Cili ka qenë reagimi i familjes suaj, kur i shprehët se do të shkruanit kujtimet për jetën në Bllok?

Ka qenë një vendim i vështirë. Por unë ua thashë hapur atyre. Mua më ka ndodhur rastësisht të jem dëshmitar i disa gjërave, në një ambient që është pak i njohur. Ka dy alternativa, ose t’i marr me vete në varr, ose t’i hedh në letër se ndoshta i duhen shoqërisë. Ime bijë është avokate në Lozanë dhe ka dy vajza: një 15 dhe një 12 vjeç. Ia dërgova asaj, ajo e pëlqeu dhe më tha: Babi, a ke durim të dëgjosh njerëzit kur të të hedhin baltë apo keqinterpretojnë? Ajo kishte pyetur edhe të bijat. Ajo e vogla kishte pyetur: Po çfarë fiton gjyshi nga kjo? Kurse ajo e madhja kishte thënë që, nëse gjyshi di ca të vërteta, e ka për detyrë që t’i thotë”. U preka shumë nga kjo gjë dhe u thashë që “po, jam i gatshëm të duroj, edhe pse e di që do të ketë keqkuptime apo hamendësime”. Janë dy hamendësime që kanë njerëzit: e para, se mos unë kam pasur ndonjë konflikt me Ramiz Alinë dhe gjej rastin që ai nuk është gjallë dhe të nxjerr dufin ndaj tij, çka nuk është e vërtetë, pasi unë nuk kam pasur asnjë konflikt me të, përkundrazi, kemi gëzuar respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Dhe së dyti, sikur unë kam marrë një mision të mbroj Nexhmijen. Nexhmija nuk e dinte që unë kisha një libër, madje ende nuk e ka lexuar.

E ka marrë ajo librin tuaj?

Ia kam dërguar përmes Teutës, por nuk kam marrë asnjë koment. Kam përshtypjen se ajo më respekton. Në këto 30 vjet, njerëzit janë vënë në provë për të nxjerrë karakterin dhe integritetin e tyre. Integritetin tim si mjek unë nuk e komprometoj, pavarësisht hamendësimeve të ndryshme.

Keni ruajtur kontakte me pacientë ish-bllokmenë?

Pacientë ish-bllokmenë vazhdojnë të vijë tek unë, për sëmundjet endokrine që unë trajtoj dhe ajo që më ka bërë përshtypje, sidomos brezi më i ri i tyre, që sigurisht tani janë 50-vjeçarë, por që unë i kam njohur që fëmijë, një pjesë e të cilëve janë kthyer edhe nga internimi dhe kishin edhe ndonjë mëri të vjetër, pasi më ngatërronin si mjeku i atij që i kishte dënuar, më kanë takuar me shumë përzemërsi, më kanë ftuar në gëzimet e tyre, në dasmat e tyre. Është interesante, sepse kam kuptuar që ajo bashkësia e Bllokut, pavarësisht çka kishin me njëri-tjetrin, kishte brenda një kohezion. Fëmijët e tyre shkonin në të njëjtën shkollë, pushimet i bënin bashkë, kishin familjarizim me njëri-tjetrin. Ishte “familja” e Bllokut. Dhe unë, pavarësisht se nuk isha pjesë e tyre, por u shërbeja atyre, i kam respektuar dhe më kanë respektuar.

Ju hytë në Bllok, kur Enver Hoxha u diagnostikua me diabet?

Unë nuk kam bërë ndonjë kërkesë për të shkuar atje, por me sa duket kishte disa kritere. Për disa muaj bëheshin verifikime të sjelljes dhe emërimi im erdhi shumë më vonë se shokët e mi të kursit. Dhe vajta direkt në Bllok, por isha mjek fare i ri. Kam hyrë në Bllok në vitin 1965 dhe pasi hyra aty kam shkuar 1 vit për specializim në Kinë, pastaj në Francë. Enveri ishte diagnostikuar me diabet që në vitin 1948, nga doktori Fejzi Hoxha.

A kishte ankth të kujdesesh për shëndetin e tij?

Nuk do ta quaj ankth, se në momentin që unë e mora atë detyrë, të cilën ma ngarkoi Hysni Kapo në vitin 1973, ai më tha: shërbeji mirë atij dhe populli e partia do të të jenë mirënjohës për gjithë jetën. Në këtë moment nuk është më ankth, por përgjegjësi. U ndjeva i mirëbesuar, por dilema ime ishte nëse kisha shpatulla për të mbajtur një barrë të tillë, e cila sa kishte aparencën e namit të mirë, aq mund të të çonte edhe në katastrofë.

Si ishte ai nga ana njerëzore?

Me mua ka qenë shumë korrekt dhe shumë i sjellshëm.

A ka pasur miqësia juaj ulje-ngritje?

Nuk do ta quaja miqësi. Enver Hoxha nuk më kishte mik. Miqtë e tij ishin të një tjetër niveli. Mua më kishte mjek, që ndoshta më preferoi sepse unë isha i hapur, sepse kisha vendosur ta trajtoja si të gjithë pacientët. Unë isha i drejtpërdrejtë. Aty kishte një kulturë te fshehja e gjërave “se mos ai mërzitet, i rri mendja”. Unë ia thosha gjërat dhe kjo transparencë atij i pëlqeu.

A e pranonte këtë shoqja Hoxha?

Shoqja Hoxha u vendos përpara faktit të kryer. Procedura ishte që unë t’i thosha infermieres, ajo t’i thoshte shoqes Hoxha dhe ajo të shihte nëse ishte momenti i përshtatshëm. Unë tentova të shkoja tek ai drejtpërdrejt. Frika e vetme që kishte Nexhmija ishte se mos ai mërzitej. Nëse ai pranonte, ajo ishte në rregull. Por unë këtë situatë e zgjidha vetë sepse kur je i ri, je dhe më i guximshëm.

Thuhet se pas 1973-shit, Enveri nuk ishte mirë dhe të gjitha vendimet i merrte Nexhmija, se ishte ajo që e drejtonte në të vërtetë vendin. Ju si mjek i tij personal, çfarë keni konstatuar?

Unë nuk kam qenë në zyrat dhe mbledhjet e tyre, por kam njohur personin. Po si mund të mendohet që ai nuk ishte mirë mendërisht?! Unë nuk kam qenë mjeku i vetëm i tij. Pas infarktit u ngrit një ekip mjekësor dhe të gjithë janë dëshmitarë. Por nuk ka qenë e vështirë për ta kuptuar edhe nga vetë publiku. E shoqja e tij ka qenë një grua e jashtëzakonshme, në kuptimin e përkushtimit që kishte ndaj të shoqit, që e adhuronte atë, që shërbimin dhe përkushtimin ndaj tij nuk e quante vetëm detyrë familjare, por edhe detyrë partie, detyrë kombëtare. Ajo jetonte me ankthin se si do të përgjigjej nëse diçka nuk shkonte mirë. Ajo ka qenë gjithnjë e varur prej tij. Edhe CISA ka qenë e interesuar për raportin mes atyre të dyve dhe ka arritur në përfundimin se ai që merrte vendimet ishte gjithnjë ai. Ajo nuk ishte njeri që merrte pjesë në marrjen e vendimeve të mëdha. Kjo është fabul që është ngritur…

Ju keni përjetuar një rast, atë të sëmundjes nga apendiciti të djalit të Enver Hoxhës, çka çoi edhe në largimin tuaj, si u kthyet sërish?

Ka ndodhur që unë isha shkëputur, punoja në spital dhe jepja mësim në fakultet, kur Hysni Kapo më merr në telefon dhe më thotë që duhej të nisesha urgjentisht, pasi më kërkonte vetë shoku Enver. Madje, ai edhe u shfajësua në njëfarë mënyre, duke thënë që ndoshta u nxituan asokohe, pasi profesionalisht apendiciti nuk ishte pjesë e fushës sime, por ishte një gabim që duhej evituar. Ai më kishte kërkuar, por kur i shkova në mëngjes, ai po lexonte gazetën poshtë një mështekne te vila e tij në Durrës dhe aktroi duke bërë si i befasuar që më pa. Ishte sadisfaksion për mua, por edhe përgjegjësi më e madhe ky rikthim.

A patët frikë se nga ky rast mund të kishte “koka të prera”, ashtu si edhe në politikë, edhe në shëndetësi?

Ndoshta unë isha pak naiv, ndoshta sepse isha i ri dhe nuk mendoja se kisha bërë ndonjë gabim me dashje. Ishte bërë një gabim, që nuk më përkiste mua dhe ç’ishte kryesorja, nuk ishte bërë me dashje. Një koleg imi, ai po ishte shumë i frikësuar, pasi kishte edhe fëmijë. Por u bë njëfarë “gjyqi” për ne, një analizë e ngjarjes, ku erdhi vetëm ministri i Shëndetësisë. Ne të tre morëm nga një vërejtje. Ç’është e vërteta, Sulo Gradeci e kishte hedhur një fjalë se mund ta kishim bërë edhe me qëllim armiqësor për të dëmtuar shokun Enver. Por për fat të mirë nuk u interpretua kështu, nuk u mor asnjë masë partie, por u trajtua si një ngjarje që ndodh në shëndetësi dhe me kaq u mbyll. U mbyll edhe me kthimin tim atje, pasi nuk kishte shumë mjekë të specializuar për diabetin dhe mënjanimi im dhe i profesor Hoxhës nuk i bënte mirë mjekimit të tij.

Pse nuk mori mjekë të huaj?

Ai nuk donte mjekë të huaj. Me Miliezin kishte miqësi, por e kam cituar nga libri i Ramiz Alisë, kur thoshte se “nëse doni të më sillni mjekë të huaj, e keni kot, unë kam besim te mjekët tanë”.

Si i keni përjetuar dënimet e “grupeve armiqësore?”

Me dhimbje, sepse nuk kam besuar për asnjë që ka qenë armik, pasi i kam njohur, i kam vizituar, më kanë respektuar. Kam njohur Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Kadri Hazbiun.. Por nuk ishte puna vetëm tek ata. Ata kishin gra, fëmijë, nëna.. Unë i njihja të gjithë dhe ishte shumë e dhimbshme. Nuk e di se si e percepton lexuesi, por i kam ndjekur me dhimbje kur i hiqnin nga Blloku, apo kur sulmonin Mehmetin apo Kadriun nëpër plenume. Ndoshta ata kishin gabimet e tyre, nuk po marr veprën e tyre në mbrojtje, por pavarësisht asaj çfarë ata përfaqësonin, unë ndalem në aspektin njerëzor. Për shembull, Kadri Hazbiu gjente kohë të më dërgonte për çdo ditëlindje apo Vit të Ri një kartolinë urimi. Unë isha mjek i ri dhe ky kujdes i tij ishte prekës. Dënimi i familjeve ishte shumë absurde. Fëmijët e Beqir Ballukut apo Kadri Hazbiut ishin të diplomuar, inxhinierë, arkitektë, ishin adultë, çfarë faji kishin bërë ata? Një i rritur është përgjegjës për veprimet e veta, jo për babain. Nëse babai kishte bërë faj, të dënohej, po bijtë pse çoheshin nëpër internime?! Koço Theodhosi ishte teknicien, nuk merrej me vijë ideologjike, i biri ishte piktor i talentuar, e bija arkitekte, si mund t’i flakësh tej kot?!

Keni ruajtur lidhje me fëmijët e Enver Hoxhës?

Nuk kemi ndonjë armiqësi, por nuk kemi as ndonjë miqësi të ngushtë. Kam prishur raportet me Sokolin dhe të shoqen për disa aludime të bëra prej saj, si për gjoja disa keqbërje nga ana ime. Ajo më akuzon mua personalisht se gjoja kam qenë bashkëpunëtor me Ramizin dhe Sulo Gradecin. Kemi qenë shumë miq me ta dhe përpiqem të kujtoj vetëm anën pozitive të kësaj marrëdhënieje.

Ç’raport keni pasur me Ismail Kadarenë?

Në gjimnaz, të gjithë të rinjtë kanë ca shkëndijëza letrare, bënin ca vjersha, ca hartime të bukura.. dhe unë kam qenë një nga ata. Unë mezi prisja të lexoja diçka nga Kadare, sepse ai shënjoi një estetikë të re. Gjykimi për të ndahet në rrafshin letrar, si shkrimtar i madh; në ndikimin që ai ka pasur në shoqëri; dhe në jetën personale.

A bisedonte ai me ju për çështje pune, për letërsinë, për Kadarenë..?

Ai nuk fliste me askënd për çështje pune. Ai s’më ka pyetur asnjëherë si është gjendja e shëndetësisë, sepse ndoshta unë do t’i kisha thënë diçka, por unë nga ana ime nuk guxoja t’i thosha diçka me iniciativën time, pasi mendoja që detyra ime ishte aq dhe se ai i ndiqte çështjet në rrugë institucionale, kishte anëtarë Byroje, ministër Shëndetësie dhe i merrte urdhrat nga ata.

Ju ka ardhur keq për vdekjen e Enver Hoxhës?

Patjetër. Si pacient, ishte dështim i misionit tim. Unë e kam parë si dështim. Ne mjekët kishim detyrë t’i zgjasnim jetën aq sa mundeshim. Nga viti 1973 deri në vitin 1985, falë bashkëpunimit të tij, por sidomos të Nexhmijes, e zgjatëm 12 vjet. Te “Murtaja”, Kamyja thotë se misioni i mjekut është i dështuar, përderisa vdekja që ai do të evitojë, në fund vjen. Dhe nuk ka lidhje se kush është ai që po vdes, por është një njeri që po vdes.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT