Nga: Ben Andoni
Një nga aksionet më të arrira të qeverisë Rama në fillimet e saj ishte ai që lidhej me luftën ndaj informalitetit. Masat e ndërmarra i bënë shumë shqiptarë t’i drejtoheshin me hir ose pahir për herë të parë sporteleve të pagesave.
Kjo masë shërbente duke folur me eufemizëm për likuidimin e detyrimeve të prapambetura lidhur me energjinë dhe ujin, pasi paradoksi ishte se përveç shumë skamnorëve, në listat e borxhlinjve rezultonin edhe shumë biznese fitimprurëse. Me kohë, një pjesë e këtyre të fundit do liroheshin. Por më e hidhur në fushatën e informalitetit ishte situata e pensioneve. Në fund të vitit 2014 numëroheshin rreth 925 mijë të punësuar, por në skemën e pensionimit rezultonin vetëm rreth 655 mijë kontribuues në fondin e pensioneve. Me pak fjalë mungonin as më shumë e as më pak por një e treta e të punësuarve!! Asokohe qeveria Rama e shpalli si kredon e vet: Luftën ndaj Informalitetit dhe duket se vendi u trand nga një aromë formaliteti, që shtrëngonte por po na fuste në një hulli të dëshiruar shteti. Ishte kjo frymë që ngjalli shumë besim mes shqiptarëve për zgjedhjen e tyre të re politike post Berishë. Kalimi i kohëve do tregonte se masat e fillimit nuk do e kishin më këtë impakt mbi informalitetin, përveçse njerëzit duhet pohuar se u bënë disi më të ndërgjegjshëm për të paguar. Anipse, informaliteti dukej dhe konsiderohet ende si krejt normal në vendin tonë, kjo për shkak të numrave, që referohen në disiplina të ndryshme veç ekonomisë dhe që na bëjnë të besojmë se informaliteti është po kaq normal edhe si formaliteti. Këtë konstatim e bëri dekada më parë një nga njerëzit kryesorë që e shpjegon shkencërisht informalitetin. ”Ne supozuam se nëse bota informale do të ishte aq e madhe sa mendonim do ishte atëherë po ajo botë që vepron në kufijtë e ligjshmërisë, dhe kështu domosdoshmërish do të duhej të kishte një pikë takimi me vetë ligjshmërinë”, e shkroi këtë De Sotto tek: Why does the informal economy matter? (Pse ka rëndësi ekonomia informale?)
Sikur ta kish shkruar për vendin tonë, pasi ekonomia informale jo thjesht e pengon në Shqipëri stabilitetin ekonomik, por më shumë akoma politika duket se mbetet ende e interesuar që në Shqipëri të ketë një situatë e tillë. E shikon në beneficet që premtojnë, mbylljen e syve për shumë fusha ku bëhet evazion fiskal në këmbim të interesit, mënyrën sesi procedohet me grupet e interesit dhe mbi të gjitha inkurajimin e atyre elementëve që e imponojnë informalitetin.
Për hir të së vërtetës kur kupton demokracitë e brendshme të partive dhe së fundmi të shikosh se ç’po ndodh me Partinë Demokratike me ankesat për numrat e partisë, listat fiktive, firmat, fryrjet e panevojshme të strukturave, kupton se situata është tejet e rëndë në të ardhmen e vendit tonë, pasi ti nga kjo logjikon sesi do vijojë kjo forcë në të ardhmen po të ketë fatet e vendit. Pothuaj është jo shumë larg kësaj tollovie Partia Socialiste që tashmë duket e maturuar prej fitores dhe problemet nuk po i shfaqen ende në sipërfaqe. Logjikisht që te strukturat e partive nuk dinë të besohet për institucionin apo frymën, që pjell informalitet apo edukimin e publikut për t’iu shmangur informalitetit. Për fat të keq, politikanët flasin sikur nuk ka institucione, ndaj askush nuk habitet sot se nuk kemi shifra të besueshme nga institucionet tona. Megjithatë e vërteta është e hidhur: Rreth 30-35% e ekonomisë shqiptare referohet se është informale, sipas një vlerësimi të Bankës Botërore.
Duket se aksionet e vazhdueshme anti-informalitet bëhen më shumë për të treguar se punohet dhe në momente problemi të realizimit të detyrave të institucioneve tatim-paguese sesa për të forcuar institucionet. Ekspertët, pak kohë më parë, shprehnin shqetësimin se një gjë e tillë ndodh me prishjet e ndërtimeve pa leje në kohën e sezonit turistik kur tatimet nisin aksionet për të goditur bizneset në shkelje dhe me një sërë aktesh të tjera që lodhin dhe biznesin formal.
Kur i shkojmë idesë së informalitetit dhe sesa prezent është ai në vend apo luftën e pakët kundër tij, të shkon ndërmend si referim: raporti i Tranzicionit i realizuar prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që së fundmi u fokusua tek rëndësia e rolit të shtetit për shkak të krizës së Covid-19. Raporti tregoi se treguesit e mirëqeverisjes në vend janë përkeqësuar, e ndaj pikëzimi për mirëqeverisjen e Shqipërisë ra nga 5.16 në vitin 2019, në 4.5 në 2020, duke qenë vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Evropën Juglindore, pas Bosnjë Hercegovinës (3.98). Ndërkohë që pikët më të larta në rajon për mirëqeverisjen i merr Mali i Zi (6.27)!!!
Mos vallë nuk e kuptojnë këtë autoritetet tona? U volit? Pse politika punon me fushata dhe jo në formë strukturore kundër informalitetit? Pse i shkon Shqipërisë informaliteti? A ka ardhur koha që të mundësohet që ekonomia informale të futet me një logjikë të arsyeshme në formalitet?! Me çfarë duket dhe nga niveli i politikës dhe mënyra sesi ajo e sheh partneritetin me biznesin në jo pak raste e kupton mirë se informaliteti do të vazhdojë, pasi njerëzit që e bëjnë të patrazuar këtë lloj gjendje dhe që i ke në çdo strukturë të shtetit shqiptar nuk duan t’ia dinë. Kultura e informalitetit është e shtrirë në çdo qelizë të vendit, madje edhe te vetë media dhe nuk është e vështirë të provohet po të kishte vullnetin e duhur. Ne përmendëm rastin e politikës me listat por mjafton të shikosh punësimin. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) përllogariste pak muaj më parë se Shqipëria ka punësimin ne të zezë gati dyfish më të lartë se mesatarja europiane dhe një nga nivelet më të larta në rang europian. Në një referim që merrte në matje vitin 2019, ILO përllogarit se punësimi informal në Shqipëri është 56.7 për qind e totalit të punësuarve. Dhe, ashtu si ndodh, pas nesh rrinte vetëm Bosnja me normën më të lartë të informalitetit në punësim me 30 për qind të totalit të punësimit. Nuk po krahasojmë Evropën, ku ky indeks është normalisht shumë herë më i ulët, kurse në Ballkan na imponohen edhe Maqedonia, ku punësimi informal ishte vetëm 13.8 për qind e totalit në vitin 2019, ndërsa në Serbi 18.7 për qind.
Informaliteti në Shqipëri është aq shqetësues saqë besohet se ai gjendet edhe vetë brenda strukturave ku gjoja funksionon hapësira e ligjit, e ku shfrytëzohen hapësirat për të evazion fiskal, po aq si te biznesi mirëfilli informal. Me këtë lidhet e ashtuquajtura “paga e zarfit”, një fenomen shumë i zakonshëm tek ne.
“Ne kuptuam se krijimi i një ekonomie tregu nuk nënkuptonte vetëm heqjen e pengesave të mëdha, të cilat qëndronin në rrugën e zhvillimit, por ishte edhe një çështje ndërtimi urash aty ku kishte gremina. Këto ura ishin të drejta të mira pronësore, kontrata të mira, gjykata efikase, organizata të mira sipërmarrëse dhe të drejta të mira jashtëkontraktore. Të gjithë këta elementë ligjorë janë pikërisht ato që shumica e qytetarëve në vendet në zhvillim nuk i kanë”, shprehet De Sotto duke vendosur gishtin edhe mbi plagën shqiptare lidhur me pronën, me kontratat, pasojat që po lë reforma në drejtësi që nuk merr udhë dhe një sërë arsyesh të tjera.
A ka rrugë për të dalë dhe vendi ynë? Në këtë fazë ku jemi duket e vështirë, por studiuesit thonë se qytetarit i duhet kulturë më e madhe financiare sa i përket përballjes me taksat, shtetit i duhet të luajë me logjikë dhe jo me ndryshime të pakontrolluara, ashtu si duhen shumë më tepër investime për novacionin teknologjik, në mënyrë që ekonomia informale të zbehet pak e nga pak. Sa gjasa kemi që vetë shqiptarët t’i kthejnë kurrizin informalitetit dhe ta respektojnë më shumë shtetin e tyre?! Në fakt, duke parë të gjithë atë që po bëhet me korrupsionin e administratën dhe denoncimet e shumta, pakuptimin e popullsisë për normalitetin dhe vetë sjelljen e politikanëve me të, duket se do të jetojmë dhe për shumë kohë me të. Tek e fundit ne informalitetin e kemi pjesë të sjelljes sonë sociale-politike. Dhe, sërish studiuesi: “Është e qartë, pra, demokracia ka shumë të bëjë me ekonominë e tregut sepse, aty ku nuk ka mekanizma që publiku të kontrollojë qeverinë në secilin prej akteve të saj, nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar që ajo të përmbushë vërtet mandatin e saj popullor, diçka që popullit duhet t’i jepet jo vetëm një herë në çdo periudhë zgjedhore, por vazhdimisht. Publiku po ndryshon gjithmonë preferencat e tij të konsumit, format e tij të prodhimit dhe kjo duhet t’i transmetohet qeverisë qendrore”, flet mbas kërkimeve por tashmë në formë empirike për zyrtarët shqiptarë, De Sotto. E megjithatë informaliteti ka lënë pasoja të rëndësishme, që tashmë ekonomistët i kanë të konfirmuara dhe janë ato që po e pengojnë forcimin e një force prodhuese, zhvillimin e një ekonomie të strukturuar dhe mbi të gjithë thithjen e investimeve serioze në funksion të qëndrueshmërisë së ekonomisë formale, që duket se Shqipërisë do t’i duhen kohë për ta formalizuar. (Homo Albanicus)