Identifikohet autori i vrasjes së mbrëmshme, ku një 30-vjeçar ndërroi jetë në Spitalin e Shkodrës, pasi ishte dërguar aty i plagosur rëndë me armë zjarri. Autori i ngjarjes së rëndë është Enderis Dodaj, 25 vjeç, për të cilin policia thotë se ka qëlluar nga pakujdesia Petrit Bibën, 30 vjeç nga Mirdita.
Biba u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Pukës, rreth orës 20:30, por për shkak të gjendjes kritike, u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Shkodrës, ku edhe ndërroi jetë.
Ngjarja ndodhi pranë një HEC-i në fshatin Kaftallë të Pukës, ku Biba qëllua në bark me armë zjarri.
Viktimës fillimisht i është dhënë ndihma e parë nga mjekët e urgjencës në spitalin e Pukës, por sipas Policisë plumbat i kishin dëmtuar disa organe jetësore e për pasojë nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.