Italiani Miko Mieles ndodhet prej 3 muajsh i shtruar në spital, pasi ende nuk është shëruar nga koronavirusi.
Ai ka rezultuar pozitiv për herë të parë më 17 prill dhe që prej atëherë nuk ka dalë më nga Kryqi i Kuq në Linate, pranë Milanos.
Sipas mediave italiane, ai ka kryer deri më tani 15 testime dhe në asnjë prej tyre nuk ka rezultuar negativ. Edhe pse nuk ka simptoma, Mieles vazhdon të rezultojë i infektuar dhe është rrezik për përhapje infeksioni.
“Shikoj pacientë që hyjnë dhe dalin nga këtu, vetëm unë nuk po dal. Jam pa simptoma, por virusi nuk ikën, më ka bërë shok më duket”, tha ai me shaka për “Corriere della Sera”.
49-vjeçari, baba i dy fëmijëve 21 dhe 23 vjeç, thotë se komunikon me familjen e tij vetëm nëpërmjet video-telefonatave.
“Ëndrra ime është të ritakoj familjarët e mi, vetëm kaq dua”, thotë ai.