Një bisedë interesante është zhvilluar mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait për fejesën e djalit të Mehmet Shehut, Skënderit, me Silva Turdiun, vajza e Qazim Turdiut.
Hekuran Isai informon diktatorin se nga hetimet e bëra, fejesa nuk është lidhur në vitin 1981 por dy vite më parë, në vitin 1979. Hekuran Isai thotë se Skënderi nuk e ka njohur vetë Silva Turdiun siç thuhej, por ka qenë Mehmet Shehu ai që e ka nxitur të fejohet me të me urdhër të CIA-s amerikane.
Hekuran Isai thotë se Mehmet Shehu ka pasur një radio të cilën ia ka dhënë CIA gjatë qëndrimit të tij në Paris në vitin 1972. Sipas bisedave që pretendonte se kishte bërë me gruan e Mehmet Shehut, Fiqretin, kishte qenë pikërisht CIA që e kishte urdhëruar fejesën e Skënderit me Silva Turdiun.
Po sipas Hekuran Isait, Mehmet Shehu fliste çdo natë nëpërmjet radios me agjentët e CIA-s nëpërmjet kodeve dhe shifrave. Për më shumë, ndiqni bisedën e plotë mes Hekuran Isait dhe Enver Hoxhës.
Biseda mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait:
Enver Hoxha: Mund të më informosh njëçikë, Hekuran si po shkojnë hetimet?
Hekuran Isai: Po ecin njëçikë javash këto ditë shoku Enver. Hallin e kam që të ecim njëçikë të sigurt, se mos armiqtë na hedhin degë më degë. Mbasi ndoqa çështjen e fejesës së Skënder Shehut përveç të tjerave, pyeta për të ditur për se u bë fejesa, këmbeva mendime për këtë qëllim me shokun Ramiz e me shokun Kadri. Për fejesën del që kjo çështje nuk ka ndodhur në vitin 1981. Kjo del nga pohimet e Skënder Shehut edhe nga ato të Fiqiretit. Kjo çështje është diskutuar në prill-maj të vitit 1979. Puna është se në këtë vit me çfarë ngjarje mund të lidhet fejesa. Ndodhi që në këtë kohë shoku Hysni ishte duke u larguar nga Pogradeci ku kish shkuar me pushime për të vajtur në Francë se u sëmurë sërishmi. Më 2 shtator 1979 ai vdiq. Në këtë kohë Mehmet Shehu i ka thënë të birit, Skënderit: Shiko djalë, njihu me vajzën e Qazim Turdiut se çështjen tënde e kam biseduar edhe me Feçorin. Kaq i rekomandoi ai. Nuk del pra që Skënder Shehu ta ketë njohur vetë vajzën, kjo është përrallë.
***
Hekuran Isai: Fiqreti thotë se Mehmet Shehu i ka thënë se nëpërmjet radios që kish marrë në vitin 1972 në klinikën e Arnusit, nga gjoja doktori që i shkoi atje, se në fakt ai ishte njeriu i CIA-s, ka marrë prej këtij dhe radion, të cilën ia ka treguar dhe Fiqretit, thotë ajo.
Enver Hoxha: Ka marrë radion në Paris?
Hekuran Isai: Po ka marrë radion që ia ka prurë agjenti i CIA-s. Ajo tregon dhe se si ishte radioja, se e ka parë vetë. Me këtë mjet u lidh ai me amerikanët. Ishin këta që e komanduan që Skënder Shehu të fejohej me Vajzën e Turdiut, kishte thënë Mehmeti.
Enver Hoxha: Dmth në vitin 1972 e ka marrë ai radion?
Hekuran Isai: Kurse ky muhabet u zhvillua në vitin 1979 me amerikanët.
Enver Hoxha: Për çështjen e fejesës?
Hekuran Isai: Po për cështjen e vajzës dhe i kanë thënë siç pohoi kjo. Kanë bërë dhe muhabete të tjera.
Enver Hoxha: Kjo radio me se ishte?
Hekuran Isai: Kjo thotë ajo, ishte një aparat më i vogël se radio Iliria, më e hollë se kjo, mikrofonin e kishte të ngjitur brenda. Me të Mehmeti me amerikanët merrej vesh nëpërmjet saj nga ora 9 deri në 11 të darkës, bisedonte me ta me kod, me shifra.
Enver Hoxha: Me kod, me shifra, jo me gojë?
Hekuran Isai: Me gojë, po me kod, me shifra, më foni, thotë Fiqreti.
Enver Hoxha: Më kanë thënë që me foni nuk ekziston.
Hekuran Isai: Ajo thotë me foni dhe një mundësi e tillë ekziston. Edhe ne bisedojmë me foni, me gojë.
Enver Hoxha: Unë këtë kështu e di, kam pyetur e më kanë treguar se nuk ka të tilla radio me foni, si thotë kjo.
Hekuran Isai: Fiqreti kështu thotë me foni shoku Enver. Mehmeti bisedonte me kod, me shifra dhe në gjuhën anglisht.
Enver Hoxha: Mirë, po bisedonte me jashtë apo me brenda?
Hekuran Isai: Ajo thotë se bisedonte me agjenturën e huaj, mundet që bisedonte me ndonjë ambasadë të huaj në vendin tonë shoku Enver.
Enver Hoxha: Prandaj duhet sqaruar kjo çështje.
Plani i supozuar për vrasjen e diktatorit nga Mehmet Shehu
Në këtë takim mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isai flitet mbi akuzat që rëndonin, sipas tyre për Mehmet Shehun. Pjesë e listës së arrestimeve do të ishin një numër i lartë zyrtarësh që sipas diktatorit kishin lidhje me Mehmet Shehun dhe kërkonin ta vrisnin atë.
Në të takim tregohet se si inskenohet një akuzë, për kumar, dhe më pas do të përfundonte në burg për akuzat e tjera.
Sipas dialogut Enver Hoxha thotë se Mehmet Shehu ka dashur ta helmojë me ndihmën e agjenturave të huaja.
Pjesë nga biseda
Enver Hoxha: Janë këta që do të na bëjnë ne të njohim gjithë pjesëtarët e komplotit. Si të mos arrestohet Gani Kodra. Ky njeri sipas informatava të mia, ishte njeriu më i besuar i Mehmet Shehut që i ruante këtij brenda në shtëpi bile deri kasafortën, që nga koha e komplotit të Beqir Ballukut. Ky i thoshte Mehmet Shehut të bëhet kështu dhe të bëhet ashtu instalimi i antenës, të bëhet me rrjete etj. Ky pastaj ka shoqëruar Skënder Shehun në Stokholm. Atëherë si ta lëmë jashtë ne këtë njeri?
Hekuran Isai: Ta bisedojmë njëherë këtë, shoku Enver.
Enver Hoxha:-Të vijmë tani te Façori. Këtij ne duhet t’i marrim krahët përpara se ta arrestojmë. Po kë të arrestojmë më parë. Disa nga ata që ishin me të , për shembull shefin e sigurimit të rrethit të Durrësit.
Hekuran Isai:-Lirimin?
Enver Hoxha: Nuk e di si e quajnë. Të arrestojmë gjithashtu shefin e sigurimit të ushtrisë Çerçizin. Për ç’arsye t’i arrestojmë këta? T’i arrestojmë se “kanë luajtur kumar” dhe kumari dënohet me ligj. Ja, pra, kemi një arsye, kemi një bazë që t’i arrestojmë. Nga kumari vemi pastaj te “kumar” tjetër, pse këta ishin njerëzit më të besuar të tij.
Hekuran Isai:– Edhe Tahir Maloja ishte i lidhur ngushtë me këta.
Enver Hoxha:-Tahir Malos pra dorën në zverk. Edhe ai tjetri, Kadri Gojashi e ka hak dorën në zverk, sipas mendimit tim. Berberit të “Dajtit” gjithashtu dorën në zverk.
Hekuran Isai: Po, ne kemi propozim edhe për arrestimin e berberit.
Enver Hoxha: Po, edhe berberi i “Dajtit” të arrestohet. Domethënë disa punonjës të sigurimit të shtetit, që janë nga më kryesorët e më të komprometuarit me Façorin dhe që mund të dinë edhe gjëra të tjera, t’i arrestojmë dhe kemi arsye përse t’i arrestojmë, prandaj, veprojmë pa vonesë.
Hekuran Isai: Drejt, shoku Enver.
Enver Hoxha: Pse i them këto? I them se besoj që edhe ti e ke kuptuar që ky ka qenë një komplot i madh.
Hekuran Isai: Shumë i madh është, dhe jo i vitit 1961.
Enver Hoxha: Këtu nuk është çështja se këta do të vrisnin Enverin . Këtu është çështja të shkatërrohej Shqipëria socialiste që të mos ekzistonte. Pikërisht për këtë kanë luftuar për 40 vjet me radhë. Fakt është se Partia ka qëndruar në pozita të drejta dhe në krye të kësaj kam qenë unë që për ta isha bërë i padëshiruar. Përse? Për ta arritur një gjë të tillë. Dhe armiqtë për gjithçka ishin në dijeni se kishin agjenturën e tyre në radhët tona. Është një luftë agjenturash këtu.
Hekuran Isai: Gërshetim agjenturash është, luftë është kundër socializmit.
Enver Hoxha: Kundër Shqipërisë Socialiste.
Hekuran Isai: S’është puna vetëm sa për të marrë një territor këtu si ky i vendit tonë.
Enver Hoxha: As për territor, as për çështjen time, megjithëse unë isha bërë një pengesë për ta. Me atentat me armë, Mehmet Shehu nuk mund ta bënte këtë veprim, populli nuk do ta pranonte këtë dhe as vetë nuk ishin të sigurt që të ngriheshin, pastaj zgjodhën rrugën e helmit. Agjentura mendonte eliminimin tim , sepse ishte fare mirë e informuar. Pas helmimit bëhej njëfarë procedure me kryesorët, kurse të tjerët i asgjësonte me radhë. Ja, do të bënin këtë që po bëjmë ne për këta., të qëronin Hekuranin dhe tërë shokët e tjerë dhe në vend të tyre të vinin njerëz si këtë të Durrësit e kështu me radhë gjithë të tyret. Ky pra është një komplot i madh që nuk kufizohet as te Mehmeti, as te Fiqreti, as te Skënder Shehu dhe te Feçori. Sigurisht që këta janë nga më kryesorët, janë agjentë ordinerë, por me potencial, agjentë klasikë, të ndyrë që venë deri në vrasje. Këta nuk janë kundërshtarë politikë dhe ideologjikë, që të ngrihej Mehmet Shehu e të thosh nuk jam dakord me këtë ose atë pikëpamje të Partisë…
***
Hekuran Isai:-E thotë Skënderi, shoku Enver. Më fal se të preva fjalën. Ky thotë kështu që babai, mbasi na u rekomandua që të bëhej fejesa pas vdekjes së Hysni Kapos, ai erdhi në punë në Komitetin Qendror. Fejesën ne deshëm ta bënim në 1980, por ai e shtyri se na tha që ‘nuk e kam të sigurt për ç’arsye po hiqem tani si ministër i mbrojtjes, prandaj ti, bir, mos vepro njëherë. Mirëpo, kur erdhi me punë në Komitetin Qendror dhe filloi nga aktiviteti tha se ‘jam hequr për të forcuar punën këtej’ dhe e porositi djalin ta fillonte përsëri çështjen e fejesës. Në këtë kohë urdhrin për helmim e kishte marrë, helmi kishte ardhur, mirëpo kur doli çështja e fejesës, Partia nuk e lejoi, ky ngarkoi Skënderin të vente t’i çonte Rajsit, aty nga data 12 shtator një letër nga ana e tij për ta njoftuar që fejesa që kishin rekomanduar amerikanët u prish nga udhëheqësi, i cili e ka konsideruar këtë veprim gabim, si dy vija në Parti, prandaj babai tani është në një gjendje shumë të rëndë dhe më porositi t’iu them se duhet bërë ndonjë incident, ndonjë shantazh, për ndryshe situata për të është e rëndë. Vetëm një incident…
Enver Hoxha:-Incidentin e kërkonte ky.
Hekuran Isai:– Po, incidentin ia kërkonte Rajsi, Mehmetit. Vetëm ndonjë incident ose ndonjë shantazh mund ta çojë çështjen e fejesës në plan të dytë dhe ta ngrejë përsëri autoritetin tim atje ku doni ju. Unë jam dakord i përgjigjet Rajsi, pastaj ai iku për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, kur u kthye, iu përgjigj se edhe ata, amerikanët, ishin dakord, por me një kusht, që incidenti të zbulohej dhe Shqipëria t’i përgjigjej.
Enver Hoxha:-E bën Jugosllavia këtë.
Hekuran Isai:– E bën Jugosllavia këtë si duket edhe me ndonjë mënyrë tjetër. Ky thotë se edhe me nëndetëse mund të bëhet incidenti. Dhe nëndetësja që erdhi, mundet në 13 shtator, ditën e bisedës me Rajsin. Mirëpo kjo kohë është shumë e shkurtër, prandaj ky mund të ketë biseduar më përpara dhe ngul këmbë se biseda duhet të jetë bërë nëpërmjet Skënderit. Kështu erdhi nëndetësja u bënë shantazhet dhe si ushtarak ky nga kjo ngjarje do ta merrte veten dhe fejesa do të kalonte në plan të dytë, se nuk ish koha për t’u marrë me këtë çështje.
Enver Hoxha:-Po, po tani kemi gjë tjetër.
Hekuran Isai:-Pra, këto çështje thotë ky djalë në proces./ Opinion.al