Gjermania regjistroi rastin e parë me variantin e ri të koronavirusit, i cili është zbuluar fillimisht në Britani të Madhe.
Një grua e cila kishte udhëtuar nga Londra, doli pozitive në këtë variant të koronavirusit. “Ky është rasti i parë i njohur në Gjermani”, tha në një deklaratë Ministria e Shëndetësisë e landit, Baden-Wuerttemberg.
Gruaja, kishte mbërritur në aeroportin e Frankfurtit më 20 dhjetor. Ajo u dërgua në vetizolim në shtëpi pasi doli pozitive për COVID-19, kur mbërriti në aeroport, shkruan AFP.
Një ditë më vonë, ajo filloi të shfaqte simptoma të lehta, dhe një test i dytë gjithashtu doli pozitiv. Një mostër e testit të saj u dërgua në një laborator të specializuar për analiza të mëtejshme.
Të martën, Gjermania zgjati masën e ndalesës së udhëtimeve nga Mbretëria e Bashkuar deri më 6 janar.