Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka festuar mbrëmjen e kaluar 3 vjetorin. 3 vite punë të palodhur, me mbi 16 000 familje të ndihmuara, 190 banesa të ndërtuara dhe tonelata ushqimesh të shpërndara. Ku shumë herë kanë qenë shpresa e vetme për mijëra fëmijë, burra, gra, të moshuar. Për të qenë sot, faktori kryesor që lidh familjet në nevojë me bizneset, me gjithë shqiptarët që duan t’i ndihmojnë ato.
“Fundjava Ndryshe ka një histori shumë të bukur. Mbaj mend që atë ditë ishte festë dhe vendosa që ato para që kisha me vete, të shkoja të merrja ushqim. Dhe kështu u nisa në njësinë nr.4 të Tiranës, aty ku ishin grupimet më vulnerabël. E kam para syve si sot, sepse ai ka qenë momenti ku realisht kam marr shtysën kryesore për ta nisur këtë aktivitet dhe për të mos u ndalur”.
Kështu e nis rrëfimin drejtuesi i fondacionit Arbër Hajdari, në dokumentarin e prezantuar gjatë ceremonisë. E prej atëherë, më mijëra shqiptarë i janë bashkuar “Fundjavë Ndryshe”, të gjithë me një qëllim, të ndihmojnë me sado pak.
Të ftuar në ceremoni ishin figura të shumta publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, politikanë, artistë. Ndër ta ishte dhe aktorja e madhe Tinka Kurti e cila emocioni gjithë sallën me një poezi për nder të Nënë Terezës. Kjo pasi ‘Fundjavë Ndryshe’ u vlerësua nga Presidenti Meta me dekoratën e lartë “Nënë Tereza”.
“Lum ajo nënë që e ka lindur, lum ai baba që e ka rritur, lum familja që ka një fëmijë të tillë. Por, mbi të gjitha lum Shqipëria që po gëzon një mrekulli. Dhe ne këtë mrekulli e kemi këtu,”- iu drejtua aktorja me fjalë të ndjera, drejtuesit të “Fundjavë Ndryshe”.
Gjatë ceremonisë u shpërndanë edhe çmime për kontributin vullnetar dhe nxitjen e vullnetarizmit.
Drejtuesi i Fundjavë Ndryshe Arbër Hajdari prezantoi projektin më të ri, e cila sipas tij është më e madhja në Ballkan, ‘Qendra e solidaritetit’.
“Qendra e solidaritetit është një projekt i menduar rreth një vit më parë. Por, kemi ardhur drejt finalizimit pasi kemi marr dhe tokën për ta realizuar qendrën. Ajo do të përmbajë një shkollë profesionale, një qendër rehabilitimi. Do të jetë qendra e administrimit, do të ketë kapanonet e magazinimit. Me qëllim që ta bëjmë këtë qendër në përmasa shumë të mëdha.”
Një projekt ky i mbështetur dhe nga qeveria. Për të cilin kryeministri Edi Rama shpjegoi se do të jetë një Partneritet Publik Privat.
“Kur kam publikuar shtëpinë e parë që rindërtuam, Arbëri më çoi një mesazh. Dhe në njëfarë mënyre më përshëndeti me ironi për hapin tim të parë; duke më thënë që si fillestar nuk je keq, por mund të bësh diçka më shumë se kaq. Nëse pranon të them një ide, duke më treguar për qendrën e solidaritetit.
Dhe kështu ramë dakord që të bëjmë një PPP. Ku sigurisht gjithë pjesa e udhëheqjes dhe administrimit do të jetë e ‘Fundjavë Ndryshe’. Por, ne do të ofrojmë gjithë arsenalin tonë të emergjencave, që sot janë të gjitha të përqendruara në urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes. Si edhe do të ofrojmë sistemin e mbështetjes ekonomike dhe përkrahjes sociale.”
Gjatë fjalës së tij, kryeministri vlerësoi fondacionin “Fundjavë Ndryshe”, duke thënë se pasi të largohet nga kjo punë, drejtori i tij do të jetë Arbër Hajdari.
“Unë për vete për arsye sesi më ka ardhur jeta, nuk kam pasur ndonjëherë drejtor. Kur të iki nga kjo punë, nëse do të kem ndonjëherë drejtor do të jetë Arbëri. Dhe me shumë kënaqësi, bashkë me Agim Fagun do të jemi vartës të ‘Fundjavës Ndryshe’,” -përfundon kryeministri fjalën e tij./ TIRANA TODAY