Sot luhet sfida më e madhe e futbollit botëror, “El Clasico” ku përballen yjet e futbollit në stadiumin mitik “Santiago Bernabeu”. Dy ekipe legjendare që kanë fituar gjithçka, 22 futbollistë që kanë shkruar historinë e viteve të fundit do të zbresin në fushë për të treguar se kush është numri një, kush mbretëron në LaLiga. Sfida do të zhvillohet në një orar të pazakontë, në mesditën e të shtunës në orën13:00, por kjo nuk ka prishur aspak interesin e tifozëve për këtë event madhështorë që është më shumë se një ndeshje.
Kjo do të jetë El Clasico e 175-të, që luhet në La Ligën spanjolle, me madrilenët që kanë fituar 72, katalanët 69 dhe 33 kanë përfunduar në barazim. Në total, në të gjitha kompeticionet, por edhe takimet miqësore, të dy skuadrat janë përballur 269 herë dhe dominimi është i Barcelonës me 111 fitore, kundrejt 99 të madrilenëve. Përveç madhështisë së 2 skuadrave, një tjetër duel e ka rritur ‘magjinë’ e kësaj përballjeje në 8 vitet e fundit. Bëhet fjalë për dy prej futbollistëve më të mirë të globit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, të 2 fitues 5 herë të Topit të Artë dhe liderë në skuadrat respektive. Të dy këta futbollistë i kanë dhuruar plot 41 gola El Clasicos, 14 asiste dhe plot numra spektakolarë.
Situata është e tillë që Real Madrid do të tentojë gjithçka për të fituar ndeshjen, për të shkurtuar diferencën e krijuar në këtë fillim sezoni në kampionat. Barca kryeson tabelën me 42 pikë, 6 më shumë se vendi i dytë dhe 11 më shumë nga Real Madrid(me një ndeshje më pak). Kjo situatë i jep nuanca më të forta këtij El Clasico, pasi skuadra e Zidane do të vendosë fatin e kampionatit. Ndërsa ajo e Valverde do të kënaqej edhe me një barazim ndoshta, pasi gjithçka flet në favorin e tyre.
Po ndeshja e sotme do të kalojë përtej fushës së futbollit, pasi ngjarjet politike të referendumit të Katalonjës ka ndikim tek të dy ekipet. Barcelona njihet si ekipi katalan dhe është në mbështetje të rajonit që kërkon pavarësinë, kjo që në kohën e mbretit Franko i cili i vendosi moton “më shumë se një klub”. Nga ana tjetër madrilenët njihen si ekipi i kryeqytetit ku ka pasur gjithmonë mbështetjen e qeverisë spanjolle. Për këtë fakt këtë ditë do të ketë edhe një sfidë mes tifozëve të cilët janë në pole të kundërta si me ekipet në fushë por edhe me politikat që mbështesin.
Formacionet zyrtare:
Real Madrid: Navas, Carvajal, Ramos, Varane, Marcelo, Kroos, Modric, Casemiro, Isco, Benzema, Ronaldo.
Barcelona: Ter Stegen, Sergi Roberto, Pique, Vermaelen, Alba, Busquets, Rakitic, Iniesta, Paulinho, Messi, Suarez.