E shtunë, 31 Korrik, 2021
31.5 C
Tirana

Fati i kryetarit të PD-së, 3 kandidatët që do të sfidojnë Lulzim Bashën

Nga: Marsela Sinani

Lulzim Basha 47 vjeç, Fatbardh Kadilli 55 vjeç, Edith Harxhi 48 vjeçe dhe Agron Shehaj 44 vjeç, aderojnë në të njëjtën parti, e në të njëjtën kohë janë kandidatë për kryetar të PD-së. Në datën 13 qershor, anëtarët e PD-së do të zgjedhin drejtuesin e ri të partisë, dhe në garë për këtë janë kryetari aktual Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj.

Të katërt këta personazhe i përkasin pothuajse të njëjtit brez. Mos duhej vallë që PD-ja pas 25 prillit të bënte një analizë të thelluar për shkaqet e humbjes, dhe më pas t’i drejtohej procesit për të zgjedhur kryetarin e saj të ri? A patën kohë të mjaftueshme kandidatët që të përgatiteshin, për të paraqitur një platformë konkrete para mbështetësve? Fituesi i garës në partinë më të madhe opozitare, është e paracaktuar apo jo?

Kryesia e Partisë Demokratike votoi unanimisht që në zgjedhjet e 13 qershorit për zgjedhjen e kryetarit të garojnë 4 kandidatë, nga 9 që ishin në listë. Kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj janë 4 kandidatët zyrtarë për kryetarin e ri të PD-së të votuar unanimisht nga kryesia për të hyrë në garë. Për Fatbardh Kadillin duket se kjo është beteja më e madhe dhe sfida e jetës, ndërsa ka marrë guximin për të bërë një garë për një PD ndryshe. Një rast që i erdhi pas 30 vitesh në Partinë Demokratike. Edith Harxhi është e vetmja grua e cila garon përballë burrave të PD-së. Biznesmeni dhe filantropi i suksesshëm Agron Shehaj hodhi një hap më tej në politikë, ndërsa emri i tij ishte një surprizë e vërtetë. Mbetemi për të mësuar nëse suksesin që ka në biznes, do e ketë edhe në politikë.

LULZIM BASHA 

Lulzim Basha lindi më 12 qershor 1974 në Tiranë, është politikan shqiptar, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ish-deputet i Legjislaturës XVIII të Kuvendit të Shqipërisë, kryetar i PD-së dhe ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë mandatit 2011-2015. Basha iu bashkua PD në janar të vitit 2004 si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) në Partinë Demokratike, duke qënë përgjegjës për koordinimin e punës së ekspertëve dhe komisioneve të KOP-it në përgatitjen, diskutimin dhe shpalljen e 17 projekt-platformave qeverisëse për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ai u bë anëtar i kryesisë së partisë në maj të atij viti. Ai shërbeu si zëdhënës i partisë gjatë zgjedhjeve parlamentare vitit 2005, në të cilat ai u zgjodh në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i zonës zgjedhore nr. 33 në Tiranë, një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demokratike. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, Lulzim Basha u bë Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ku ai shërbeu për një periudhë prej dy vjetësh, derisa ai u emërua Ministër i Punëve të Jashtme në vitin 2007. Si Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Basha filloi veprën më të madhe infrastrukturore në historinë e Shqipërisë, Rrugën Durrës-Kukës, që përfshin ndërtimin e një tuneli 5.6 km. Kjo rrugë bashkon Shqipërinë me Kosovën, dhe njihet ndryshe edhe si Rruga e Kombit. Në vitin 2007, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Theodhori Sollaku, i kërkoi parlamentit të heqë imunitetin e Bashës nga ndjekja penale, në mënyrë që ai mund të fillonte një hetim me akuzën për korrupsion dhe abuzim të pushtetit në lidhje me dhënien e kontratës së ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës një kompanie të përbashkët amerikano-turke. Basha i kërkoi parlamentit të heqë imunitetin e tij dhe në të njëjtën kohë i konsideroi akuzat si të motivuara politikisht. Gjykata e Lartë e Shqipërisë i rrëzoi të gjitha akuzat. Dy vjet më vonë, Prokurori i Përgjithshëm Thedhori Sollaku u shkarkua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për shkelje të Kushtetutës. Tani ai bën pjesë në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste. Basha shërbeu si Ministër i Punëve të Jashtme nga maji 2007 deri në shtator 2009. Gjatë mandatit të tij, Shqipëria u pranua në NATO, ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe filloi dialogun për të siguruar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj në vendet e Shengenit.

Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në të cilat Lulzim Basha u zgjodh deputet i Elbasanit, ai u emërua si Ministër i Brendshëm në qeverinë e re Berisha. Si Ministër i Brendshëm, ai punoi për zbatimin e të gjitha kritereve të kërkuara për udhëtim pa viza të shqiptarëve në vendet Shengen, përfshirë modernizimin e vendkalimeve kufitare të Shqipërisë dhe sistemit të policisë së emigracionit, lëshimin e pasaportave biometrike të sigurisë së lartë dhe një luftë më të ashpër kundër veprimtarisë kriminale dhe pasurive kriminale.

Në vitin 2011, Basha kandidoi për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si kandidat i Partisë Demokratike dhe Koalicionit Aleanca për Qytetarin, duke sfiduar Edi Ramën, kryetarin e atëhershëm të Bashkisë dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Fushata zgjedhore e Bashës u fokusua në projektet për Tiranën dhe qytetarët e saj dhe jo në sulme personale ndaj kundërshtarit të tij. Pas një procesi të gjatë numërimit të votave, Basha u zgjodh kryetar i ri i Bashkisë së Tiranës.

Nga maji i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nga prilli i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Pas dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Lulzim Basha shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike më 22 korrik 2013, Lulzim Basha fitoi kundrejt kandidatit tjetër Sokol Olldashi, duke fituar 80% të votave të anëtarësisë se PD. Në këtë garë për herë të parë u zbatua parimi “një anëtar një votë”.

AGRON SHEHAJ

Agron Shehaj u lind në qytetin e Vlorës. Ai emigroi drejt Italisë bashkë me familjen në vitin 1991. Shkollën e mesme e kreu në Bolzano, Itali, ndërsa studimet e larta për ekonomik i përfundoi në Firenze. Ne vitin 2005 Shehaj vendos të kthehet në Shqipëri, dhe që aty ai i ngjiti me shpejtësi shkallët e suksesit në fushën e biznesit të telemarketingut, duke u bërë lider në tregun ndërkombëtar. Sestante Holding është grupi i kompanive që ai drejton me aktivitet të shtrirë në Europë dhe Amerikë, duke u pozicionuar si një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në tregun shqiptar. Në vitin 2017 filloi angazhimi i tij politik si kryesues i listës së Partisë Demokratike në Vlorë, duke e shtrirë kontributin e tij në komunitet në një dimension tjetër. Aktivizimi i tij politik ka spikatur kryesisht në denoncimin e tenderave korruptive, mbrojtjes së teatrit dhe përkrahje të njerëzve në nevojë.

EDITH HARXHI

Edith Harxhi ka lindur në Tiranë dhe është specialiste në fushën e shkencave politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo ka studiuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Edinburgut, Britani e Madhe. Më pas, ka kryer vitin e parë të Doktoraturës (Ph.D.) në Universitetin Bilkent të Ankarasë. Pas studimeve universitare ajo u zhvendos në Turqi ku punoi si zëvendësambasadore në ambasadën shqiptare në Ankara. Më pas, ajo punoi në Kosovë me Kombet e Bashkuara në çështjet gjinore, ku në partneritet me grupet e grave nga parlamenti dhe shoqëria civile hartoi Ligjin e parë të Barazisë Gjinore të Kosovës. Edith Harxhi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në lobimin e pavarësisë së Kosovës. Ajo ka mbajtur funksionin e zëvendësministres së Punëve të Jashme në vitet 2005-2013. Gjithashtu, ajo ka qenë përgjegjëse në marrëdhëniet e diplomacinë ndërkombëtare si dhe në procesin e integrimit të Shqipërisë.

FATBARDH KADILLI

Fatbardh Kadilli ishte deputet i PD në Legjislaturën e 18-të të Kuvendit të Shqipërisë. Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, pas rezultateve në zgjedhjet e 25 prillit. Kadilli ka shpallur kandidimin për detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike.

PLATFORMAT E KANDIDATEVE

Platforma e Fatbardh Kadillit

NJË PD E PASTËR, E HAPUR, E BASHKUAR, FITUESE

Për një parti më të madhe se kryetari

1-Ndarja e rolit të kryetarit nga administratori i Partisë: Kryetari e udhëheq politikisht partinë për katër vjet. Mandati i kryetarit mbaron automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Ai ose është kryeministër, ose largohet.

2-Administrimi i Partisë do të drejtohet nga një këshill të urtësh që do të ketë mandat 6 vjeçar. Këshilli regjistron anëtarësinë, strukturat dhe drejton proceset zgjedhore në parti për forumet dhe kandidatët për Bashki dhe Parlament.

3-Parimi ‘një anëtar, një votë’ për zgjedhjen e çdo kryetari, nga seksioni te kryetari i partisë. Primaret për kandidatët për Bashki dhe Parlament, të paktën një vit përpara zgjedhjeve.

4-Struktura e partisë ndërtohet mbi bazën e garës elektorale. Çdo ZAZ do të ketë kryetar që zgjidhet me ‘një anëtar, një votë’ dhe që është deputeti i ardhshëm, ose në rast humbje, përfaqësuesi i popullit të atij territori.

Për një PD të Hapur dhe të Bashkuar

5-Struktura e partisë do të jetë elastike. Seksione, jo vetëm territoriale, por edhe mbi baza profesionesh, grupesh interesi dhe profilesh. Veç forumeve vertikale në territor, edhe forume horizontale.

6-Legjitimimi i fraksioneve: Çdo anëtar/e mund të krijojë ‘partinë’ e vet. Nuk të cakton askush kryetar. Merr iniciativën dhe krijo forumin tënd.

Për një PD më të madhe se Vetja

7- Jo më një Forum rinor i plakur, me gjuhë dhe sjellje të plakur, që shërben si dekor aktivitetesh partie dhe qëndron në paradhomën e partisë për t’u infektuar nga sëmundjet e politikës, por një forum që afron rininë, kauzat dhe shqetësimet e saj, aksionin dhe qëllimet e saj në parti. Një forum i epokës digjitale ku çdo i ri apo e re kontribuon me aksionin e vet me agjenden e vet, me idetë dhe nismën e vet.

8-Jo më një forum grash, pasionante të PD që çojne PD te Gratë. Por, një Lidhje Grash që sjellin shqetësimet, kauzat, interesat, projektet, nismat e grave në PD.

9-Një raport tërësisht i ri me median dhe aksionin qytetar. Shoqëria është shumë më pluraliste se politika. Shoqëria ka prodhuar shumë më tepër vlera se politika. Ky partneritet e bën PD më të madhe se vetja.

Për një PD fituese

10-PD do të ketë kauzat e reja që reflektojnë interesat e kësaj shoqërie plurale, dhe jo kauza ngushtësisht politike, apo vetëm me përfitim politik.

Frymezuese

PD që shnëdrrohet në lëvizje popullore, është ajo që frymëzon jo vetëm veten, jo vetëm mbështetësit por gjithë shoqërinë.

Një PD që ngrihet mbi tre kollona:

  • Një forcë politike që ka lidhje të shkurtër dhe të pandërprerë me qytetarin, me shqetësimet dhe  interesin e qytetarit politik. Zgjimi i individit politik.
  • Një forcë politike partnere e besushme që nuk zhgënjen. Një forcë politike që ndërton vetem mbi vlera, partneritetin me qytetarin, me shoqërinë civile, mediat, biznesin dhe partnerët strategjik që mbrojnë sigurinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe orientimin Perëndimor.
  • Një PD që riorganizohet duke garantuar hapësirë për cdo individ politik të shprehi talentin, ambicien, forcën, përfaqësimin dhe idetë politike, që garantojnë zhvillimin e kauzave politike nga cdo kush, zhvillimin e karrierës në mënyrë të papenguar nga burokracia politike.

Një PD e vërtetë

Një PD që manifeston në çdo gjë vlerat që promovon. Një PD që sillet dhe vepron në përputhje absolute me cfarë shpall. Një PD që ka të njëjtin standard si për vete ashtu dhe për kundërshtarët.

Një PD që ndahet nga cdo trashëgimi e keqe edhe e vetvetes

Detyra e PD është largimi nga pushteti i Ramës dhe i modelit të qeverisjes dhe politikës ku politika, media, biznesi dhe bota e nëndheshme janë shndërruar në një pushtet abuzues mbi qytetarin.

Ndryshoj PD që të Ndryshoj Shqipërinë

PD që une do drejtoj do luftojë për rishikimin e funksionimit të republikës sonë:

Rishikimi i ndarjes administrative sipas zërit të qytetarëve, sipas parimit të subsidiaritetit dhe sipas modeleve që u diskutuan në mënyrë të pavarur nga axhenda e pushtetit dhe i formatuar në një propozim alternativ nga shoqata e komunave;

Rishikimi i Kodit Zgjedhor për të garantuar përfaqësim dhe stabilitet qeverisës;

Plotësimi i organeve të drejtësisë për një drejtësi eficiente. Demokracia dhe Liria amerikane që është modeli im, nuk u mbrojt nga politika por u mbrojt nga gjykatat dhe sistemi i drejtësisë;

Forcimi i demokracisë direkte – referendumi mjet i vullnetit të popullit; referendumi lokal ushtrimi i demokracise dhe perfshirjes;

Rishikimi i kushtetutës, ose ribërja e saj për të rivendosur në balancë institucionet e kuvendit, qeverisë dhe presidentit.

Disa nga propozimet e Edith Harxhit 

➢ Partia Demokratike t’iu kthehet anëtarëve të saj dhe t’i shërbejë interesit qytetar;

➢ Të vendosen debati dhe konkurrenca e lirë brenda partisë;

➢ T’i jepet fund emërimeve nga ana e Kryetarit apo Kryesisë së Partisë;

➢ Të mundësohet decentralizimi dhe autonomia e degëve të partisë nëpër qarqet e vendit.

➢ Të ndodhë bashkimi i partisë rreth vlerave dhe parimeve të djathta dhe rikthimi i çdo personalitetit e kontribuesi, që prej themelimit të partisë dhe atyre që e konsiderojnë Partinë Demokratike shtëpinë e tyre. Kështu, do të arrijmë një ringritje, bashkim dhe forcim të së djathtës shqiptare;

➢ Te pranohen të rinjtë shqiptarë dhe kontributi, idetë dhe vizioni i tyre të jenë pjesë e programit qeverisës. Forumi Rinor dhe Lidhja Demokratike e Gruas duhet të ketë të drejta si gjithë anëtarësia e Partisë dhe anëtarët e FRDP-së dhe LDGSH-së të jenë anëtarë partie. Në kohën e inteligjencës artificiale, idetë e reja dhe vizioni për të ardhmen duhet të jenë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike.

➢ Gjithashtu, partia duhet të ketë një Akademi Politike funksionale, e cila do të trajnojë brezin e ri të politikanëve të djathtë.

➢ Të pranohen të gjithë anëtaret e Lidhjes Demokratike të gruas anëtare me të drejtë vote të barabartë si gjithë anëtarët e tjerë të partisë.

Platforma e Agron Shehaj

Partia Demokratike ka nevojë për reforma të thella. Ajo duhet të bëhet më e lirë, më meritokratike dhe më transparente ndaj publikut. Kështu do shpërblehen ata që e çojnë në fitore, kështu do mund të afrohen anëtarë të rinj dhe të aftë. Platforma që propozoj përmban këto 4 pika;

Pika 1: Propozoj se në Statut të sanksionohet se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ketë vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet, dhe të japë dorëheqjen kur humbet zgjedhjet parlamentare duke mos kandiduar më, pa asnjë justifikim, pa asnjë përjashtim.

Pika 2: Propozoj qe në Statutin e Partisë Demokratike të sanksionohet parimi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia me parimin “një anëtar, një votë”.

Pika 3: Sistem elektronik për shprehje mendimesh dhe votime nga anëtarësia.

Pika 4: PD nuk do të pranojë financime nga sipërmarrës të mëdhenj, përfitues të fondeve publike, të përfolur në afera publike”.

Më 13 qershor, demokratët do të vendosin nëse do të zgjedhin mes kauzës së Lulzim Bashës për të zbardhur masakrën zgjedhore, Fatbardh Kadillin që synon një PD më të madhe se kryetari, Edith Harxhit me një vizion të ri mbi vlerat e ’90, apo do zgjedhin ti besojnë vizioneve të një sipërmarrësi si Agron Shehaj./TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Bashkia merr pronësinë e Teatrit/ Budina: Meta dhe Basha të mos heshtin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka protestuar ndaj vendimit të qeverisë për t’i kaluar truallin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Regjisori...

Lamtumirë doktor!

Nga Dritan Hila Ka kohë që diplomatët amerikanë kanë hequr dorashkat. Jo më larg se dje, ambasadorja e SHBA me një gjuhë cinike iu tha...

Shkelën rregullat kundër Covid, përjashtohen 2 sportistë nga Olimpiada në Tokio

Dy xhudistë të Gjeorgjisë janë përjashtuar nga Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi kanë dalë për shëtitje jashtë Fshatit Olimpik, ka raportuar agjencia japoneze e...

117 milionë euro, Manchester City pranë blerjes rekord

Manchester City është shumë afër goditjes së radhës në merkato. Sipas shtypit anglez, mungon shumë pak për arritjen e marrëveshjes për mesfushorin e Aston Villa-s,...

Koronavirusi/ Profesori grek: Do të krijohen më shumë mutacione ngjitëse

Profesori Theodoros Vasilakopoulos në një intervistë për mediat vendase, foli për rrjedhën e pandemisë në vend dhe procesin e vaksinimit ku thotë se ashtu...