E shtunë, 31 Korrik, 2021
31.5 C
Tirana

Shpërthimi i kontrolluar i ‘gjobës’ Becchetti

Nga: Agim Baçi

Dikur qarkullonte në internet një letër që një vajzë i dërgonte së ëmës, e cila në thelbin e saj lidhej me gjetjen e një rruge që të mos e zemëronte shumë prindërit e saj për faktin se e kish ngelur në një provim në universitet. Letra pak a shumë kishte këtë përmbajtje: “Nënë e dashur, nuk kisha guximin që të vija përballë teje e të të thosha në sy hallin, me të cilën po përballem. Unë sot jam e dashuruar. Kam më shumë se një vit e lidhur me një djalë. Ka qenë e vështirë për mua t’jua thosha. Jo se nuk e mendonit se do dashurohesha në universitet, por për faktin se ai është me ngjyrë tjetër nga e jona. Ai është afrikan, nga një vend i varfër dhe ngjyra e errët e lëkurës së tij më stepte që të vija e t’jua thosha. Por tashmë lidhja jonë ka marrë një hap të rëndësishëm në jetë, sepse presim një fëmijë. Por, mama, më duhet të të them, me shumë keqardhje se, pasi mbeta shtatzënë, rezultoi se i dashuri im ishte me SIDA dhe, për fat të keq, ka rënë edhe në burg. Tashmë kam frikë se këtë sëmundje e kam edhe unë dhe fëmija që pres…..

E dashur mama, asgjë nga këto që shkrova më lart nuk është e vërtetë. Thjesht kam mbetur në provim, por s’dija si t’jua thosha”.

Komunikimi i qeverisë shqiptare dhe pranimi i humbjeve financiare nga skandalet e sotme ka qenë fiks si kjo letër e vajzës drejtuar së ëmës. Për çdo skandal, qeveria aktuale ka paguar amortizatorët e saj publikë në media, duke gjetur mënyra të ndryshme që humbjet të mos shihen me peshën e tyre e të mos kuptohen pasojat e tyre të vërteta për publikun dhe për shtetin e së drejtës. Edhe pohimi nga ana e “Avokates së Shtetit” për pagesën e gjobës ndaj biznesit italian, Francesco Becchetti, i ngjan skemës së “procesit të shpërthimit të kontrolluar dhe telekomanduar”, duke na shfaqur një situatë sikur ne, si popull, duhet të ndihemi me fat që jemi gjobitur vetëm me 110 milionë euro e jo me aq sa kishte ndërmend vetë Becchetti!!!!

Sipas Avokates së Shtetit, që raportoi në Kuvend dy ditë më parë lidhur me proceset gjyqësore të shtetit tonë, sidomos në gjykatat ndërkombëtare, ne duhet të jemi të gëzuar me këtë shumë prej 110 milionë eurosh, pasi gjoba që biznesmeni italian pretendonte të na fitonte ishte shumë më e madhe dhe se ishin katër gjyqe, me të cilat ishim përballur dhe se ai tashmë ka arritur të na “zhvatë” vetëm njërin prej tyre. Edhe pse shuma nuk është e saktë, se ka edhe më shumë bishta milionëshe që do të paguhen për të plotësuar këtë gjobë, kjo mënyrë qesharake që qeveria tashmë ua hedh shqiptarëve për një gjobë që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, është një formë e talljes së hapur, madje një model i sjelljes arrogante ndaj të gjithë shqiptarëve që do paguajnë nga xhepat e tyre për tekën e kryeministrit të tyre.

Është me shumë rëndësi të themi se humbja e gjyqit kundër Becchettit është shumë më e rëndë se shifra e gjobës që do paguajmë, pasi kemi të bëjmë me një gjyq të humbur në arbitrazh ku është theksuar, në formë përfundimtare e në çdo shkallë apelimi se, shkak për këtë humbje kaq të madhe parash ka qenë një tekë e dyshes Rama & Veliaj, për të hequr qafe mediat që nuk ishin nën orkestrën e tyre të propagandës. Pra, nga një anë kemi një gjobë të majme, që do ta paguajnë shqiptarët dhe nga ana tjetër, kemi faktikisht një Kryeministër dhe një kryebashkiak, të dënuar publikisht dhe me vendim përfundimtar për tekat e tyre për të vënë nën kontroll pushtetin e katërt – median.

Sado përpjekje të ketë nga qeveria për të minimizuar apo për të vonuar këtë proces të gjobës, sërish nuk mundet që ne të fshihemi pas relativizimit të përhershëm që bën maxhoranca aktuale me të keqen që u shkakton qytetarëve të saj jo vetëm në para, por edhe në besimin ndaj demokracisë, ndaj institucioneve. Vetë Rama u pa gjatë fushatës që falënderoi patronazhistët, edhe pse skema e përdorur për furnizimin e tyre me informacion ishte shumë e dyshimtë për jetën e gjithkujt nga ne, pasi bëhet fjalë për një përgjim të hapur të jetëve tona. Por ai kështu ka mbrojtur ish-ministrin Saimir Tahiri kur ai akuzohej për mbjelljen e Shqipërisë me kanabis. Në këtë mënyrë mbronte pasuesin e tij, Fatmir Xhafaj, teksa hynte garant se e kish kontrolluar zërin e vëllait të tij në përgjime në një laborator, që nuk u rrëfye kurrë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit u lejua brenda natës të transferohej në Itali, ashtu siç u postua dhe dëshmitari i Habilajve, që sot endet i lirë, pa u marrë kurrë në pyetje nga organet e hetuesisë shqiptare.

Por cila është garancia për këtë relativizim kaq arrogant të së keqes dhe e talljes së hapur publike që bën sot Rama dhe gjithë enturazhi i tij në PS me shumicën e shqiptarëve? Si është e mundur që edhe pas humbjes së një gjyqi të tillë në një gjykatë ndërkombëtare, të mos ketë një nisje hetimi në Shqipëri, edhe pse janë bërë denoncime nga opozita?

Pa dyshim që garancia e maxhorancës në këtë tallje është drejtësia e sotme, e cila nuk guxon as t’i marrë nën hetim formalisht të akuzuarit e sotëm të maxzhorancës. Mjaft të shohim edhe rastin e gjyqit për Saimir Tahirin, që nuk u hetua për asnjë nga akuzat, për të cilat edhe u nis procesi, por u dënua për “shpërdorim detyre”, që nuk ishte kurrkund në atë dosje. Në këtë mënyrë, relativizimi i dëmeve u tret, edhe dosja e përgjimeve “339” dhe “184”, duke u kthyer në pingpong mes prokurorive, deri sa u gjetën disa hallexhinj nga “fshati Rreckaj”. Apo edhe rasti i hetimit për blerjen e pajisjeve spitalore dhe tamponëve, ku u vërtetua çmimi disafish më i lartë se tregu, por “u kritikua” vetëm komisioni ofertues!!!

Opozita mund dhe duhet të shohë pa dyshim edhe nga vetja, që të gjejë rrugët për të ftuar shqiptarët të mos lejojnë që të tallen e ndëshkohen për tekat e qeveritarëve, pasi dëmet dhe korrupsioni që shkakton qeveria, rëndon mbi xhepat e tyre dhe mbi cilësinë e jetës së tyre përballë së drejtës. Por, asnjë opozitë nuk do mund të kishte një sukses, në asnjë vend, nëse drejtësia lejon që zyrtarët të tallen kaq hapur me paratë e taksapaguesve e që të mos ndëshkohen. Nëse nuk do të kemi hetime dhe ndëshkime as për Becchetin, as për shembjen flagrante të Teatrit Kombëtar, as për skandale të tjera, SPAK-u më mirë le të imitojë letrën e studentes për të ëmën dhe të na qetësojë me idenë se me këtë qeveri mund të ishim edhe më keq. Shumë më keq. Sepse nuk ka asgjë më të keqe në një shoqëri sesa drejtësia selektive dhe se sa heshtja ndaj së keqes. Institucionet e hetimit që heshtin ndaj kësaj të keqeje kaq flagrante, janë pa dyshim bashkëpunëtorët e rrënimit të shpresës se demokracia mund të funksionojë. Kësaj heshtjeje i shtohen edhe ato segmente të medias që, si “vrasës me pagesë”, godasin këdo që i kërkon llogari qeverisë dhe mbështesin çdo variant të fshehjes së fakteve, të fshehjes së vjedhjeve. Dhe mungesa e drejtësisë, dhe heshtja e mediave ndaj së keqes, shkakton atë indiferencën e madhe të qytetarëve për të kërkuar një qeverisje ndryshe. E, siç thotë edhe filozofi dhe ekonomisti Edmond Burke: “Të keqes i mjafton një kusht për të arritur të triumfojë- indiferenca e njerëzve!”.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Bashkia merr pronësinë e Teatrit/ Budina: Meta dhe Basha të mos heshtin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka protestuar ndaj vendimit të qeverisë për t’i kaluar truallin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Regjisori...

Lamtumirë doktor!

Nga Dritan Hila Ka kohë që diplomatët amerikanë kanë hequr dorashkat. Jo më larg se dje, ambasadorja e SHBA me një gjuhë cinike iu tha...

Shkelën rregullat kundër Covid, përjashtohen 2 sportistë nga Olimpiada në Tokio

Dy xhudistë të Gjeorgjisë janë përjashtuar nga Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi kanë dalë për shëtitje jashtë Fshatit Olimpik, ka raportuar agjencia japoneze e...

117 milionë euro, Manchester City pranë blerjes rekord

Manchester City është shumë afër goditjes së radhës në merkato. Sipas shtypit anglez, mungon shumë pak për arritjen e marrëveshjes për mesfushorin e Aston Villa-s,...

Koronavirusi/ Profesori grek: Do të krijohen më shumë mutacione ngjitëse

Profesori Theodoros Vasilakopoulos në një intervistë për mediat vendase, foli për rrjedhën e pandemisë në vend dhe procesin e vaksinimit ku thotë se ashtu...