Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Rama se ka gënjyer për hapjen e negociatave me BE. Në një komunikim me gazetarët nga selia blu, Basha shigjetoi kryeministrin se po mashtron sërish, dhe se BE ka shtuar kushtet për Shqipërinë.
Në morinë e akuzave, Basha ka bërë përgjegjës Ramën, se ka dështuar me gjithçka, dhe se i ikën përgjegjësisë. Sipas tij, ai i ikën përgjegjësisë për të mbrojtur kriminelët në qeveri.
“Është bërë aq i parashikueshëm, sa fjalimin e sotëm e parashikova 2 muaj më parë. Negociatat, janë dështim i Edi Ramës. Ka vetëm vulën e tij përsipër.
Premtoi se do të hapte negociatat, dhe dështoi si në çdo premtim tjetër. Shqiptarët e dinë fare mirë, që ky s’është dështimi i parë, as i dytë dhe as i tretë. Për këtë arsye Shqipëria është në krizë dhe shqiptarët po largohen, ndërsa kushtet shtohen. U bënë 9.
Vendet e tjera të rajonit ecin para. Nëse do ishte e vërtetë se këto vende janë kundër zgjerimit, atëherë pse i thonë “PO” Maqedonisë, dhe “JO” Shqipërisë.
Ai ka dështuar me gjithçka, dhe i ikën përgjegjësisë. Duke i ikur përgjegjësisë për gjithçka, për mbrojtjen e kriminelëve në qeveri, nga Tom Doshi te Vangjush Dako, nga Pjetri tek Kajmaku, duke e fshehur faktin se edhe këtë vit vendi ka kultivuar sasi rekord kanabisi.
Jo vetëm heq fajin, por fakton para vendit dhe ndërkombëtarëve, që nuk e do integrimin e vendit. Në një vend të tillë, një kryeministër që bën ligje për të vjedhur vendin e tij, nuk zgjat dot as 24 orë. Cili nga 9 kushtet reflekton probleme të politikës së brendshme të Gjermanisë? Le t’i marrim me radhë. Po 2 kushtet e reja, po Gjykata Kushtetuese, është përgjegjësi e CDU/CSU? Është një përpjekje e varfër, e dalë boje për të hedhur vëmendjen gjetkë. Është kapur me presh në duar”.