Lidhur me frikën që ka kapluar së fundmi qytetarët për një epidemi nga meningjiti, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli nënvizon se nuk ka vend për panik. Sipas saj, kjo është një situatë krejt e zakondshme, ndaj qytetarët nuk duhet që të panikosen.
Kujtojmë këtu se rasti i parë i të prekurve në vendin tonë ishte i efektivit, që ndërroi jetë pak ditë më parë. E ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News24”, zv.ministrja deklaroi se nuk kemi të bëjmë me një epidemi, por është një situatë e zakonshme e stinës.
“Në lidhje me panikun e meningjitit, është vërtet një sëmundje e rëndë, por është e zakonshme, që haset nëpër spitale, sidomos në këtë periudhë. Absolutisht fare që nuk mund të flasim për epidemi. Madje këtë vit ka pasur më pak raste. Nuk ka fare vend për panik, është një situatë e zakonshme, që ndodh të paktën në 20 vite që e ndjekim ne.
S’ka vend për panik dhe epidemi, e them këtë me shumë përgjegjësi. Po të hysh në detaje, do thosha le të fokusohemi më mirë te gjërat e mira, si psh, që nga 1 janari nuk do kenë më nevojë të shkojnë nëpër zyra për dokumente, pasi çdo gjë është online. Nuk do ketë më nevojë tani për qytetarët, të shkojnë e të kërkojnë dokumente pasi është detyrë e shtetit, që t’i marrë ato. Më mirë është që qytetarët të merren me këto gjëra të mira, që ua lehtësojnë jetën, se sa të merren me përralla, se meningjiti është një gjë e zakonshme”, përfundoi ajo.