Romani “Flama” i gazetarit Enkel Demi, është shpallur fituesit për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi 2021. I nënshkruar me pseudonimin Tom Kuka, romani “Flama” ka mundur të triumfojë në një garë me pesë emra që juria kishte nxjerrë në finale.
Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (European Union Prize for Literature #EUPL2021) jepet për shkrimtarë nga e gjithë Evropa. Çmimi përfshin 41 vende që janë pjesë e programit Evropës Krijuese – një iniciativë që synon të forcojë sektorët kulturorë dhe krijues të Evropës.
EUPL u lançua në 2009, dhe që atëherë njohu 135 autorë fitues përmes 12 botimeve. Çdo vit, EUPL vlerëson një fitues për çdo vend nga një e treta e vendeve pjesëmarrëse. Edicioni i këtij viti do të vlerësojë fituesit nga 14 vende: Shqipëria, Armenia, Bullgaria, Republika Çeke, Islanda, Letonia, Malta, Moldavia, Hollanda, Portugalia, Serbia, Sllovenia, Suedia, Tunizia.
Në këtë garë Shqipëria, kishte 5 autorë ku fitues u shpall Tom Kuka, me romanin e tij “Flama”. Demi renditet mes emrave të njohur, që po ashtu janë zgjedhur fitues në vendin e tyre si në Portugali Frederico Prederira apo Suedi Maxim Grigoriev.
Romani “Flama” është krijuar në muajt e karantinës, ndërsa ngjarjet lidhen me Tiranën e para një shekulli. Kush ka lexuar romanin e parë “Hide në kalldrëm”, do i dukej “Flama” si një vijim i ngjarjeve. E veçanta e Demit si autor është se emrin e pseudonimit mbi prozën e tij e ka edhe emër personazhi. Proza e Demit vjen përmes një stili ku magjikja dhe realja shkrijnë kufijtë me njëra tjetrën. Dhe një vrasje e pazbuluar duket shtrati më i sigurtë që këto dy botë të ecin rrjedhshëm.
Autorët shqiptarë në garë:
Ana Kove, Kambanat e së dielës, botues “Toena”.
Brajan Sukaj, Viti i Elefantit botues “Ombra GVG”.
Liridon Mulaj, Mos harro të më kujtosh, botues “Onufri”.
Loer Kume, Amygdala Mandala, botues “UET Press”.
Tom Kuka, Flama, botues “Pegi”.