Opozita ka bojkotuar sërish Parlamentin, duke zgjedhur të mblidhet në një hotel në Elbasan. Kryedemokrati Basha ka paralajmëruar publikimin e fakteve tronditëse, në mbledhjen e opozitës së bashkuar në Elbasan. Keto fakte, sipas tij, kanë të bëjnë me Xibrakën dhe laboratorin e kokainës. Basha tha me tone të larta se Shqipëria po destabilizohet nga krimi, sepse bashkëqeverisja e Ramës me krimin ka shkuar deri aty, sa peshorja anon nga krimi dhe Rama është thjeshtë një kryeministër kukull.
Ai hodhi akuza dhe ndaj kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, por edhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, si të lidhur me bandat e këtij qyteti. “Ndodhemi në qytetin simbol të bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, jo pak analistë e quajtën Elbasanin kryeqytet të krimit. Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe bandat e krimit nga Çelët te Sanxhaktarët me shokë, që vitin e kaluar treguan se kush sundon në këtë qytete, në këtë vend, kur goditën Policinë e Shtetit pa asnjë pasojë ligjore. Disa orë pas mesazheve tona nga Shkodra, ditën e hënë kanë zbarkuar atje forcat policore si i instruktuan qeveritarët e falimentuar të dorëzuar para krimit, por rezultati është zero, e gjithë është shfaqje propagandistike. Kështu ishte në Elbasan, asnjë nga banditët që goditën shefat e policisë nuk është arrestuar, ndjekur penalisht, asnjë nuk është në burg”.
Por sipas kreut demokrat, Elbasani ka dhe një specifikë tjetër, pasi aty u zbulua fabrika e drogës “Xibraka”, ku sipas Bashës, ishte i përfshirë drejtpërdrejt vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.
“Do të presin skandalin e radhës, dhe do të lenë të qetë familjet kriminale të Shkodrës, si lanë ata të Elbasanit. Është krimi që dikton dhe kjo është arsyeja pse qeveria po destabilizohet. Në më pak se 24 orë, dy familje do të ndahen nga dy fëmijë që kanë humbur jetën në akte kriminale. Kemi një kryeministër në letër që ka dorëzuar territorin e kontrollit kriminelëve, dhe bashkëpunëtorëve të krimit. Elbasani ka një simbolikë tjetër. Këtu është gjeneza e bashkëpunimit të Ramës me krimin. Fabrika e kokainës është çengeli kriminal që mban peng Ramën, përmes Olsi Ramës. Faktet e përfshirjes së tij në këtë aferë janë fshehur në mënyrë kriminale nga Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafa, dhe shokut të tij në polici, Ardi Veliu. Kjo është arsyeja pse u bllokua komisioni hetimor. Fakte tronditëse do të dalin dhe do të provojnë se këtu në Elbasan, Rama ngriti çengelin e krimit të organizuar”, deklaroi Basha.
Në fund të korrikut, nga Elbasani, deputeti i PD-së Ervin Salianji, bëri një denoncim të fortë ndërsa theksoi se bandat që sundojnë në këtë qytet kanë djegur makinën e dhëndrit të kryebashkiakut Qazim Sejdini. Sipas Salianjit, Policia e Shtetit fshehu ngjarjen, e cila thuhet se ka ndodhur javë më parë.
“Prej kohësh, qyteti i Elbasanit është në sundimin e bandave të udhëhequra nga Qazim Sejdini, dhe pa diskutim në mbështetjen e plotë të Edi Ramës.
Ditët e fundit në qytetin e Elbasanit kanë ndodhur ngjarje kriminale të rënda, të cilat jo vetëm e bëjnë qytetin e Elbasanit të lëngojë në pushtetin e bandave dhe kriminelëve me mbështetje politike, por e kthejnë edhe Policinë e Shtetit si një shërbëtore të fëlliqur të bandave dhe të kriminelëve, të cilët, pasi terrorizojnë qytetin dhe gjuajnë me armë në mes të qytetit, siç ka ndodhur dje, Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ekziston, jo vetëm që shërben vetëm për të mbrojtur dhe mbuluar ngjarjen e tmerrshme kriminale, por shërben edhe për të fshehur provat e krimit, apo për të mos bërë publike ngjarjen.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe javë më parë, kur bandat kërcënojnë dhe djegin makinën e dhëndrit të kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini dhe, po njësoj, Policia e Shtetit nuk bën asnjë lajmërim dhe fsheh ngjarjen.
Situata e qytetit të Elbasanit sot, i cili është i zaptuar nga krimi dhe nga banditët, nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë. Qytetarët dhe ne, Partia Demokratike, do ta çlirojmë qytetin e Elbasanit, ashtu si çdo qytet tjetër në Shqipërinë dhe të gjithë Shqipërinë nga lidhjet e bandave me pushtetin politik dhe kriminal pavarësisht sesa miliona kanë bërë, pavarësisht sesa prona ata kanë vendosur në emrin e tyre apo të miqve të tyre nuk do t’i gëzojnë dot, por do t’i kthehen qytetarëve dhe qytetit të Elbasanit, një prej qyteteve më fisnike dhe të nderuara të Shqipërisë.
Çfarë të dhënash ka Partia Demokratike në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme?
Salianji: Qytetarët kanë lajmëruar në Partinë Demokratike si institucioni më i besueshëm sot në Shqipëri, kanë sjellë informacione, kanë sjellë video dhe audio se si dëgjohen në shtënat me armë në mes të qytetit, duke u shkëmbyer nga makina në makinë me armë të tipit të rëndë, kallashnikov apo automatik. Policia e Shtetit ashtu siç edhe ju paskeni marrë informacion, e fsheh ngjarjen në mënyrë të turpshme, duke u bërë pjesë e njërës prej bandave që në fakt është banda e pushtetit të Edi Ramës, Qazim Sejdinit dhe Taulant Ballës.
Dhëndri i Qazim Sejdinit, i akuzuar për disa vepra penale
Sokol Sanxhaktari, dhëndri i Qazim Sejdinit, kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, njihet si person me precedentë penalë. Megjithëse policia e ka arrestuar atë disa herë, për vepra të ndryshme penale, Sanxhaktari sërish ka fituar lirinë, duke i shpëtuar drejtësisë me dënime qesharake.
Ai është proceduar pesë herë. Por të njëjta burime thanë se të pesta herët, procedimi penal s’arrin deri në fund. Në “inventarin” e veprave penale të Sokol Sanxhaktarit janë:
Më 9 qershor 2008: Sokol Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e Elbasanit për veprat penale të “Shkatërimit të pronës” dhe “Prishjes së rendit dhe sigurisë publike”.
Më 1 korrik 2008: Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e rrethit Elbasan me 3.4 milion lekë gjobë, për akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Së bashku me të u dënua dhe shoku i tij, Altin Mehja.
Më 29 qershor 2010: Sanxhaktari është dënuar me 3 muaj e 10 ditë burg për armëmbajtje pa leje dhe plagosje të lehtë në dëm të shtetasit Ervis Daka.
Më datën 31 tetor 2010: Është dënuar me 6 muaj burg për akuzën e “Armëmbajtjes pa leje” dhe “Kundërshtim të forcave të rendit”.
Më datën 4 prill 2016: Sanxhaktari është dënuar me 1 vit burgim, pasi është arrestuar me pistoletë pa leje dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Plagosjet ku rezulton i përfshirë dhëndri i kryebashkiakut
Në mëngjesin e datës 2 shtator 2008, dy persona u plagosën në lagjen “Qemal Stafa”, në afërsi të televizionit “Dardan”.Objektiv i atentatit ishte Endri Biçoku, 25 vjeç. Ai ishte duke dalë nga lokali në pronësi të shtetasit Ardjan Veci, i cili mësohet se edhe ky ngeli i plagosur. Policia identifikoi si autor të kësaj plagosje të dyfishtë Sokol Sanxhaktarin, dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Një vit më pas, Sokol Sanxhaktari është sërish protagonist i një tjetër plagosje. Në orët e para të mëngjesit të datës 26 dhjetor 2009, pranë ish-kinema “Metalurgu”, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”, mbeti i plagosur me armë zjarri, 27 vjeçari Julian Piu.
Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila identifikoi dhe shpalli në kërkim tre të rinjtë Sokol Sanxhaktari, Gjergji Verushi dhe Mirjam Dedja, si autorë të plagosjes së Julian Piut. Po kështu, në fillim të vitit 2010, Sokol Sanxhaktari akuzohet për plagosjen e një tjetër personi, në Elbasan. Këtë herë, viktimë e plagosjes ishte i riu Elvis Bako.
“Qazim Sejdinit i dërgojnë arkivol në shtëpi…”
Në tetor të 2017, ish-kryeministri Sali Berisha ndau me ndjekësit mesazhin e një qytetari dixhital nga Elbasani, që e vë theksin tek arrestimi i bujshëm i një anëtari të bandës “Çela”.
Sipas qytetarit, i kapuri atje është thjesht një ushtar. Ai shkon më tej sa përmend edhe emrin e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit, të cilit thotë se në shenjë hakmarrje i kanë dërguar në shtëpi një arkivol.
-Si e goditi “Audi” i blinduar makinën e policisë në Elbasan, dhe ndjekja me pistoletë në dorë si në filma
Duket si një aksion filmash, por në fakt kemi të bëjmë me një ngjarje reale të ndodhur në Elbasan. Makina e zv/drejtorit të policisë Gjergj Oshafi u godit në hyrje të tregut Agro-Ushqimor të qytetit nga një Audi i blinduar, i cili drejtohej nga djali i biznesmenit të njohur, Petrit Çela, Suel Çela.
Këto janë pamjet se çfarë ka ndodhur realisht atë natë, kur një patrullë policie po kryenin një operacion për kontrollin e makinave luksoze, kur ndaluan një mjet Range Rover.
Siç duket edhe nga pamjet e publikuara në emisionin “Opinion”, gjatë zhvillimit të operacionit dhe kontrollit të një makine tip Land Rover ka ndërhyrë makina e blinduar “Audi”. Ndonëse makina e zv/drejtorit ka tentuar ta ndalojë, drejtuesi i Audit nuk i është bindur dhe ka hyrë brenda ambienteve të biznesit të tregut Agro-Ushqimor, duke përplasur fillimisht makinën e policisë.
Me shpejtësi Audi është larguar, me ndihmën edhe të rojes së biznesit, i cili në pamje duket qartë që hap dhe mbyll derën menjëherë pas përplasjes.
Ajo që bie në sy është reagimi i efektivëve, të cilët kanë nxjerrë menjëherë armët (pistoletat), por roja u ka mbyllur derën dhe nuk i lejuar ata të ndjekin Audin që përplasi makinën e policisë. Menjëherë pas ngjarjes, policia shpalli në kërkim biznesmenin Petrit Çela. Ky i fundit reagoi një ditë më pas se nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Pas arrestimit të Enea Bekteshit i dyshuar si pjesëtar i bandës ‘Çela’ policia ka dhënë më tepër detaje për ngjarjen.
Bekteshi dyshohet gjithashtu të jetë edhe shoferi i mjetit tip “Audi” që goditi mjetin e policisë në Lagjen “Dyli Haxhire” pranë tregut Agro – Ushqimor.
Gjatë kontrollit të banesës në të cilën u kap i dyshuari u gjet një sasi lënde narkotike që i përkiste Bekteshit, e dyshuar si “Cannabis Sativa” dhe një mjet i mprehtë (bajonetë) që i përkiste kunatit, Aleks Pupuleku, 40 vjeç.
31-vjeçari pas incidentit me policinë ishte larguar nga Elbasani në drejtim të Cërrikut, duke u fshehur në shtëpinë e kunatit të tij, edhe ky i arrestuar nga policia për moskallëzim krimi.
Enea Bekteshi akuzohet për veprat penale vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë, shkatërrim i pronës me mjete të tjera dhe shitja e narkotikëve.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, policia arrestoi Ledio Zabelin dhe Kelmend Xhaferrin, të cilë u ndaluan në një makinë fuoristradë tip “Range Rover”, ku u gjet një sasi marijuane. Në momentin e ndalimit, makina të tyre, makina Audi e blinduar goditi mjetin e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi.
Kapja e Bekteshit vjen pas deklaratave të forta të ish-ambasadorit amerikan Donald Lu, se vendin e drejtojnë katër klane dhe 20 familje mafioze, pas te cilave, policia e Elbasanit është vënë në lëvizje për të kapur të fortët atje.
TIRANA TODAY