Musa Protoduari, i cili akuzohet si autor i masakrës së Urës Vajgurore i ka dërguar avokatit të tij një prokurë për rishikim mase.
Protoduari është dënuar me burgim të përjetshëm pasi akuzohet për vrasjen e 5 policëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve. Ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ku e ka nisur edhe prokurën e tij.
Masakra e Urës Vajgurore ndodhi më 17 qershor 1997. Përplasja e armatosur ka filluar në orën 11:55 të paradites, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike. Atë ditë, në këtë qytezë kishin shkuar për takime elektorale dhe për propagandë “anti-Berishë”, lideri i PS, i sapo dalë nga burgu Fatos Nano. Po kështu, në mbështetje të Fatos Nanos dhe ekstremisht kundër shefit të piramidave Sali Berishës, ishte në Urën Vajgurore dhe Skënder Gjinushi, kreu i PSD. Ndërsa në komunën Poshnjë ishin përfaqësues të krahut tjetër politik, konkretisht të PD.
Në miting, si përfaqësues i PD ishin Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së u largua nga Poshnja dhe pas saj, mbërriti grupi politik i Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit, por dhe i anëtarëve e simpatizantëve të shumtë të PS. Atë kohë, qytetin e Urës Vajgurore e kontrollonin bandat kriminale, të cilat ishin krijuar dhe realisht ishin “pushteti, shteti, qeveria, policia dhe pushteti lokal” i zonës. Ato komandonin totalisht gjithçka. Grabisnin, ngrinin postblloqe, merrnin vendime për emërime në zyra, grabisnin banka, merrnin peng këdo që mendonin, vrisnin ata që piketonin si kundërshtarë dhe biznesmenë që u vinin gjoba.
Krerët e PS-së të drejtuar nga “triumfatori” Fatos Nano, pas mitingut në Berat, ishin larguar nga qyteti i Urës Vajgurore, për të vijuar rrugën drejt Fierit. Eskorta që shoqëroi drejtuesit e PS-së, mbërriti në Urën Vajgurore, kur një 18 vjeçar qëlloi me breshëri automatiku drejt rojeve të vilës së Protoduarëve e cila gjendej në qendër të këtij qyteti. Sipas dëshmive dhe fakteve të publikuara të asaj kohe, flitej se fisi “Protoduarëve” në urën Vajgurore dhe në krejt zonën e Beratit, ishte mbështetës fortë dhe i vendosur i PD dhe i Sali Berishës.
Vrasja e 17-vjeçarit nga rojet e vilës së “Protoduarve”, shkak për nisjen e masakrës
Të vendosur mbi tarracën e vilës, rojet e “Protoduarëve”, siç quheshin në vitin 1997, reaguan me breshëri armësh vranë një 17-vjeçar. Pjesa e eskortës, që mundi të kalojë vilën, shkoi në Berat dhe mori përforcime të mëdha armësh municioni e njerëzish. Ndërsa pjesa tjetër që mbeti në qytet, u mblodh në sheshin përpara karburantit të Urës Vajgurore. Disa persona, rrëmbyen një autoblindë policie duke kërcënuar trupën policore të qytetit dhe nën urdhrat e civilëve, në mënyrë krejt të pakontrolluar e agresive, blindi i policisë u nis për tek vila e “Protoduarëve”.
Rojet e vilës u detyruan të qëllojnë mbi tankun me predhë anti-tanku, pa e ditur se brenda tij kishte ende policë. Dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut, dy të tjerët Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindit. Nga ana tjetër, rojet e vilës, të ndodhur midis dy zjarreve, mundën të tërhiqen, por jo të gjithë. Njëri prej tyre u kap rob nga kundërshtarët dhe u ekzekutua. Trupi i tij u lidh pas një autoveture, me të cilën e zvarritën deri në Berat, ku e dogjën.
Dëshmitarët kanë treguar se protagonistët e kësaj masakre, por edhe të ngjarjeve të tjera të rënda, ishin simpatizantë të dy partive kryesore PS-së dhe PD, të cilët kaluan në ekses duke luftuar barbarisht kundër njeri tjetrit me pasojë tragjedinë që nuk harrohet jo vetëm në berat, jo vetëm në urën Vajgurore, por as në krejt vendin. .
Masakra e urës Vajgurore, dosje me dënime, por pa arrestime
Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk e kanë hapur “kapakun” e një prej ngjarjeve më të rënda të 16 viteve më parë, ku mbetën të vrarë katër policë dhe disa persona të tjerë. Ende pas 16 vitesh që prej masakrës së vitit 1997, familjarët e viktimave të asaj masakre barbare, presin të jepet një përgjigje ligjore, ndëshkuese për nxitësit dhe autorët e një prej ngjarjeve më të rënda të vitit 1997, atë që njihet si “Masakra e Urës Vajgurore”. Tashmë mbetet për t’u parë nëse pas 16 vitesh do të hapen hetimet, për të konfirmuar nëse në këtë ngjarje ka “gisht” politika shqiptare dhe protagonistët e saj të atëhershëm.
Policia e Shtetit ka urdhëruar hetimin e ngjarjeve kriminale të ndodhura në Qarkun e Beratit, gjatë viteve 1997, ku u vranë 109 persona dhe u plagosën e u gjymtuan 234 të tjerë. Në këto ngjarje përfshihet edhe masakra e Urës Vajgurore 1997. Për këtë ngjarje është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm Musa Protoduari, ndërsa bashkëshortja e tij Fatbardha, ish-pronare e vilës së njohur në qendër të Urës vajgurore është dënuar me 17 vjet burg. Policia nuk ka bërë të mundur përcaktimin e vendndodhjes së tyre.
Mendohet se ata fshihen jashtë Shqipërisë, të larguar që në momentin e ndodhjes së masakrës. Enigmë janë emrat e autorëve të tjerë të masakrës, të cilët mendohet se janë nga Veriu i Shqipërisë. Bashkëpunëtorët e tyre, persona me mbiemrin “Protoduari”, janë larguar jashtë Shqipërisë.
Masakra kishte si pikënisje konfliktin politik PD-PS
Nga rrethanat e ngjarjes, masakra vijon të përflitet edhe sot e kësaj dite për shkak të politikës. Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit. Banorët e Urës vajgurore edhe sot kësaj dite kujtojnë gjithë ngjarjen dramatike. Ndërsa hetimet paraprake të policisë, kanë mundur të ndërtojnë një skemë, mbi bazën e dëshmive që më së shumti u ngjajnë gojëdhënave. Pas shumë mitingjeve të suksesshme, Fatos Nano, kryetari i atëhershëm i Partisë Socialiste, kishte arritur në fund të itinerarit elektoral.
Berati ishte projektuar si qyteti fundor, që do të mbyllte me madhështi fushatën në Jug të vendit. Në Urën Vajgurore, PS organizoi një miting në sheshin e qytetit, ku së bashku me eskortën e ardhur nga Berati, të pranishmit arrinin në rreth 1000 veta. Atëherë, qytetin e kontrollonin bandat. Thuhet se mitingu i socialistëve në Berat nuk ishte ai që pritej. Krerët e saj, u larguan nga ky qytet, për të vijuar rrugën drejt Fierit.
Viktimat e masakrës
- Miltiadh Koçi, punonjës i policisë, i vrarë
2. Arjan Shemuni, punonjës policie, i vrarë
3. Asllan Selami, punonjës policie, i vrarë
4. Ilia Bano, punonjës policie, i vrarë
Të plagosur në masakër
1. Thimi Tanku, punonjës policie
2. Ylli Dhamo, punonjës policie
3. Neim Gjeroveni, punonjës policie
4. Ëngjëllush Pasha, punonjës policie
5. Arben Bega, punonjës policie
6. Shkëlqim Selfo, punonjës policie