Intervistoi MARSELA SINANI
Prej dekadash, vendi ynë është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e të cilit nuk po njeh zbutje. Për fat të keq, ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante. Aktualisht problemi më i madh është bërja gati e valixheve për tu larguar.
Plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare është largimi i të rinjve të arsimuar, në kërkim të vendeve me paga më të larta. Shqipëria ka rrjedhën më të lartë të trurit në rajon, ku 40% e të larguarve nga 2012-2019 janë të arsimuar. Në jo pak kronika të lajmeve, është trajtuar rasti i largimit të të rinjve, e ku është vënë re një fluks për vizë pune.
Të dhënat nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, rezulton se gjatë viteve 2015-2019, fenomeni është përkeqësuar sidomos në grup moshat 20-24 vjeç. ‘Ikja e trurit’ është veçanërisht e fortë tek të rinjtë, sidomos në grupet 15-19 dhe 20-24 vjeç. Por emigrimi i forcës së aftë të punës në Shqipëri, është e lartë edhe në grup-moshat 25-29 dhe 30-34 vjeç. Edhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në një raport të vitit 2020, konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016.
“Tirana Today” ka kontaktuar me Irsa Ruçin, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë. Gjatë intervistës, Ruçi thekson se arsimi ka nevojë për revolucion, e jo thjeshtë reformë. Teksa ka analizuar çështjen që në gjenezë, tek të rinjtë, marrja e diplomës e deri tek përballja me tregun e punës, Irsa Ruçi tregon se ku çalon çështja që na impakton. Ajo thotë se kjo është kosto për të rinjtë, e jo vetëm.
Sipas saj, arsimi duhet të trajtohet si një mundësi që hap dyer punësimi, jo thjesht dyer universitetesh. Teksa e pyesim nëse nevojitet një studim mbi nevojat dhe mundësitë që ofron tregu i punës për të mbështetur fuqizimin ekonomik, Ruçi rikthen edhe një herë në vëmendje propozimin e saj që lidhet me studimin e tregut. Në shenjë këmbane alarmi, Irsa Ruçi flet pa ‘doreza’, duke theksuar se shteti duhet të krijojë strategji konkrete punësimi për arsimin profesional.
A i orientojnë universitetet studentët drejt tregut të punës, apo japin thjesht diplomat?
“Ne duhet të thyejmë një mentalitet në mënyrën si i mbrujtim të rinjtë të shohin shkollimin dhe më tej punësimin. Pra, nuk mund të flasim thjesht për reformë në arsim, na nevojitet revolucion në këtë fushë kaq jetike jo vetëm për brezat e sotëm, por mbi të gjitha për trashëgiminë akademike që do lëmë një të ardhme. Është kaq shumë e domosdoshme shkundja e gjithë strukturës arsimore, për ta risjellë me energji të re dhe një frymë që ngjall shpresë. Por, për të ngritur nga themelet një filozofi të ndryshme menaxhimi, duhet shumë vullnet dhe guxim, por më e rëndësishmja: besimi se suksesi mund të arrihet nëse bëhet një punë e madhe dhe plot pasion. Historia është ndryshuar vetëm me ç’rrënjosje të një sistemi, për të instaluar një mendësi të re përpara se të pranohet dhe instalohet një sistem i ri.
Arsimi duhet të trajtohet si një mundësi që hap dyer punësimi, jo thjesht dyer universitetesh. Sot po i jepet më tepër rëndësi kartonit që merret pas pesë vitesh, e jo dijes që përftohet gjatë kësaj kohe. Ne duhet ta këpusim njëherë e përgjithmonë këtë nyje gordiane që mban peng mijëra të rinj çdo vit dhe i ushqen me vlerën e lavdisë së rreme. Na lipset të zhvlerësojmë letrën, e të vlerësojmë dijen.
Kjo do jetë hallka e parë për të kapërcyer hendekun e “tronditjes” që pëson një student i sapo dalë nga bankat e shkollës, ku pas një investimi 17–të vjeçar, ndihet i humbur në vend të vetë, pa shpresë për të nesërmen dhe i lënë në mëshirë të fatit. Por, kjo mund të arrihet nëse gjatë viteve të gjimnazit, një adoleshent “ushqehet” me perspektivën që ka tregu i punës në të ardhmen e afërt. Pra, duhet të ngrihet një strukturë “Edukimi Karriere”, që mos jetë më një lëndë më tepër teorike për të plotësuar orët mësimore, por studim i mirëfilltë i tregut të punës.
Ministria e Arsimit, Universitetet publike dhe private, Departamenti i Administratës Publike, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Dhomat e Tregtisë dhe kushdo aktor i interesuar, është e rëndësishme të bashkëpunojnë për të prodhuar një studim konkret për një parashikim pesë vjeçar të tregut të punës.
Një i ri, duke pasur në duar orientimin real të trendit të punësimeve për një periudhë kohe që përkon me një cikël të plotë studimesh, do orientojë dijet e tij drejt profilit që ia kthen në fryte konkrete dituritë që vendos në arsimim”.
A nevojitet një studim mbi nevojat dhe mundësitë që ofron tregu i punës, për të mbështetur fuqizimin ekonomik?
“Studimi i tregut është faza e parë për të shkuar drejt propozimit, që kam mbi një vit të cilin e artikuloj fort nëpër media: Hapjes graduale të universiteteve. Ata të cilët janë dyshues, e mbështesin arsyetimin e tyre tek frika e një dyndjeje në disa degë të caktuara dhe mbyllje të shumë profileve të tjera. Ndërkohë, besoj fort që do jetë e kundërta. Nuk propozoj një hapje të menjëhershme dhe të pa menaxhueshme, sepse do sillte kaos. Por, duhet të shkojmë drejt modelit të studimit që ofrojnë të gjitha universitetet e zhvilluara perëndimore, ku profesionin e jetës nuk ua zgjedhin disa testime teorike pa lidhje me profesionin të cilin do ushtrojë një ditë; dhe një i ri nuk mbetet peng i kapërcimit të atij hendeku pa vlerë konkrete, duke u robotizuar, për të arritur qëllimin më të madh të jetës: “të kapë” një universitet, mundësisht ato që janë në modë. Sepse, duke mos pasur dijeni që për shembull, edhe peshkimi ofron mundësi punësimi, të rinjtë priren ta përjashtojnë dhe të shkojnë ku orientohet shumica: prodhojmë vit pas viti me mijëra juristë. Por kjo ndodh sepse një i ri nuk beson se duke qenë elektriçist fiton shumë më tepër sesa të jesh inxhinier, sepse sot askush nuk ja vërteton dot këtë hipotezë; dhe për këtë nuk mund të fajësohen të rinjtë në zgjedhjet e tyre.
Ndaj thashë më lart që duhet të thyejmë një mentalitet. Por, nuk mund ta bëjmë duke “përjashtuar”, por me një punë konkrete që përmban fakte dhe të dhëna; pastaj do jenë të tjera hallka që do bëjnë krasitjen, atëherë kur do jetë vërtet e nevojshme dhe e vërtetueshme sesa profesionist i mirë do jesh, pas përfundimit të ciklit akademik.
Do vëmë re sesi tregu do marrë frymë më lirisht, të rinjtë nuk do ndihen të dëshpëruar në idenë se u janë vendosur disa mure të pakapërcyeshme përpara, dhe gradualisht kushdo që do pretendojë të marrë dije akademike do jetë më i qartë për rrugën që duhet të ndjekë”.
Cilat janë trendet e punësimit rinor në Shqipëri?
“Më vjen keq të jem kaq e ashpër në përkufizime, sepse unë e ndjej peshën e sfidave rinore, si prej pozicionit të mëparshëm të punës si Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë, pjesë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë; ashtu edhe në pozicionin e Pedagoges që e kam nisur qysh prej diplomimit si një ish-studente ekselente, por e vërteta e hidhur që vë re është se arsimimi është kthyer në një plaçkë të shtrenjtë për tu blerë, të lirë për tu shitur.
Tregu sot nuk ka të dhëna të qarta se si është raporti mes shkollimit dhe punësimit, se sa në përputhje me fushën e studimit punësohet një i ri pas diplomimit. Nuk është aspak turp që sot një 20 vjeçar të punojë në call center apo kamarier.
E hidhur është që ju deshën 17-të vite shkollim dhe investim e sakrifica nga ana familjes, për ta përjetuar një ditë realitetin. Mosha më energjike që humbet në pritshmëri, ndonjëherë të gabuara, që ëndërron se ai karton në dorë do i hapë dyert e punësimit një të nesërme. Duhet ta rrëzojmë këtë filozofi mendimi, më tepër tek prindërit sesa tek adoleshentët, sepse janë ata që mendojnë se intelektual të bën shkolla. Nuk është shkolla çelësi i kulturës, as certifikim i njeriut të kulturuar, as mbartëse e vlerave shoqërore. Është shkollimi dhe investimi në dije brumi që formon një njeri si qytetar të denjë në shoqëri.
Që një i ri t’i afrohet tregut të punës që i përshtatet shkollimit, duhet që ta kemi të qartë diferencën e përkufizimit më lart, sepse vetëm atëherë një i ri do orientohet drejt mundësive që i ofrojnë kushte punësimi në plan afatgjatë; dhe do kërkojë t’i japë vlerë zotësisë e të certifikojë aftësitë, jo titullin e mjekut, juristit, filozofit etj.
Është koha të hapim dyert për të rinjtë, jo t’i lëmë tu përplasen dyert në fytyrë dhe të vetmen derë të hapur të shohin atë të avionit që i degdis rrugëve të botës. Është koha e rinisë: që të jetojnë, luftojnë dhe ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, sepse fuqia që kanë brenda vetes, energjia dhe mençuria e të rinjve shqiptarë janë një diamant, që nuk ka baltë t’ua heqë shkëlqimin. Të rinjtë janë pasuria e këtij vendi, dhe fryma që e mban gjallë. Ata duhet thjesht të jenë të ndërgjegjshëm për potencialin që zotërojnë”.
Aftësitë profesionale dhe arsimi në Shqipëri. Nëse bëjmë një paralelizëm, si është raporti mes të dyjave? Çfarë duhet të bëjë shteti, që të rinjtë mos ti drejtohen tregut të punës në Europë?
“Arsimi profesional është një nga pikat e dobëta që na duhet shumë punë për ta kthyer në vlerë konkrete, sepse është një aset për punësimin rinor. Marrja e një zanati u hap të rinjve dyert drejt punësimit, në një kohë të shpejtë dhe pa riskun e mos gjetjes së një pune për një periudhë të gjatë. Një zanat është investim konkret, që e bën një të ri po aq profesionist, po aq të kulturuar e po aq intelektual sa e bën edhe ndjekja e një universiteti. Na duhet një fushatë ndërgjegjësimi, për t’i rikthyer dinjitetin arsimit profesional, si një nga hallkat më të rëndësishme në formimin e një të riu. Aftësimi në profesion, duke e prekur nga afër terrenin e punës, është një cilësi e cila e diferencon një zanatçi nga pjesa tjetër e bashkëmoshatarëve.
Për shkak të së kaluarës sonë, ku “ajka” e shoqërisë shkolloheshin në universitet, ndërsa për shumë syresh kjo mbetej një ëndërr e pamundur, ka lënë pasojat e veta në përjetimin tonë emocional referuar kësaj pike. Ëndrrën e papërmbushur tek vetja, shumë prindër përpiqen dhe sakrifikojnë ta shohin të realizuar tek fëmijët e tyre. Ndaj, shohim një dyndje në dyert e universiteteve dhe shumë pak zgjedhim të aftësohen në zanate. Është thelbësore që të bëjmë diferencën mes dy sistemeve: sistemit diktatorial që dha atë mesazh të cilin përshkova më lart; dhe sistemit aktual që nuk “të dërgon në punë”, por duhet të konkurrosh me të tjerë për të mbijetuar në treg.
Shteti duhet të krijojë strategji konkrete punësimi për arsimin profesional. Nevojitet një studim konkret dhe i qartë i tregut aktual të punës në Shqipëri, e pritshmërive për të ardhmen e afërt.
Gjithashtu, arsimi profesional duhet të përshtatet me kohën, me teknologjinë dhe zhvillimet më të fundit, për t’i dhënë frymëmarrje shumë profileve që po kthehen në domosdoshmëri. Baza akademike në arsimin profesional duhet të ketë të njëjtin ndikim në formimin e një të riu, ashtu si në arsimin e përgjithshëm. Pra, duhet t’i kushtojmë rëndësi zanateve, për t’i dhënë dinjitet, mundësi dhe hapësirë si arsimit në tërësi, ashtu dhe të rinjve që e zgjedhin. E them me bindje që nëse investohemi seriozisht me politika të përshtatshme drejt profileve profesionale, edhe të rinjtë do investojnë kohën dhe dijet e tyre, madje do jenë edhe të pavarur në profesion një ditë.
Arsimi është themeli që mban në këmbë vlerat tona më të larta shoqërore. Sa më shumë t’i kthejmë sytë me politika transformuese që shtyjnë përpara sistemin, aq më shumë do trashëgojmë pasuri, dije dhe të ardhme plot shpresë si komb. E nesërmja është gjithmonë rini, e çdo investim që shkon për ta, është investim për ta bërë “zonjë” Shqipërinë”./TIRANA TODAY