Nga: Marsela Sinani
Pandemia i ka dhënë një goditje të rëndë të rinjve, dhe kjo lidhet drejtëpërdrejtë me shëndetin mendor. Një studim i fundit ka dalë në përfundimin se të rinjtë janë goditur më shumë nga kriza ekonomike e Covid-19, e cila ka dhënë efektin e saj në shëndetin mendor. Ekonomia dhe shëndeti mendor, janë aq të lidhur ngushtësisht, sa që pandemia i dha goditjen përfundimtare. Rritja e rasteve e më tej shkurtimi i vendeve të punës, kanë ushtruar presion mbi sistemet shëndetësore. Në ekonomi, pasojat ishte katastrofike dhe kjo u evidentua edhe në vendet e zhvilluara. “Tirana Today” ka kontaktuar me psikologen Irena Shenaj, për të marrë disa këshilla si mund të menaxhohet kriza shëndetësore. Ajo e vë theksin tek punësimi, si një nga përcaktuesit më të fortë të shëndetit mendor.
Por cila është lidhja midis shëndetit mendor dhe papunësisë? Psikologia, mjaft e detajuar në analizën e saj, jep disa rekomandime mjaft të vlefshme për këdo. Ndonëse shpesh njerëzit e anashkalojnë këshillimin psikologjik për arsye të ndryshme, marrja e një ndihme profesionale është sekreti për të lënë pas ditët e vështira e për t’iu rikthyer normalitetit. Me mjaft rëndësi është krijimi i një strukture, se çfarë do bëni gjatë ditës. Sikundër thotë psikologia, ne kemi nevojë për të zhvilluar zakone të reja të përditshme, në mënyrë që të qëndrojmë aktivë dhe të motivuar.
“Të gjithë ne mund të përjetojmë probleme të shëndetit mendor, pavarësisht nga prejardhja ose jeta që bëjmë, por ata që përballen me disavantazhet më të mëdha në jetë, përballen edhe me rrezikun më të madh për shëndetin e tyre mendor.
Infektimet dhe vdekjet gjatë pandemisë Covid-19, izolimi, masat e ndërmarra dhe ndikimi socio-ekonomik afatgjatë, ka gjasa të intensifikojnë pabarazitë financiare që kontribuojnë drejt rritjes së prevalencës dhe shpërndarjes së pabarabartë të problemeve te shëndetit mendor.
Një kërkim afatgjatë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, i udhëhequr nga Fondacioni i Shëndetit Mendor studioi se si pandemia po ndikon në shëndetin mendor të njerëzve dhe rezultoi qe njerëzit që jetojnë në vështirësi financiare, në grupe socioekonomike më të ulëta, janë në rrezik më të madh të problemeve të shëndetit mendor dhe tipikisht kanë një shëndet mendor më të ulët. Ne fakt, lidhja midis varfërisë dhe shëndetit mendor është e njohur prej shumë vitesh dhe është e vërtetuar mirë.
Punësimi është një nga përcaktuesit më të fortë të shëndetit mendor. Mungesa apo largimi/pushimi nga një vend pune, po shkatërron shëndetin mendor te individëve dhe familjet në tërësi. Puna u jep njerëzve strukturë, dinjitet, besim, qëllim dhe ndjenjën e krenarisë. Kur prindërit çohen në mëngjes, vishen dhe shkojnë në punë, ata po japin një shembull që fëmijët e tyre duhet të ndjekin.
Studimet kanë gjetur se papunësia ka një sërë efektesh negative, duke përfshirë varfërinë apo një rënie në standardet e jetesës për ata që humbasin një punë, pasigurinë financiare, turpin e të qenit të papunë dhe humbjen e rrjeteve sociale jetike. Gjithashtu, humbja e vendit të punës ka një ndikim negativ traumatik dhe të menjëhershëm në shëndetin mendor dhe ka dëme të mëtejshme kur papunësia vazhdon në terma afatgjatë.
Vdekja e një personi te dashur, një sëmundje e rëndë personale, humbja e të ardhurave, këto ngjarje traumatike renditen ndër përvojat më stresuese që një person mund të durojë. Pandemia aktuale nuk është thjesht një tragjedi mjekësore, pasi edhe kur kërcënimi mjekësor të jetë zhdukur, njerëzit në të gjithë globin do të luftojnë me plagët psikologjike për vite me radhë.
Një meta-analizë ka treguar se papunësia lidhet me varietetet e vuajtjes, duke përfshirë simptoma të përziera të ankthit, depresionit, stresit, simptomave psikosomatike dhe rënies se vetëvlerësimit, ndjenja të pavlefshmërisë.
Cila është lidhja midis shëndetit mendor dhe papunësisë? Ekzistojnë disa mekanizma me të cilët papunësia mund të dëmtojë shëndetin: • përmes stresit dhe vetëvlerësimit të zvogëluar që vijnë nga humbja e strukturës së përditshme të punës ose stigmës që lidhet me papunësinë • si rezultat i vështirësive financiare, pasigurisë dhe zvogëlimit të potencialit të fitimeve në të ardhmen, • nga vetë sistemi i sigurimeve shoqërore, i cili mund të ketë një ndikim negativ në shëndetin mendor përmes testimit të aftësisë për punë dhe kushteve të kërkimit të punës.
Më të riskuar rezultojnë: gjinia femërore, grupmoshat më të reja se 40 vjeç. Prania e sëmundjeve kronike / psikiatrike, papunësia, statusi i studentit dhe ekspozimi i shpeshtë ndaj mediave sociale / lajmeve në lidhje me COVID-19 gjithashtu i vënë më në risk individët. Ndërsa mbështetja psikologjike po u ofrohet vetëm pacientëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor, shëndeti mendor i popullatës së gjerë gjithashtu kërkon vëmendje të konsiderueshme.
Numri i personave që marrin ndihmë sociale për shkak të papunësisë, ka arritur një nivel rekord. Ndërsa gjithnjë e më shumë ndërmarrje po pushojnë njerëz nga puna, ekspertë të sëmundjeve mendore po shprehin shqetësime rreth stresit që shkaktohet nga papunësia. “Njerëzit shqetësohen, veçanërisht kur janë të lidhur shumë me punën ose identiteti i tyre është i lidhur me punën, ata pyesin veten të shqetësuar “Kush jam unë?”.
Rekomandime
Kërkimi i këshillimit psikologjik, marrja e ndihmës në mënyrë profesionale.
Zhvillimi i një rutinë ditore. Papunësia shpesh mund të çojë në mërzi, ndjenja të pashpresshmërisë, izolimit dhe depresionit. Ne kemi nevojë për të zhvilluar zakone të reja të përditshme, në mënyrë që të qëndrojmë aktivë dhe të motivuar.
Kjo përfshin: Ndjekja e një cikli të rregullt gjumë/zgjim.
Ndjekja e një rutine të përditshme ushtrimesh. Dedikimi i kohës çdo ditë për të zhvilluar një aftësi të re, ose për të punuar në një projekt të ri. Ushqyerja e shëndetshme dhe hidratimi i duhur. Kalimi të paktën 30 minuta në ditë jashtë. Kalimi i një kohe cilësore me njerëzit e dashur (edhe nëse kjo nënkupton orë dhe takime virtuale të lumtura ose praktikimin e distancimit shoqëror). Kalimi i kohës duke medituar, lexuar ose praktikuar yoga. Kalimi i kohës duke u përqëndruar në aktivitete që ju sjellin gëzim.
Mos u fiksoni në kërkimin e punës! Megjithëse është e domosdoshme të kërkohet një punë, kalimi i orëve të panumërta në kërkim për punë, mund të dëmtojë shëndetin tonë mendor dhe emocional. Në vend të kësaj, ne duhet të caktojmë një kohë të caktuar çdo ditë ose çdo disa ditë, për të kërkuar mundësi të reja pune, për të azhurnuar rezymetë tona, për të krijuar letra interesi.
Duhet te vendosni rregull mbi financat tuaja. Eshtë e nevojshme të hidhni një vështrim në statusin tuaj aktual financiar dhe të vlerësoni çdo shpenzim të panevojshëm. Eshtë e rëndësishme të kurseni para gjatë kësaj kohe, edhe nëse papunësia juaj i mbulon faturat tuaja mujore. Tani është koha juaj të kuptoni se si të bëni një jetë më të thjeshtë me besimin se është diçka e përkohshme. Eliminoni bashkëveprimet negative shoqërore. Nëse keni njerëz në jetën tuaj që ju shkaktojnë stres gjatë kësaj kohe, mund të jetë koha të largoheni nga marrëdhënia. Ju duhet të rrethoheni nga ata që ju mbështesin dhe duan t’ju shohin duke lulëzuar. Gjithashtu, nëse perceptoni që mediat sociale po ju shkaktojnë frustrim, nervozizëm gjatë kësaj kohe, atëherë bëni një pushim, fshini aplikacionet nga telefoni juaj ose kufizoni aktivitetin tuaj të përditshëm në media sociale./Tirana Today