Nga: Jovan Kovacic “New Europe”
Vetoja e presidentit francez, Emanuel Makron, kundër çeljes së bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shkaktoi një zhgënjim të madh mbi Bashkimin Evropian nga ana e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo pasi siç e pohojnë shumë analistë dhe eurodeputetë, vetoja e shkatërroi besueshmërinë e Brukselit. Ajo e ka lënë rajonin zbuluar ndaj ndikimit të padëshiruar të jashtëm nga Rusia, Turqia dhe Kina.
I dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Ballkanin Perëndimor, zv/ndihmës sekretari Metju Palmer, tha se vendimi dërgoi një mesazh shumë të keq për Serbinë dhe Kosovën, se pavarësisht sa sakrifikoni dhe bëni kompromise për të arritur një marrëveshje, kjo gjë nuk ju hap automatikisht dyert për integrimin në Bashkimin Evropian
Për amerikanët, kjo karotë – anëtarësimi në BE – ishte sot më e rëndësishme se kurrë më parë, që kur Uashingtoni është angazhuar sërish për zgjidhjen e ngërçit më shumë se 20-vjeçar midis Beogradit dhe Prishtinës. Por kjo është një karotë, mbi të cilën Uashingtoni nuk ka ndonjë ndikim.
Presidenti amerikan Donald Trump, e ka caktuar mikun e tij të besuar, Riçard Grenëll si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet Beograd-Prishtinë. Ai synon arritjen e një marrëveshje midis armiqve historikë, nëpërmjet ofrimit të një pakete të madhe investimesh, me anëtarësimin në BE si shpërblimin përfundimtar.
Palmer ka deklaruar se SHBA dhe BE, ndajnë të njëjtat qëllime mbi çështjen e Kosovës. Por sipas tij, disa vende të BE-së po dërgojnë mesazhe kontradiktore. Ndaj vendimi i Këshillit Evropian për të mos hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është shumë dekurajues.
“Ky vendim, nuk do të shkatërrojë bisedimet Beograd-Prishtinë, por sigurisht që ato nuk do të përfundojnë në afatin e dëshiruar”- deklaroi një diplomat perëndimor pas vetos franceze. Presidenti francez, ka theksuar se nuk mund të ketë zgjerim të BE-së, pa një konsolidim paraprak dhe reformism të unionit, në prag të Brexit dhe problemeve të tjera të thella institucionale, që po dëmtojnë aktualisht bllokun prej 28 anëtarësh. Ai do t’i paraqesë propozimet e tij për këtë reformë janarin e vitit 2020.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thirrur zgjedhjet e parakohshme në prillin e vitit të ardhshëm. Megjithë garancinë e anëtarësimit të shpejtë në NATO, ndoshta brenda këtij viti, disa analistë dyshojnë se nacionalistët maqedonas, që supozohet se janë mbështetur nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë zgjedhjeve të fundit, do të paraqesin një sfidë të fortë.
Qeveria serbe, e kritikoi vendimin e Këshillit Evropian. Ajo tha se do të ndjekë gjithsesi kursin e saj të anëtarësimit në BE. Por Qendra Analitike e Parlamentit Evropian, druhet se Serbia është e inatosur me ritmin e ngadaltë të negociatave me Brukselin.
Dhe kjo mund t’i hapë dyert, një ndikimi të mëtejshëm politik dhe ekonomik nga Rusia dhe Kina. Kjo nga ana e saj, do të ndjellte dyshime për angazhimin e Beogradit në trajektoren e tij evropiane. Brukseli e ka kundërshtuar tashmë marrëveshjen tregtare, që planifikon të nënshkruajë Serbia me Bashkimin Ekonomik Euraziatik të udhëhequr nga Kremlini.
Brukseli vuri në dukje se çdo marrëveshje e tillë, duhet të shfuqizohet pas hyrjes së Serbisë në BE. Por Rasim Ljajiç, një ministër i qeverisë serbe, e minimizoi frikën nga kjo marrëveshje, duke thënë se Beogradi ka tashmë një marrëveshje të ngjashme me Turqinë dhe me Rusinë.
Ndërkohë një ekspert shton: “S’ka asnjë arsye që BE të dyshojë në angazhimin e Serbisë. Evropa është sot partneri ynë më i madh tregtar”. Dhe në fakt vëllimi aktual i tregtisë midis Serbisë dhe Rusisë prej 1 miliardë dollarësh, është më i vogël sesa ai me Bosnjën fqinje, që arrin në rreth 1.3 miliardë dollarë.
Ndërkohë, vendimi i fundit i Komisionit Evropian, u shoqërua me një marrëveshje të kohëve të fundit, që u nënshkrua nga presidenti serb Vuçic, dhe kryeministrat Zoran Zaev dhe Edi Rama, përkatësisht të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ideja është formimi i një mini-Shengeni, të njohur si CEFTA+ midis 3 vendeve. Ajo do të mundësojë qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
Deklarata u nënshkrua në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, dhe u bën thirrje vendeve të tjera të rajonit t’i bashkohen kësaj nisme, e cila do të krijonte një treg të përbashkët për 12 milionë njerëz. Si një hap të parë, liderët ballkanikë parashikojnë heqjen e doganave dhe të barrierave kufitare për lëvizjen e lire, jo më vonë se në vitin 2021.
Banka Botërore, ka vlerësuar se kamionët humbasin çdo vit 26 milionë orë duke pritur të kalojnë kufijtë. Uashingtoni ka kërkuar prej kohësh, që vendet e rajonit të heqin pengesat tregtare midis tyre, duke dhënë madje edhe asistencë teknike. Nisma u mirëprit nga shumë ekpertë në Evropë, dhe në pjesën tjetër të Ballkanit, veçanërisht nga biznesmenët.
“Rreth 20 milionë sipërmarrje, anëtare të “Eurochambres”, e shohin tashmë komunitetin e biznesit të Ballkanit Perëndimor, si një pjesë integrale të ekonomisë evropiane. Ata duan që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, t’i bashkohen BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur”- thotë Marko Kadez, President i Dhomës së Tregtisë në Serbi.
Marrëveshja u përshëndet edhe nga profesor Jorgo Pagulatos, nënkryetari i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Grek për Politikën Evropiane dhe atë të Jashtme. “Ekonomitë që tregtojnë me njëra-tjetrën, janë të prirura të vlerësojnë përfitimet nga bashkëpunimi paqësor, sesa të mbështesin armiqësitë etnike nacionaliste të së kaluarës.
Për më tepër, lëvizshmëria ‘e brendshme’ ndërkufitare në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve shtetërore në mbrojtjen më të mirë të kufijve “të jashtëm”- thotë ai. Por Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, thotë se nëse Prishtina nuk përfshihet në mini-Shengen, Shqipëria do të tërhiqet nga kjo nismë.
TIRANA TODAY