Humbja e parë e Luciano Spalletti-t në krye të Juventusit, në “Diego Armando Maradona”, ka hapur një sërë debatesh të forta rreth zgjedhjeve të trajnerit bardhezi.
Kritikat kanë shpërthyer nga çdo drejtim: mungesa e një qendërsulmuesi të mirëfilltë në formacionin fillestar, zëvendësimi i diskutueshëm i Kenan Yildiz në shifrat 1-1… Por një pyetje i tejkalon të gjitha: pse Edon Zhegrova luan vetëm 10 minuta në çdo ndeshje?
Në sfidën e fundit, ashtu si në shumë raste të tjera, talenti kosovar u fut në lojë vetëm në fund, për një fragment minimal. Sërish, edhe me aq pak kohë, ai rezultoi lojtari më i rrezikshëm i Juventusit.
Kreativ, i shpejtë, i paparashikueshëm, çdo prekje e topit prej tij solli rrezik real për portën kundërshtare.
Atëherë, përse nuk merr më shumë minuta?
Nëse dëmtimi i ka kaluar plotësisht, çfarë e pengon Spalletti-n t’i besojë më gjatë një lojtari që Juventusi e ka paguar pothuajse 20 milionë euro?
Pse duket sikur Zhegrovës i është ngjitur etiketa ironike: “Objekt i brishtë, përdorim maksimal 10 minuta”?
Kjo mënyrë e çuditshme menaxhimi ngre një dilemë edhe më të madhe: A ka investuar vërtet Juventusi 20 milionë euro për një futbollist që luan vetëm 10 minuta për ndeshje?
Shumë pikëpyetje, pak përgjigje.
Ajo që është e qartë është se kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu.
Juventusit i duhet kreativitet, goditje, shpikje, pikërisht ato që Zhegrova i sjell sa herë prek topin.















