Policia ka shpallur në kërkim tre autorët që dyshohet se kanë rrahur me shkopa bejsbolli avokatin Marjel Mejdini në Sarandë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, kanë shpallur në kërkim policor shtetasit E. F., S. N. dhe A. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta në trup avokatin 39-vjeçar, banues në Sarandë. Po kështu i kanë dëmtuar pjesërisht automjetin që ai drejtonte.
Ka qenë vetë avokati, i cili ka dëshmuar nga spitali se personat e kanë dhunuar për shkak të disa problemeve që ka me një pronë. Agresorët e sulmuan avokatin pasditen e djeshme në zonën pranë portit në Sarandë. Ata zbritën nga tre makina, e më pas thyen xhamat e makinës së avokatit. 39-vjeçari pësoi fraktura të shumta në trup.
Njoftimi i policisë:
Goditën me sende të forta një shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim policor 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shpallur në kërkim policor shtetasit E. F., S. N. dhe A. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në lagjen nr. 4, në qytetin e Sarandës, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta në trup shtetasin M. M., 39 vjeç, banues në Sarandë dhe i kanë dëmtuar pjesërisht automjetin që ai drejtonte. Vijon puna për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e tyre.