E ëma e 21 vjeçarit Aldi Rama ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të asnjë aktiviteti kriminal të tij. Valbona Kolgjini, prej disa vitesh është vendosur në Durrës dhe jeton me motrën e saj, ndërsa ka thënë se me të birin kishte pak kontakte.
“Me djalin kisha pak kontakte, sepse pas divorcit ai qëndroi në shtëpinë e xhaxhait në Lezhë. Unë shumë pak takohesha me djalin, dhe nuk isha në dijeni të asnjë aktiviteti kriminal”, ka thënë ajo në polici.
Ajo ka qenë në Greqi dhe atje ka pasur një martesë me një shtetas grek, dhe më pas ishte kthyer në Durrës ku ka krijuar një tjetër lidhje. Aktualisht në Durrës jeton në shtëpinë e motrës së saj.
E ndërsa i ati i viktimës po vuan dënimin përjetë në një burg në Greqi. Gjyshërit e Aldit fajësojnë prindërit për neglizhencë, ndërsa viktima dy herë ishte futur në burg.
Valbona Kolgjini dhe Rufat Rama, babai i 21-vjeçarit, janë divorcuar prej disa vitesh, ndërsa Aldi Rama u rrit nga gjyshërit. 21-vjeçari Aldi Rama, i cili vrau me armë zjarri në krye të detyrës policin Saimir Hoxha dhe më pas qëlloi veten, ka qenë një person me të shkuar kriminale.