Teksa thashethemet shtohen e mediat rozë shkruajnë pafundësisht për lidhjen e Bora Zemanit me aktorin e spektaklit të humorit “Al Pazar”, Donald Veshaj, bukuroshja tregon se tashmë lidhja e saj është bërë edhe më serioze.
Gjithçka nisi pak javë më parë, kur ajo i surprizoi të gjithë, pasi publikoi një foto me Donald Veshajn dhe vëllain e tij binjak, Romeon. Vetë moderatorja ka konfirmuar përmes disa postimeve në “Instastory”, se do t’i rikthehet televizionit, ndërsa ka etiketuar edhe dy vëllezërit në postimin e saj.
“Nuk po publikoj më nga përgjigjet tuaja se janë pa fund. Projekti i radhës ka lidhje me televizionin. Shumë shpejt do vij me një format të ri, shuuuumë të veçantë e të bukur. Mezi po pres… shihemi së shpejti!”, ka shkruar Bora.
Bukuroshja teksa ishte e ftuar në “E Diell”, foli për ndarjen e bujshme me Dj-in e njohur. “Sot pas 2 vitesh, mendoj se nuk ka ndarje të thjeshta, aq më tepër kur bëhet fjalë për familje, që ka dhe fëmijë në mes”, shprehej ajo.
“Atë periudhë e kam vuajtur shumë. Mund ta quaj edhe dështim nëse i referohem mënyrës sesi unë u edukova dhe e imagjinoja jetën. U zhgënjeva me veten sepse unë vetë jam rritur me një familje që janë marrë me dashuri, e që po me të njëjtën dashuri më kanë rritur mua dhe vëllain”, vazhdonte rrëfimin e saj Bora.
“Gjithmonë e kisha imagjinuar që edhe vetë do të kisha një familje si ajo që isha rritur, por ky ishte mësimi që mora dhe nuk është e thënë që gjërat të shkojnë gjithmonë sipas planeve të parashikuara”, përfundoi ajo.
Edhe pse e zhgënjyer nga kjo eksperiencë, Zemani u shpreh se beson ende te dashuria.