Drejtori i Institutit të Sigurisë Sociale në Meksikë, Zoé Robledo ka rezultuar pozitive me koronavirus, dy ditë pasi kishte takuar presidentin e vendit.
Lajmin e bëri të ditur vetë Robledo, i cili tha se do të vazhdojë të bëjë punën e tij nga distanca. Ai theksoi se po ndiqte udhëzimet e mjekëve dhe se çështja e tij po monitorohej nga afër dhe gjurmimet e kontaktit ishin duke u zhvilluar.
Të Premten, Robledo foli në konferencën e përditshme për shtyp të Presidentit Andrés Manuel López Obrador, në shoqërinë e zyrtarëve të lartë të vendit.
Të pranishëm në skenë ishin edhe presidenti Andres Manuel Lopez Obrador, Sekretari i Mbrojtjes Luis Cresencio Sandoval, Sekretari i Marinës Rafael Ojeda dhe Sekretari i Sigurisë dhe Mbrojtjes Civile Alfonso Durazo.
Vlen të theksohet fakti se asnjëri prej tyre nuk mbante maska.